Kontrolle të shtuara në të gjithë qarkun, për kapjen e personave në kërkim, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, ndërsa në pranga kanë rënë 2 persona, një prej tyre i shpallur në kërkim.

Një prej të arrestuarve është shtetasi i shpallur në kërkim me inicialet L. G., 26 vjeç, pasi akuzohet për organizim të lojërave të paligjshme.

Ndërkohë personi i dytë, shtetasi me inicialet A. B., 32 vjeç, u kap me drogë.

NJOFTIMI I POLICISE

Malësi e Madhe/Vijon operacioni policor i koduar “Poker 6”, kapet dhe vihet në pranga 1 shtetas në kërkim. Në dhjetor 2022, Policia gjeti në lokalin e tij, 1 tavolinë pokeri dhe makineta për lojëra fati.

Shkodër/Vihet në pranga dhe 1 shtetas tjetër, pasi u kap me disa doza lënde narkotike kokainë. Në hetim, pronari i lokalit ku u kap i arrestuari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë kapur dhe ndaluar shtetasin L. G., 26 vjeç, banues në fshatin Jubicë, Malësi e Madhe. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Poker 6”, për veprat penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia, në muajin dhjetor të vitit 2022, në lokalin e tij janë gjetur 1 tavolinë pokeri dhe 3 makineta që përdoreshin për lojëra fati.

Në Shkodër, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, gjatë kontrolleve për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, në një lokal, në lagjen “Salo Halili”, arrestuan në flagrancë shtetasin A. B., 32 vjeç, banues në Shkodër, pasi u kap me disa doza lënde të dyshuar narkotike kokainë. Gjithashtu, në vijim të veprimeve për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për pronarin e lokalit ku u kap 32-vjeçari, shtetasin A. L., 49 vjeç, banues në lagjen “Salo Halili”, Shkodër.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime te mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: