Një nga qentë e dashur të shpëtimit të Meksikës, i vendosur në Turqi për të ndihmuar në operacionet e shpëtimit atje, ka ngordhur.

“Na vjen thellësisht keq për humbjen e shokut tonë të madh, qenit ‘Proteo’”, shkroi të dielën në Twitter Ministria e Mbrojtjes Kombëtare meksikane.

“Ju përmbushët misionin tuaj si anëtar i delegacionit meksikan në kërkimin dhe shpëtimin e vëllezërve tanë në Turqi. Faleminderit për punën tuaj heroike”, tha ministria në deklaratën e postuar në Twitter.
Ministria nuk tha se si kishte ngordhur qeni.

Proteo ishte një nga 16 qentë e dërguar në Turqi nga Meksika javën e kaluar, për të ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit pas tërmetit shkatërrues të javës së kaluar.

“Zemra e ekipit tonë të shpëtimit aktualisht po fluturon për në Turqi”, shkroi të martën në Twitter ministri i Jashtëm i Meksikës, Marcelo Ebrard.

Meksika, ku ka tërmete të rregullta për shkak të mjedisit të saj tektonik, është e njohur për qentë e saj të trajnuar dhe të specializuar të kërkim-shpëtimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb