Ish-kryeministri Sali Berisha ka marrë pjesë sot homazhet në nder të ish-presidentit Bujar Nishani, i cili ndërroi jetë pak ditë më parë në një spital në Gjermani.

Berisha e cilësoi Nishanin si një nga bashkëpunëtorët e tij më të mirë me të cilin kishte një miqësi të ngushtë. Mes të tjerash ai theksoi se Nishani do të ngelet përjetësisht i gjallë.

“Isha për të shprehur nderimin tim më të madh, për të ndarë me Odetën, Ersin dhe Fjonën, zinë e kësaj gjëme të madhe që ju ka rënë atyre, miqve dhe të afërmve të tyre dhe mbarë qytetarëve shqiptarë të cilët kanë parë tek Bujar Nishani një qytetar shembullor. Familja, një prind të shkëlqyer, një bashkëshort dhe baba fisnik. Shteti shqiptar, një nga shtetarët më dinjitoz, në tërë historinë e tij.

Shoqëria shqiptare dhe shqiptarët, njërin nga shërbëtorët më të përkushtuar të tyre. Nishani në dekada, ka qenë një nga bashkëpunëtorët e mi më të çmuar, me të cilin më lidhi jo vetëm bashkëpunimi i ngushtë, por edhe një miqësi e përsosur, një miqësi që nuk njohu ndonjëherë asnjë lloj të themi rënie, përkundrazi, erdhi gjithnjë në forcim.

Kujtimet për Bujar Nishanin janë të shumta dhe ai sot fizikisht nuk është më midis nesh, por e vërteta është që shpirtërisht ai është gjallë, është përjetësisht i gjallë në memorien time dhe të gjithë atyre që patën fatin e madh ta njohin atë si bashkëpunëtor, mik, të familjes që pati një bashkëshort dhe prind të tillë dhe të mbarë shqiptarëve.

Ndaj dhe duke ndarë sot dhimbjen dhe zinë në familjen Nishani, miqtë dhe të afërmit e tij shpreh ngushëllimet e mia atyre, shqiptarëve që humbën sot ish-kreun e shtetit që i dha në atë detyrë dinjitet të madh, institucionit të Presidentit, por dhe mbarë shqiptarëve.

I paharruar dhe i përjetshëm do mbetet kujtimi i tij! Faleminderit!”, tha Berisha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: