Një tjetër prokuror kalon me sukses Vettingun. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë sot vendimin për Gentian Osmanin, një nga gjashtë prokurorët që po hetojnë ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

“KPK e konsideron të përfunduar seancën dëgjimore. Në përfundim të seancës së rivlerësimit kjo trupë gjykuese vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit Gentian Osmani”, deklaroi relatorja e çështjes Firdes Shuli.

Seanca dëgjimore u zhvillua dy ditë më parë, ndërsa Osmani zgjodhi të ballafaqohej personalisht me institucionit e vettingut.

Prokurori Osmani kandidon për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Ai ka qenë pjesë e treshes së prokurorëve, që iu drejtuan vitin që shkoi Kuvendit për arrestimin e Tahirit.

E vetmja pikëpyetje që u ngrit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit lidhur me pasurinë e tij, ishte shlyerja e një huaje marrë kunatit të tij, për të cilën komisioni ngriti dyshime.

Por Osmani dha shpjegime për të rrezuar gjetjet e trupës gjykuese.
Magjistrati rezultoi pa probleme në dy shtyllat e tjera, figura morale e aftësitë profesionale. Në përfundim Osmani kërkoi konfirmimin në detyrë.

Osmani e ka filluar karrierën në vitin 2003 në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe një vit më vonë është transferuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në vitin 2014 ai është komanduar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe një vit më vonë ai është kthyer në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se prokurori Gentjan Osmani zotëronte një pasuri familjare prej 1.5 milionë lekë para fillimit të detyrës. Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e prokurorit Osmani kapte vlerën 29 milionë lekë, duke regjistruar një rritje prej 19.4 herë, ose 1.97 milionë lekë çdo vit të deklarimit periodik.

Kjo pasuri përbhet nga 2.9 milionë lekë likuditete në bankë, 7.3 milionë lekë likuditete të deklaruara ‘cash’, pasuri të paluajtshme në vlerë 18.4 milionë lekë dhe një automjet me vlerë 400 mijë lekë. Të ardhurat e famijes Osmani janë në total 30.7 milionë lekë, nga të cilat 56.8 % vijnë nga të ardhurat e prokurorit nga funksioni dhe paga, 29.5 % të ardhurat nga paga e familjarëve, shtiblerja e pronave dhe automjeteve në masën 6.2 % dhe dhuratat ‘cash’ në masën 4.9 %.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit, nga të cilat viti 2004, 2009 dhe 2013 rezultuan me probleme. Mosjustifikim i pasurisë për vitet 2004, 2009 dhe 2013 është në shumën totale prej 5,889,627 Lekë.

Në deklaratën e vitit 2004 deklarohet një apartament me vlerë 6 milionë lekë, për të cilin nuk jepet burimi i krijimit. Megjithëse data e krijimit për këtë apartament është viti 1996, deklarimi krijon dyshime nëse është apartamenti ekzistues i rideklaruar me vlerë tregu, apo është apartament i ri meqenëse dhe sipërfaqja ndryshon.

Në vitin 2009 bashkëshortja e subjektit deklaron dhuratë ‘cash’ nga prindërit në shumën 1,5 milionë Lekë, për blerjen e një apartamenti. Si flamur i kuq identifikohet edhe huamarrja në vitin 2009 në shumën 20 mijë euro, e cila mbahet ‘cash’ dhe përdoret pjesërisht në vitet në vijim. Në vitin 2010 subjekti ka shitur një automjet, pronësinë e të cilit nuk e ka deklaruar në deklaratat e mëparshme.

Gjendja e akumuluar cash me datë 31.12.2017 është 7,377,616 lekë, ndërkohë që sipas nenit 4/1 të ligjit Nr.9049, datë10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” i ndryshuar, kufiri i lejuar për t’u mbajtur Cash është 1,500,000 lekë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb