Ajo çfarë po ndodh aktualisht në “Prestige Resort” është një nga situatat më absurde që mund të shihni. Përfaqësuesit e shërbimit social shtetëror, të ndihmuar nga policia, kanë hyrë me forcë në ambientet e brendshme të resortit, duke hapur derën me kaçavidë, e duke krijuar menjëherë një kordon policie.

Ata kanë kërkuar që media të largohet dhe të mos transmetohet ajo çfarë po ndodh në mënyrë të paligjshme dhe pa asnjë vendim gjykate apo nga Përmbarimi.

Por ndërsa brenda ambientit të resortit privat ndodhet përfaqësuesja e qeverisë me vartësit e saj, ajo ka kërkuar që njëri nga pronarët apo përfaqësuesit e tyre të futen brenda, por pa praninë e medias.

“Një, apo dy nga pronarët ose përfaqësuesit e tyre, të vijnë brenda nëse duan”, u shpreh ajo, duke pranuar kështu se “Hysenbelliu Group” është pronar i këtij biznesi.

Nuk ka munguar as ironia e avokatit të “Hysenbelliu Group”, Erjon Kanxheri.

“Po pse të vijmë 2 ne? Ju jeni 5? Futuni ju 2 dhe ne 5 atëherë? Sapo e pranove vetë që ne jemi pronarët. Tani çfarë e keni këtë polici këtu sikur po ndodh nami? Nga ne s’ka asnjë shenjë dhune, për çfarë duhen?!”, u shpreh ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb