Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar historinë 30-vjeçare të Gjykatës Kushtetuese me shkëlqime deri në të lavdishme dhe me njolla të pajustifikueshme.

Ai hodhi akuza ndaj opozitës se përdor Gjykatën Kushtetuese duke e thërritur “në ring, vend e pa vend”, teksa theksoi se ajo “shtrëngohet në debate që janë të penduara nga presioni politik indireket ose jo”.

“Gjykata eci në një lloj xhungle postkomuniste. Sot përgjatë qenies së saj 30-vjeçare është një ngrehinë me dritë dhe hije. Me vula vendimesh të diskutueshme, me shkëlqime deri në të lavdishme dhe me njolla të pajustifikueshme.

Është krijuar një përshtypje e vrazhdë se gjithë aktiviteti i kësaj gjykate konsiston në një kalim pasash mes saj dhe Kuvendit. Dhe së fundmi deri para pak kohësh më presidentin, kthime, gjysmë kthime, vendime për rishkrime, ligje në fokus të debatit mes forcave politike, në pritje të një arbitrazhi që ndonëse me konture juridike, përqendrohet në arsyetime politike, apo ndonjëherë mjaftohet me thjesht me balancime politike.

Këtu nuk është faji i Gjykatës Kushtetuese, por shpërdorimit të saj dhe tollovitjes nga aktorë të tretë, që i arratisen përgjegjësive të tyre duke mos gjetur konsensus as, rrugë të ndërmjetme për t’u marr vesh, por thërrasin në ring, vend e pa vend Gjykatën Kushtetuese.

Shtrëngohet në debate që janë të penguara nga presioni politik, i drejtëpërdrejt ose indirekt, me vendime që ndonjëherë janë drobitëse për ata që i lexojnë deri në fund, duke mos arritur ekuilibrin e artë, që duhet të frymëzojë Gjykata Kushtetuese.

Nuk mund ta shmang dot një eveniment të ri dhe të ditëve të fundit, unik në tërësinë e veprimtarisë politike të këtij vendi, goditja në Gjykatë Kushtetues nga parti politike e një vendimi qeverie në zbatim të një ligji të kaluar të Kuvend, për të ndëshkuar abuzimet me lejet e ndërtimit nga ndërtues që në papërmbajtësinë e tyre e kanë bërë të pamundur mosndëshkimin përfundimtar.

Që një vendim qeverie të çohet në Gjykatë Kushtetuese është një akt që të lë pa fjalë, por që një vullnet politik të ngrihet kundër një vendimi qeverie për të marrë në mbrojtje këta shkelje haptazi të ligjit është kulminacion i ri.

Si mund të vetëdijesohemi që jo çdo konflikt duhet të zgjidhet nga Gjykata Kushtetuese, dhe si mundet që të evitojmë që duke iu adresuar asaj për shumë gjëra, të mos kontribuojmë dhe të mos e vëmë në pozitën për të kontribuar në tejzgjatjen e mahijses së konflikteve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb