NË SHËNJESTËR/ PJESA E DYTË

Është pak e çuditshme për të kuptuar se si një 37-vjeçar si Iljaz Çali kish mundur të fitonte një licencë minerare. Po aq sa, se si kish mundur të vinte një pasuri jo pak të vlerësueshme në fare pak vite.

Sipas asaj që ka mësuar ‘Në shënjestër’, Iljaz Çali kishte vetëm pak ditë që kishte rimarrë në zotërim minierën e kromit.

Ai e kishte filluar aktivitetin në vitin 2011, kur bashkë me vëllain e tij kishte pasur një galeri kromi.

Por për shkak të problematikave të krijuara gjatë kësaj kohe ishin detyruar që ta jepnin në përdorim minierën.

Çali thuhet se e kontrollonte kompaninë ‘Mineral Invest’, të themeluar në vitin 2013, me objekt nxjerrjen, përpunimin, shfrytëzimin e mineralit të kromit dhe eksportimin e tij, përmes vëllai të tij Medi Çali.

Ndërkohë që gjatë vitit 2015 ai mori 40 % të aksioneve në këtë kompani. Në vitin 2018, ai u largua sërish, duke ia lënë kompaninë po të vëllait të tij.

Ndërsa lidhur mbi Rrahim Dedjen, ai mësohet se më parë ka qenë administrator i kompanisë ‘Brisel’, e njohur ndryshe edhe si kompania me humbje të konsiderueshme minatorësh, për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë në punë.

Por ndërsa Medi Çali u rezervua të fliste për shumën që Rrahim Dedja i kishte vëllait të tij, duket se Zeqir Çali, vëllai tjetër i Iljaz Çalit, u tregua më i drejtpërdrejtë në gishtin e akuzës.

Ai tha në hetuesi se Iljazi dhe Rrahimi kishin një debat të fortë lidhur mbi borxhin që ky i fundit i kishte që sipas Zeqir Çalit, shkonte në 1 milionë dollarë.

Zeqir Çali

“Ne dyshojmë te borxhliu, pasi na kishte 1 mln dollarë, për shkak të 240 tonë krom”.

Por ndërsa drejtësia nuk ka ende një emër se kush qëlloi mbi Iljaz Çalin dhe përse ai u ekzekutua natën e 3 prillit 2022, është me interes për të parë edhe sfondin e errët të së shkuarës së Iljaz Çalit. Ajo që e shoqëronte jashtë galerive të minierave ku ushtronte aktivitetin si biznesmen. Një aspekt deri më sot i pasqaruar plotësisht, por që na çon edhe në lidhjen e tij me fije dhe personazhe të përfolur në ngjarje të ndryshme kriminale.

Një nga këto ngjarje është edhe grabitja e madhe e Rinasit, në korrik të vitit 2016.

Ku banesa e Iljaz Çalit në Vorë ishte ndër të parat që u kontrollua nga policia.

Në atë kohë blutë nuk dhanë shumë sqarime pse pikërisht u gjendën për kontroll në banesën e Iljaz Çalit.

Ndërkohë që në banesën e tij në vend të parave apo gjurmëve të Rinasit, policia gjeti 682 rrënjë kanabis sativa. Ndërsa në mungesë të Çalit, procedoi nënën e tij, Xhemilen. Por siç e theksuam më lart, Çali kishte lidhje të forta me ata që në botën e krimit, njihen si çunat problematikë.

Një ndër miqtë e tij duket se ishte edhe Gentjan Bejtja, një personazh i lidhur me shumë ngjarje të rënda.

Pre, gjithashtu e atentateve me eksploziv të armiqve të tij, të cilëve u kishte shpëtuar paq. Por që mbi të gjitha do të mbahet mend si njëri nga njerëzit që piu kafe me Enver Stafukën, pak minuta para se ky i fundit të rrëmbehej dhe të zhdukej pa gjurmë në mes të Fushë-Krujës, mbrëmjen e 8 shkurtit 2015, ku Gentjan Bejtja siç shikohet edhe nëpërmjet legjendës së videos dallohet teksa zbret nga makina fill pasi aty ka ardhur miku i tij Enver Stafuka dhe ‘i Forti i Niklës’ Durim Bami.

Pamje të cilat siç shikohet janë transmetuar ekskluzivisht edhe në emisionin ‘Në shënjestër’. Gentjan Bejtja që rrëfeu në polici edhe bisedën e tij të fundit me Iljaz Çalin për të cilin nuk dihet se cilat ishin fijet që i lidhnin.

Gentjan Bejtja, mik i Iljaz Çalit

“Tri apo katër ditë përpara se të vritej, kam qenë në shtëpinë e Iljas Çalit për vizitë bashkë me gruan dhe fëmijët. Flisja me të vazhdimisht. Për herë të fundit kam shkëmbyer mesazhe me të, një orë përpara se të vritej.

Iljasi me dërgoi një video fetare dhe më shkroi: ‘Dëgjoji se janë fjalë të mëdha’.

Unë i shkrova: “Jam tu nejt në shtëpi” dhe i dërgova një foto nga telenovela e Ertugrulit”.

Siç do të pohonte edhe Gentjan Bejtja, Iljas Çali i ishte shprehur se minierën e kishte marrë sërish në zotërim, por nuk kishin biseduar më gjatë.

Gentjan Bejtja

“Më tha që ‘e kam marrë vetë minierën’. Lajmin e vrasjes e mësova nga televizori. Në varrimin e Iljasit nuk shkova, sepse unë kisha miqësi me të, por nuk kisha lidhje aq të forta me familjen e tij”.

Alibia e tij për të mos shkuar në varrimin e mikut, me të cilin kishin hyrje dalje familjare nuk iu është dukur e besueshme hetuesve.

Duket se ai nuk shkoi për t’i dhënë lamtumirën e fundit Iljas Calit, për të shmangur kontaktet me disa personazhe të tjera nga Nikla, që gjendeshin në atë varrim,

Ku siç thuhet Bejtja ka konflikte dhe përplasje të lindura kohët e fundit.

Po ndërsa familja po i jepte lamtumirën e fundit të afërmit të saj, nga ana tjetër policia vijonte me marrjen e dëshmive. Personi i fundit që e kishte lënë për t’u takuar me Çalin natën e vrasjes ishte një i njohuri i tij i fëmijërisë, por takimi nuk u krye.

Ndërsa Çali u qëllua nga një makinë në lëvizje në rrugën dytësore të autostradës Tiranë-Durrës, vetëm pak çaste kishte shkëputur komunikimin me mikun e tij, ku autorët thuhet se e kishin ndjekur nga pas dhe 3 gëzhoja u gjetën në vendin e ngjarjes.

Shoku i fëmijërisë

“Iljasi nuk ruhej. Ai nuk kishte shfaqur as shqetësime. Unë lëvizja vazhdimisht me të. Madje e kishim lenë të takoheshin bashkë atë dhe mbrëmje, por unë duhet të çoja fëmijët te gjyshja”.

Edhe pse nuk ka ende një autor të dyshuar mbi ngjarjen, policia po vazhdon të hetojë disa pista lidhur mbi ekzekutimin e Iljas Çalit, ku pista më e fortë mbi krimit mbetet lufta për kromin.

Një luftë e përgjakshme që duhet thënë se ka marrë shumë jetë njerëzish jo vetëm brenda por mbi të gjitha jashtë galerive.

Aty ku interesat janë edhe më pranishme dhe kanë çuar në eliminime të kohë pas kohshme dhe rivalitet që po prodhon gjak dhe dhunë të përzier me krom.

Një tjetër pistë, është konflikt për një pronë, për të cilën siç thuhet nga hetuesit kishte interes një personazh i shumëpërfolur i botës së krimit.

Kontaktet telefonike të viktimës janë duke u verifikuar nga hetuesit, por siç thuhet në dosje, ai fliste pak dhe rrallë.  Por pavarësisht kësaj në celularin e Iljas Calit janë zbuluar kontakte me njerëz të botës së krimit, të cilët janë duke u hetuar si të dyshuar për vrasjen.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb