Të paktën një orë aktivitet fizik në ditë është i nevojshëm për të riparuar dëmet në turpin tonë kur qëndrojnë ulur në tavolinë për tetë orë me radhë.

Ky është përfundimi i arritur nga një grup kërkuesish ndërkombëtarë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) pak kohë më parë lëshoi një udhëzim për t’i bërë ballë rrezikut të jetës sedentare ku këshillonte që të kryhen 150 minuta stërvitje në javë.

Por Shëndeti Publik në Angli, pasi analizoi të dhënat e rreth 1 milion personave, arriti në përfundimin se kjo sasi për të bërë stërvitje është e pamjaftueshme për shumë individë.

Studiuesit thanë se rreziqet e vdekjes gjatë një periudhe nga 2 deri në 18 vite ishin 9.9% për ata persona të cilët qëndrojnë ulur për tetë apo më shumë orë në ditë dhe janë të angazhuar pak ose aspak në aktivitete fizike, krahasuar me ata që rrinin ulur më pak se 4 orë dhe ishin aktivë për të paktën një orë në ditë.

Por sipas kërkuesve, ata persona të cilët kryenin aktivitet fizik minimalisht një orë në ditë, nuk kishin fare rrezik për të humbur jetën, pavarësisht nëse qëndronin tetë orë mbyllur në zyrë.

Udhëheqësi i studimit, profesor Ulf Ekelund, nga Shkolla Norvegjeze e Shkencave Sportive dhe Cambridge University, tha: “Nuk ka nevojë që të merreni me sport dhe nuk ka nevojë që të shkoni në palestër. Është shumë në rregull nëse bëni një ecje të shpejtë në mëngjes, gjatë drekës apo pas darkës në mbrëmje. Ti duhet që të ecësh për një orë, por mund ta ndash këtë veprim në pjesë”, tha studiuesi norvegjez.

Studimi analizoi të dhënat e 16 studimeve të mëparshme, në të cilat ishin përfshirë kryesisht njerëz me moshë mbi 45 vjeç nga SHBA, Europa Perëndimore dhe Australia.

Autorët arritën në përfundimin se një orë me aktivitet të moderuar stërvitor si p.sh ecje me 5.6 km/h apo pedalim për kënaqësi me 16 km/h, ishin mjaftueshëm sa për të riparuar efektet e të ulurit në trup për një kohë të gjatë.

Sipas Ekelund-it, njerëzit duhet që ta llogarisin më mirë kohën dhe të mos të jenë totalisht të përqendruar te televizioni apo aktivitete të tjera sedentare, por edhe të kujdesen për shëndetin.

Për më tepër që bën mirë edhe një pushim 5-6 minutësh brenda një ore, ku këshillohet që punonjësit të rrinë në këmbë e lëvizin.

Joaktiviteti fizik u kushton qeverive anembanë botës 67.5 miliardë dollar në një vit. (shqip)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb