Një tjetër goditje tregut të drogës në provincën e Frosinones në Itali. Që në orët e para të mëngjesit të sotëm, forcat e rendit në vendin fqinj ndërmorën një operacion të quajtur “Hijet e gjata” që angazhoi rreth 50 agjentë të Policisë së shtetit italian dhe të kuesturës së Frosinones, në bashkëpunim me njësinë e qenve anti-drogë dhe të patrullave të parandalimit të krimit në Lazio.

13 persona janë arrestuar si pjesë e një organizate kriminale për posedim dhe shpërndarje droge, mes tyre italianë, shqiptarë dhe të huaj të tjerë. Por sipas mediave italiane ka edhe gra që kanë përfunduar pas hekurave.

Një pallat i tërë në rrugën “Bellini” në Frosinone ishte transformuar në një supermarket të vërtetë droge, i hapur në çdo orë.

Frosinone

Hetimi kishte nisur në dhjetor të vitit 2015 dhe kishte zbuluar një organizatë kriminale që udhëhiqej nga një grup shqiptarësh, të cilët në fakt kontrollonin një ndërtesë të tërë publike në Frosinone, e destinuar për të shërbyer si një bazë operative për shitjen e lëndëve narkotike të llojeve të ndryshme.
Blerësit, që vinin edhe nga zonat fqinje me Frosinone, e dinin se në çdo kohë të ditës ose të natës, ata mund të vinin lirshëm dhe pa paralajmërim në pallat dhe të blinin çdo lloj droge.

Më popullorja ishte e ashtuquajtura mini dozë kokainë ‘e pjekur’ ose kokainë në formën e duhanit për t’u tymosur, që peshonte 300 miligramë, e shitur për 20 euro; doza e kokainës madje reklamohej edhe me shkronja të mëdha në muret e ndërtesës me peshë dhe çmim.

droga

Brenda organizatës të gjithë kishin detyra të përcaktuara mirë; kishte nga ata që ishin të predispozuar me turne mbikëqyrëse në ndërtesë me detyrën e drejtimit të blerësve dhe dhënien e alarmit në rast të ardhjes së forcave të rendit dhe kishte të tjerë që merreshin me shitjen, paketimin e dozave dhe mbajtjen e llogarive. Furnizimin me drogë e bënin dy shqiptarë, babë e bir që operonin në Romë.

Frosinone droga pallati

Me gjithë ndërhyrjet e përsëritura nga agjentët e skuadrës së lëvizshme, të cilat në flagrancë kanë arrestuar në disa raste shpërndarësit e drogës, bashkëpunëtorët gjithmonë riorganizoheshin, duke modifikuar metodat e shitjes: nga apartamentet kanë kaluar brenda shkallëve, me doza të futura në sirtarët e fshehur prapa bordurave të rreme ose vende të tjera të fshehta.

Furnizimet me bashkëpunëtorët e Romës ishin të vazhdueshme dhe për të minimizuar rreziqet, udhëtimet e furnizimit ishin të përditshme, të kryera me mjete të modifikuara me krijimin e ndarjeve sekrete për të fshehur narkotikët, sasitë e të cilave shkonin mes 100 dhe 500 gramëve në ditë.

Të ardhurat mesatare ditore të organizatës shkonin nga 6,000 deri 8,000 euro, me shumën maksimale që arrinte në 10,000 euro gjatë fundjavave ose gjatë festave të fundvitit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb