Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve, Gazment Bardhi deklaroi se rikthimi i ish-kryeministrit Sali Berisha në PD do të ketë pasoja për këtë parti. I ftuar në emisionin ‘Frontline’ i gazetares Marsela Karapanço, Bardhi tha se një PD në konflikt me SHBA-të nuk mund të jetë kurrë alternativë qeverisëse.

“Nuk thash që nuk quhen të përjashtuar. Por janë ftuar të ulen në grupin parlamentar. Si marr unë vendimet. Unë po shpjegoj se si e kam kuptuar unë qëndrimin e grupit.”, tha Bardhi.

A është zhbërë përjashtmi për këta anëtarë të grupit të Rithemelimit?
Fakti që kryesia dhe grupi i fton këta kolegë për të çuar para PD, nuk do të thotë qe ne i thërrasin dhe i themi ‘ok, ikni tani’. Të gjitha palët të fshijë nga mendja e vetë atë çka ka ndodhur deri në janar apo shkurt të këtij viti.

Do të pranoni në këtë komision edhe Berishën?
Shumica e PD kanë miratuar një qëndrim, i kanë bërë kolegëve tanë apel që të ndikojnë pozitivisht në këtë rast, që zoti Berisha të tërhiqet nga PD. PD ka marrë një mesazh të qartë nga SHBA se rikthimi i Berishës në PD do të ketë pasoja të rënda për këtë parti. Zoti Berisha nisi një sulm të padrejtë ndaj zotit Basha. Rikthimi Berishës në vendimmarrjen në PD, sa kohë ka një paralajmërim publik nga SHBA, se do të sillte pasoja për PD, nuk është në interes të demokratëve. Secili prej nesh përpara se të mendoj qetësinë personale, do të duhet të mendojë interesin e demokratëve. Ky është momenti kur zoti Berisha të kapërcejë veten dhe interesin e vetes për demokratët. Unë nuk dal si mbrojtës i zotit Berisha, por po them se kush është interesi i demokratëve. Zoti Berisha më ka sulmuar, s’ka asnjë problem, është gjykimi i tij. Kam thënë atë që është në raport me situatën në PD. Ajo që arsyetoj është një PD në konflikt me SHBA nuk mund të jetë kurrë alternativë qeverisëse.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb