Një perlë 8 000 vjeçare, prezantuar si më e lashta në botë, do të ekspozohet për herë të parë për publikun duke nisur nga 30 tetori në Luvrin e Abu Dabit, njoftoi sot departamenti i Kulturës dhe Turizmit të emiratit.

Quajtur “perla e Abu Dabit” dhe zbuluar nga arkeologët në ishullin e Marawah, në brigjet e kryeqytetit të Emirateve të Bashkuara Arabe, kjo bizhuteri i përket Muzeut Kombëtar Zayed.

“Ajo do të prezantohet në Luvrin e Abu Dabit gjatë një ekspozite të titulluar “10 000 vitet e luksit” që do të zhvillohet nga 30 tetori deri më 18 nëntor”, sipas një komunikate të departamentit të Kulturës dhe Turizmit.

Analizat e karbonit-14 kanë zbuluar se shtresat shkëmbore nga ku vjen perla datojnë 5 600-5 800 vjet para erës sonë, gjatë periudhës neolitike.

“Zbulimi i perlës më të lashtë në botë në Abu Dabi tregon qartë se një pjesë e madhe e historisë tonë të fundit ekonomike dhe kulturore i ka rrënjët e thella që datojnë që prej fillimit të prehistorisë”, konfirmoi Mohammed Khalifa al-Moubarak, kreu i departamentit të Kulturës dhe Turizmit në një komunikatë.+++

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: