NGA: MIRON ÇAKO*
Përgjatë rrugës piktoreske të bregut të detit Jon, sapo kalon fshatin Dhërmi dhe i afrohesh një tjetër fshati me emrin Ilias, bën një kthesë majtas dhe futesh në një rrugë të vështirë mes një gryke të thellë malesh, e cila mbaron në portën e një manastiri. Në këtë manastir shumë të dëgjuar për zonën, murgëron prej disa vitesh murgu i vjetër at Ksenofondo. Pamja e tij shumë e përzemërt dhe mikpritëse te dera e manastirit të bën shumë përshtypje dhe menjëherë të krijohet ndjenja se ti nuk je i huaj për atë vend të shenjtë dhe je duke takuar një të afërm, edhe pse jo atin tënd.

Jeront, çfarë mund të na thoni për historikun e këtij manastiri?
Fshatarët e Dhërmiut dhe të kësaj zone kanë qenë dhe janë shumë besimtarë. Ata më përpara ndërtonin kisha se shtëpitë e tyre dhe në fshatin e Dhërmiut kemi 45 kisha, por më e dashura për besimtarët është ky manastir, i cili i kushtohet të Tërëshenjtës Mari, për të cilën zona këtu ka një dashuri të veçantë dhe shpresë. Ky manastir mendohet se është shumë i vjetër, ndoshta 700-vjeçar. Tradita që besojnë njerëzit në këtë zonë, thotë se këtu vinte një çoban nga fshati me dhitë e tij. Kur gjatë vapës dhitë rrinin nën hije, ai pa cjapin e kopesë që u largua në një vend 50-60 metra larg. Bariu nuk i dha rëndësi, por të nesërmen cjapi përsëriti të njëjtin veprim. Bariu e ndoqi nga pas dhe pa që cjapi po pinte ujë në një pellgaçe. Në atë vend nuk kishte ujë, ishte vend i thatë. Bariu shkoi dhe në atë pellgaçe që pinte cjapi, ai pa një ikonë të Tërëshenjtës Mari të gdhendur në një pllakë guri. E mori me vete ikonën e vendosi në torbën e tij dhe shkoi drejt fshatit. Në vendin ku quhet vendburimesh, ndaloi për t’u çlodhur dhe kërkoi në torbë ikonën, por nuk e gjeti. Ishte vonë dhe nuk u kthye më për ta kërkuar. Të nesërmen shkon përsëri në vendin ku e gjeti ikonën dhe u çudit kur e pa aty. E merr përsëri dhe e vendos tek dritarja e shtëpisë që të nesërmen ta çonte te prifti, por kur ngrihet në mëngjes, ikona nuk ishte aty. Të nesërmen e rigjen përsëri në po atë vend ikonën ku e pa ditën e parë. Kështu ai e kupton që kjo është një mrekulli nga Panagjia (shën Maria). Bisedoj me epitropin, priftin dhe i gjithë fshati shkoi në vendin ku u gjet ikona duke bërë litani. Aty më vonë u ndërtua një si kishëz e vogël dhe pastaj një kishë më e madhe rreth 250 vite më parë siç mbajnë mend fshatarët. Por, në atë vend kishte themele të një kishe më të vjetër, mbi të cilën u ndërtua kisha e re, këto themele dhe dhomat si qeli me harqe prej guri mund të shikohen edhe sot. Kisha aktuale sot është e ndërtuar në stilin mbretëror, ka një gjatësi 11 metra, 5 meta e gjerë, 4 metra e lartë. Në derën e kishës, e cila është e rindërtuar, gjendet i gdhendur një mbishkrim që daton vitin 1916.

Jeront, Stavrill çfarë kuptimi ka?
Stavrill vjen nga fjala ‘stavros’ (kryq) dhe do të thotë kryqëzim rrugësh. Ky manastir gjendet në kryqëzimin e rrugëve në këtë vend.

Kush kujdesej për këtë manastir, mbani mend ndonjë?
Historitë e njerëzve këtu thonë se në këtë manastir kanë shërbyer thuajse para 200 vitesh gjashtë kallogjerë së bashku me një prift. Manastiri ka qenë i pasur dhe njerëzit duket dhuronin edhe para që në atë kohë ishin flori, argjend. Një djalë nga fshati me emrin Jorgo vinte shpesh në manastir dhe murgjit e ndihmonin, por një ditë banorët gjetën në manastir të masakruar dhe të vrarë të gjashtë kallogjerët. Duket kishin ardhur hajdutët dhe mbasi i kishin torturuar për të nxjerrë florinjtë, i kishin vrarë. Hajdutëve, që kishte pasuri në manastir, ia kishte treguar Jorgo T… Kjo u zbulua në këtë mënyrë. Jorgo shkoi dhe i pa të gjashtë të vdekurit, por prifti (jerondi) nuk kishte dhënë shpirt. Edhe ai e vuri re Jorgon dhe i tha: Si na tradhtove kështu dhe e mallkon duke i thënë: mos mbiftë farë në sojin tënd? Para 70 vitesh vdiq i fundit i këtij fisi dhe ata vërtetë u zhdukën si fis. Më vonë në këtë manastir erdhi një vajzë nga Dukati Eleni Lekaj. Ajo në moshën 17-vjeçare ishte e fejuar dhe priste të martohej, por iu shfaq një sëmundje e pashërueshme, i binte të fikët. Prindërit po prisnin të shërohej dhe ta martonin. Një banore e Dhërmiut interesohet për vajzën dhe u thotë prindërve të saj që ta sjellin vajzën në manastirin tonë në Stavrill. Vajza u bë mirë dhe mbasi qëndroi 2-3 ditë, u kthye në Dukat që të martohej. Por sa shkoi në shtëpi po atë pasdite i ra përsëri të fikët. Ajo tha: “Vendi im është aty, në manastir”. Problemi ishte si do të rrinte ajo vajzë e re në atë vend të shkretë. Por në fillim e shoqëronin njerëzit e familjes dhe pastaj gra nga fshati derisa ajo u rrit dhe u bë burrneshë dhe qëndronte edhe vetë në manastir si e përkushtuar. I shërbeu këtij manastiri për gati 50 vjet. Edhe unë e mbaj mend kur vija dhe i thosha “o mana kallogre”. Ajo na përgjigjej “zoi, o jetë”. Ajo e folura e saj më ka mbetur në mendje. Një tjetër i përkushtuar që ka shërbyer në këtë manastir ishte dhe at Jani. Ai ishte murg te shën Theodhorët, kur manastiri u kthye në repart ushtarak në bashkëpunim me rusët. Ai erdhi në këtë manastir, shërbeu deri në fund të jetës dhe në moshën 63 vjeç vdiq. Në hyrje të kishës gjendet edhe varri i at Janit. Në këtë manastir ka shërbyer edhe një grua nga Dhërmiu, Beço Lekushaj. Ajo kishte një vajzë të sëmurë dhe i kërkoi shën Spiridhonit në Korfuz, që në qoftë se ia shëronte vajzën, do të shkonte të shërbente në Stavrill dhe ashtu bëri derisa u mbyllën kishat. Në vitin 1967 kisha dhe manastiri u mbyll, por njerëzit nuk pushuan së ardhuri edhe fshehtas. Atëherë pushteti komunist vendosi ta hidhte në erë.

Dërguan një njeri nga fshati, të cilin e urdhëruan. Ai i gjori nuk kishte faj. E iu lut Tërëshenjtës duke i thënë: “Të më ndjesh se më kanë detyruar, mos më dëno”. Vendosi dinamitin, i cili mund ta hidhte të gjithë kishën në erë, por kur shpërtheu, bëri vetëm një vrimë të vogël te gunga e Kishës, poshtë ikonës së shën Marisë. Kur panë se nuk u prish, e lanë ashtu siç ishte. Pushteti filloi t’i përdorte tokat e manastirit duke mbjellë fasule, patate etj. dhe kërkonte të mblidhte ujin, që ishte i bollshëm në atë vend dhe ta çonte në fshat. U bë një investim për gati tre vite, u sollën tuba, u ndërtua një cisternë e madhe që të mblidhte ujin dhe pastaj ta çonin në fshat në Dhërmi. Por një banore e fshatit guxon dhe iu thotë: “Nuk keni për të marrë një pikë ujë nga ky vend” dhe vërtet kur shkuan dhe panë cisternën, e gjetën bosh. Kur shkonin gratë e fshatit pasdite për t’u larë, puseta kishte ujë, kurse kur shkonin inxhinierët, ujë nuk gjenin. Kështu u tërhoqën të turpëruar dhe u realizua fjala e asaj gruaje besimtare: “Që nga ky vend nuk do merrni asnjë pikë ujë”. Njerëzit gjithmonë vinin dhe luteshin në këtë vend, sidomos gratë. Gjatë kohës së komunizmit në këtë vend vinte edhe një bari, me emrin Bao. Kishte një emër të frikshëm sa gratë e fshatit ua përmendnin fëmijëve për t’i frikësuar duke iu thënë: “Rri urtë se të erdhi Bao”. Ai ishte një njeri i lig, atë e kishin vënë të spiunonte kur vinin gratë. Një herë në këtë vend erdhi motra e nënës sime, Fotini Bifsha. Ajo kishte ardhur me disa gra për t’u lutur. Madje kishte dhe një hall të madh, vajza e saj kishte kapërdirë një gjilpërë dhe rrezikonte jetën dhe ato erdhën t’i luteshin Panagjisë që ta ndihmonte. Bao iu hidhte gurë nga larg për t’i trembur. Atëherë Fotinia u ul në gjunjë, ngriti duart lart dhe tha: “U mbytsh me një lugë ujë dhe mbas tri ditësh të të gjejnë”. Të nesërmen Bao, u ndez nga vapa dhe shkoi të lahej në det. Por nuk doli prej andej, e gjetën pas tri ditësh ashtu siç u mallkua dhe ishte mbytur në një vend të cekët, ku edhe një fëmijë nuk mbytej dot. Mbas disa ditësh i doli në ëndërr vëllait të vet, i cili nuk ishte njeri i keq. Ai i thotë: “More Bao, si u mbyte ti dije dhe not?”.

Bao i thotë: “Doja të dilja po plaku me shkop nuk më linte të ngrija kokë”. Duket ishte shën Kolli, i cili ka edhe një kishë në breg të detit. Gjatë kohës së ateizmit komunist në kishën e braktisur vinin shumë besimtarë dhe janë bërë shumë mrekulli. Mbaj mend që erdhi një herë një burrë me prejardhje hebreje nga Vlora. Kishte vajzën shumë të sëmurë, erdhi fshehtas dhe gjatë gjithë natës lutej dhe shkruante nëpër mure emrin e vajzës. Dhe kur shkoi në shtëpi, vajza u bë mirë. Një tjetër mrekulli ka ndodhur në këto rrethana: në spitalin e Elbasanit ishte shtruar një grua, rreth 40 vjeçe, me kancer në gjoks. Ajo ishte një grua e kulturuar dhe priste të vdiste. Kishte një djalë dhe ishte shumë e mërzitur dhe mendonte për të ardhmen e djalit. Papritur në dhomë i shfaqet një infermiere me bluzë të bardhë dhe i thotë: “Pse je e mërzitur? – I përgjigjet – Do të vdes dhe jam e shqetësuar për djalin, se burri edhe martohet, po ai çfarë do të bëjë?”. Infermierja i thotë: “Nuk ke për të vdekur, do bëhesh mirë dhe kur të dalësh që këtej, të më vish të më takosh”. Gruaja i përgjigjet: “Ku të vij të të takoj”? Infermierja i përgjigjet: “Unë e kam shtëpinë në një grykë mali, në fund të asaj gryke jam unë’. Dhe gruaja duke ulur sytë poshtë dhe duke menduar se ku mund ta kishte shtëpinë kjo infermierja, kur ngriti sytë nuk e pa më në dhomë. Mendoi se kishte dalë. Në atë kohë në derën e pavionit hyn një grua nga fshati dhe e sëmura e pyet ku shkoi infermierja? “Çfarë infermiere po thua? Këtu nuk ka pasur asnjë infermiere përveç meje”. Atëherë e sëmura u shqetësua dhe i tha: “Po ishte një infermiere që më tha se e kishte shtëpinë në një grykë mali”. Atëherë gruaja që ishte nga Dhërmiu, u ndriçua dhe e kuptoi që ishte shfaqur shën Maria dhe i tha që “të çoj unë në shtëpinë e saj. Dhe ti nuk ke për të vdekur, sepse të është shfaqur vetë Panagjia që ka shtëpinë (manastirin) në fshatin tonë”. Vërtet ajo grua filloi të përmirësohej çdo ditë dhe doktorët bënin çudi me atë. Kur doli nga spitali, erdhi dhe këtu në Stavrill, u lut dhe falënderoi. Mbas viteve 1990 ajo emigroi për në Itali. Edhe kur ishte në Itali, vinte gjithmonë këtu dhe iu tregonte të gjithëve çfarë kishte bërë e Tërëshenjta me atë. E shumë mrekulli të tilla janë bërë në këtë vend që nuk do të dilte koha t’i tregonim.

Por çfarë ndodhi me këtë manastir pas viteve 1990?
Në këtë manastir erdhën dhe u vendosën një familje nga veriu, të cilët rrinin në konakët e manastirit. Kisha u rindërtua dhe besimtarët vinin gjithmonë, sidomos ditën e panairit, dmth. festën e Burimit Jetëdhënës të Premten e Ndritshne. Por në manastir nuk kishte një njeri që të shërbente si murg derisa erdha dhe vendosa unë, me hirin e Zotit.

Jeront, mund të na thoni diçka nga jeta juaj në lidhje me manastirin dhe si filluat jetën murgjërore?
Unë biri im kam lindur nga prindër besimtarë dhërmiotë Jorgji dhe Amalia Martino, në 13.11.1935. Në këtë kishë kam ardhur që i vogël, 5-6 vjeç me të afërmit e mi. Pas vitit 45, familjes sonë i filluan peripecitë sepse babai im u arratis për çështje nderi dhe neve pas kësaj na internuan familjarisht si armiq të pushtetit komunist në Kamëz, afër Tiranës dhe qëndruam nga viti 1949-1951. Ishin vite të vështira dhe kur u kthyem prej andej, gjetëm të gjithë pasurinë të shkatërruar, theksoj që kishte mbetur në këmbë vetëm një rrënjë ulliri. Ishim një familje jo e pasur, por që jetonim një jetë normale. Të gjitha këto siç thashë, me ullishta, portokaj, bagëti nuk i gjetëm më kur u rikthyem se na i kishin konfiskuar dhe jeta u bë shumë e vështirë, në uri të plotë. Unë u detyrova të bëhem çoban i fshatit dhe kështu fshatarët më jepnin një copë bukë dhe ndonjë ndihmë. Në atë kohë unë i sillja bagëtitë çdo ditë këtu në manastir që të pinin ujë, por sepse aty takoja dhe kallogrenë, nënën Eleni Leka, e cila më ndihmonte me bukë. Ishin vitet që unë u lidha kaq shumë me këtë vend dhe më hyri një dashuri e madhe sa vendosa të bëhem murg, por isha shumë i ri, pa përvojë dhe familja nuk donte. Pastaj një njeriu im, Sorillaq Bifsha më mori në Tiranë. Ai më ndryshoi jetën duke më nxjerrë nga varfëria e mjerueshme. Isha në moshën 17-18 vjeç dhe u futa në ndërmarrjen e “21 Dhjetorit” në kombinatin “Stalin”. Por edhe aty më pushuan nga puna se e kisha biografinë e keqe.

Pastaj shkova ushtar, nga viti 1954-1956 dhe kam punuar në brigadën e punës. E kam kaluar me shumë vështirësi atë kohë, sepse na detyronin të bënim punë të rënda, të hapnim kanale, të mbanim trupa, me ushqim të pakët Perëndia më ka ruajtur. Në vitin 1957 miku i familjes më këshilloi të shkoja në Ulëz, ku atje kishte punë se po bëhej hidrocentrali “Karl Marks” dhe ashtu bëra. U futa në brigadën e ofiçinës si xhenerik. Më vonë mora edhe patentën për shofer dhe qëndrova aty deri në vitin 1958. Pastaj u transferova në Tiranë dhe kam punuar në kombinatin NSHPMN, më vonë kombinati Josif Pashko. Mora edhe pashaportizimin në Tiranë. U martova me një grua nga zona, fshati Iliaz me emrin Aneta Tasho Bifsha. Në vitin 1962 më internojnë përsëri në Lushnjë bashkë me gruan, që ishte shtatzënë dhe djalin e madh. Atje qëndruam 8 vite dhe ishin kohë shumë të vështira. Në vitet 1970 u ktheva te vjehrra, qëndruam atje një vit, por vjehrrës i bënë presion se mua më shikonin me biografi të keqe kështu që ikëm nga shtëpia e saj dhe pavarësisht se unë kisha pasaportizimin në Tiranë, më çuan në Kamëz, vendi i internimit për njerëz me biografi të keqe, sipas partisë. Dhe kështu vazhdoi kalvari i vuajtjes për familjen time, gruan dhe fëmijët, dy djem dhe dy vajza.

Të gjitha vitet e internimit së bashku shkojnë 32 vite dhe deri në 1990 kemi bërë një jetë të vështirë. Kam bërë çdo lloj pune me ndershmëri dhe përpiqesha të mbaja familjen, dmth. gruan me katër fëmijë. U plagosa në jetë edhe nga humbja e djalit të dytë 18 vjeç, i cili më vdiq aksidentalisht. Pastaj emigruam në Greqi deri në vitet 2008. Kam punuar në Greqi si kishtar për gati 18 vite në Kishën e shën Nikollës, Filopapu Athinë. Në atë vit më 14.7.2008 më vdiq edhe gruaja. Për gati 15 vite ajo bënte dializë, i kam shërbyer gruas se e doja dhe ishte një grua e rrallë. Në vitin 1999 shkova dhe në Amerikë bashkë me gruan se aty kam djalin, i cili u përpoq të bënte një transplant veshkash, por ishte e pamundur kështu që u kthyem përsëri në Greqi, deri në atë vit që ajo vdiq. Dëshirën time që të vija në Stavrill dhe të jetoja si murg ia shfaqa në fillim vetë gruas. Unë i thashë në qoftë se vdes unë, ti je mirë, ke gocat, djalin, ke një shtëpi të mirë edhe të ardhura pensionin, por në qoftë se vdes ti më parë, unë do të iki në manastir. “Jo – më tha – se do të vuash, se ti nuk di të mendosh për veten”. Isha në moshën 73 vjeç. Mbasi më vdiq gruaja, mora vendimin të shkoj në Stavrill dhe kështu bisedova me priftin at Eftimi dhe me epitropin Stefo Dushi. Prifti vendimin tim ia parashtroi Mitropolitit të Gjirokastrës, Hirësi Dhimitrit, që e kam takuar në datën 13.11.2009. Kjo datë më kujtonte ditën time të lindjes dhe ndoshta ishte rastësi, por dorëzimi im si murg nga mitropoli Dhimitër u bë në 13.11.2011. Patjetër që këto tri data që korrespondojnë me njëra-tjetrën, unë i kam marrë si shenjë nga e Tërëshenjta “Panagjia”, si një rilindje për mua dhe bekim i saj, që unë i pavyeri, t’i shërbej këtij manastiri deri në fund të jetës, ashtu siç kisha vendosur në rini. Amin! – Bekimin jeront. – Paç bekimin e Zotit e të Panagjias. (E Tërëshenjta Shën Mari) – Krishti u ngjall! – Vërtet u ngjall!
(ed.me/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: