Nga: XHEVAT MUSTAFA *
Shumica e qytetarëve të thjeshtë, me të ardhura të pakta nga pagat e pensionet apo nga bizneset e vogla, gjatë 18 muajve të parë të qeverisjes nga koalicioni PS-LSI apo nga ekipi Rama-Meta, kanë përjetuar një realitet tronditës e stresues, shpresë e besim-vrasës. Jo pak prej tyre përpiqen të bëjnë analizën e të gjejnë përgjigjen se përse ndodh kështu me ta dhe vendin e tyre, se po përjetojnë mallkim dhe ndëshkim të merituar për mëkate të paraardhësve të tyre apo për gjynahe fare të freskëta të atyre vetë. Tradita dhe përvoja i shtyn të mendojnë si më të mundshëm një skenar me autorë dhe regjisorë demonë nga Blloku enverian e ramizjan, i cili, jo rastësisht gjatë këtyre 18 muajve ka përjetuar rilindje shumë më tepër se e gjithë Shqipëria. Gjithë çka ka ndodhur në Shqipëri gjatë këtyre 25 vjetëve, vrapimi i çmendur drejt demokracisë dhe lirisë pa kufi për të gjitha pisllëqet, krimet dhe llojet e korrupsionit; pasurimi marramendës dhe i pakontrollueshëm i bosëve të politikës dhe të trafiqeve kriminale; rrënimi tsunamik i 1997-ës; kapja e shumë institucioneve të rëndësishme të shtetit e të qeverisjes nga krimi i organizuar; shndërrimi në praktikë të përditshme të porositës-vrasjesh e të ekzekutorëve me pagesa qindra mijëra euro etj., të shtyjnë të mendohet si pistë e parë ky skenar. Edhe pse nuk mund t’i referohemi kopjes origjinale, qëllimi i tij i parë mund të formulohet afërsisht kështu: pas rënies apo vdekjes së tyre, Shqipëria dhe shqiptarët të pandehin se janë futur në demokraci e në Evropë e të enden me dekada të tëra në një model hibrid sistemi, shteti, ekonomie dhe politike, që të mundësojë kalimin e pushtetit politik e më pas edhe të atij ekonomik nga gjyshërit dhe baballarët te bijtë e bijat, nipërit dhe mbesat, nuset dhe dhëndurët e Bllokut. Fakti që edhe sot e kësaj dite nuk është miratuar e zbatuar ligji për hapjen e dosjeve dhe i lustracionit; që në nivelet më të larta të kryesive të partive kryesore, të qeverisjes e të shtetit, i gjen me bollëk trashëgimtarët apo pasardhësit e zyrtarëve më të lartë të nomenklaturës komuniste; zyrtarët me lidhje nga veprimtaria vetjake apo nga trashëgimia prindërore me famëkeqin Sigurim të Shtetit, shpreh dhe konfirmon se ky qëllim është realizuar me nivel të lartë suksesi. Qëllimi i dytë mund të jetë ndoshta në këtë formë: hapat e vegjël dhe fasadat e përparimit, mirëqenies, demokracisë dhe modernitetit, duhet t’i mbajnë shqiptarët ashtu siç kanë qenë edhe para 100, 50 apo 25 vjetëve, ndër më të varfrit në të gjithë Evropën, të paaftë apo të pafuqishëm për të konkurruar me fuqi ekonomike, prodhuese, tregtare, turistike, ushtarake…, interesat gjeostrategjike të vendeve fqinje, kryesisht të Greqisë e Serbisë dhe më larg, të Rusisë.
Mund të mendohet dhe thuhet se sipas këtij skenari u nxitën dhe lejuan lëvizjet popullore antikomuniste më 1990-1992; institucionalizimi i pluralizmit dhe krijimi i partive me emërtime, programe dhe slogane marramendëse si dhe me liderë që duhej të reklamoheshin dhe respektoheshin si antikomunistë të përbetuar, edhe pse në të vërtetë nuk kishin qenë shumë larg apo krejt pa lidhje me Bllokun apo me të “shkuarën”.
Nuk mund të mohohet se rryma e lumit të kohës dhe avantazhet e padiskutueshme të demokracisë si sistem; dashamirësia dhe mbështetja e SHBA-ve dhe BE-së; shkalla e lartë e inteligjencës së lindur që na karakterizon si komb, për të kapërcyer “dete” edhe kur nuk di not; shtyu jo pak përpara edhe Shqipërinë dhe shqiptarët. Çdo krahasim me 1990-ën nxjerr dhe konfirmon epërsinë e padiskutueshme të sistemit të demokracisë mbi atë të diktaturës komuniste, enveriano-ramiziste. Por shumica e shifrave që shprehin nivelet e vërteta të përparimit, të zhvillimit ekonomiko-shoqëror, të mirëqenies (të të ardhurave për frymë, pagave, pensioneve, të konsumit…) nuk japin arsye dhe mundësi të kundërshtohet e vërteta tronditëse dhe zhgënjyese: edhe sot e kësaj dite, në mes mars 2015, Shqipëria dhe shqiptarët janë ashtu si më 1912, 1939, 1944, 1990, ndër më të varfrit në Evropë. Ky fakt i nxit dhe kurajon enveristët e pandryshueshëm të përrallisin me zë në rritje se “ishim më mirë në kohën e tyre, se atëherë kishim rend e qetësi; një vend pune sa për një copë bukë e djathë…” Gjithnjë sipas tyre, “tani nuk kemi as rend e as qetësi e siguri; as punë dhe pensione të plota; por kemi me bollëk bosë biznesesh dhe politikë me pasuri dhe saraje sulltanësh apo sheikësh; banda politike dhe ordinere që të vrasin me tritol, kallashnikovë dhe pistoleta me silenciatorë natën dhe ditën; që bëjnë edhe në mes të kryeqytetit dhe parlamentit plane dhe pazare të pista e kriminale…”.
Edhe në intervistën në “Opinion” të TV “Klan”, në mbrëmjen e 5 marsit 2015, kryeministri Edi Rama rishprehu se i shkaktonin “alergji” dhe nervozizëm shifrat e pakëndshme, që dëshmojnë se “Rilindja” është vetëm një përrallë elektorale e se qeverisja e majtë e pas 23 qershorit 2013 u vetëkonsumua apo vetëturpërua për keqqeverisje apo paaftësi, për korrupsion dhe ortakëri me bosët e trafiqeve e të krimit qysh në 18 muajt e parë. Por shifrat u duhen rreth 4 milionë qytetarëve shqiptarë në vend e në emigracion, përfshirë edhe ata rreth 1 milion të pretenduar si të gjithë votues me zemër e bindje për PS-LSI, për t’u bindur se kanë rënë nga shiu në breshër. Shprehur edhe më shqip: se sukseset e pretenduara nga Edi Rama me shokë e shoqe nuk u kanë sjellë shumicës së qytetarëve rritje të mirëqenies; të nivelit të punësimit, të të ardhurave, të konsumit, të kursimeve në formën e depozitave bankare; të sigurisë e të qetësisë… Edhe këto pak shifra e fakte u bëjnë mirë si qeveritarëve, ashtu dhe qytetarëve. Sipas një raporti të Institutit Europian të Statistikave, EUROSTAT, publikuar në mes-qershor 2014, vendi ynë renditet i parafundit në listën e vendeve më të varfra në Europë, për sa i përket nivelit të varfërisë, duke lënë pas vetëm Bosnjë-Hercegovinën, me kosto të jetesës 51% ose afro sa gjysma e nivelit mesatar të vendeve evropiane. Po sipas këtij raporti, të dhënat për frymë në vendin tonë janë 31%, ose rreth 1/3 e mesatares së vendeve të Bashkimit Evropian.
Pensioni maksimal në qytet në fillim të vitit 2015 është rreth 27.500 lekë në muaj, pensioni mesatar rreth 15.000 lekë në muaj dhe ai në fshat, rreth 8.500 lekë në muaj. Për të kuptuar se sa larg jemi nga standardet evropiane, është shumë shprehës dhe tronditës fakti se nipi im afro 9-muajsh dhe mbesa ime, afro 3-muajshe, në Gjermani marrin nga shteti gjerman qysh nga dita e parë e jetës së tyre derisa të bëhen 18 vjeç nga 184 euro në muaj. Kjo do të thotë rreth 3.000 lekë në muaj më shumë se unë pensionisti shqiptar, me rreth 35 vjet punë. Kryeministri Rama është mburrur disa herë, së fundmi edhe në intervistën në TV “Klan” më 5 mars, se qeveria e tij ka rritur pagesën e mbështetjes sociale për familjet më të varfra, duke e çuar në rreth 6.500 lekë në muaj, nga rreth 3.500 lekë që ka qenë më parë. Po me aq para sa marrin si mbështetje sociale familjet me të paktën 4 frymë, kuptohet se ato nuk mund ta shtyjnë as një javë, sepse të paktën gjysmën ua ha pagesa e energjisë elektrike dhe e ujit, pa llogaritur këtu shërbime mjekësore e ilaçe. Në të vërtetë, të shprehësh vetëkënaqësi dhe mburrje me shifrat e këtij niveli dëshmon jo vetëm zemërgurësi, por edhe tallje. Më 7 mars, ministri i Financave, Shkëlqim Cani pranoi se kontrata 8 milionë euro me “Crown Agents” për asistencën në Dogana nuk dha efektet që priteshin në mbledhjen e të ardhurave gjatë vitit 2014, kryesisht për shkak të zbatimit jokonsistent të rregullave dhe procedurave të vlerësimit, si dhe të nivelit të lartë të informalitetit.
Po sipas Canit, gjatë vitit 2014 Doganat patën një mosrealizim prej 8.1 përqindësh ose 441 milionë lekë më pak në mbledhjen e akcizës dhe 1.5% të taksës doganore. Këto shifra dhe të tjera shprehin keqinformimin apo mashtrimin e kryeministrit, sipas të cilit gjatë vitit 2014 paskemi pasur rritje të konsumit, të fuqisë blerëse dhe të nivelit të jetesës. Edhe rritja e nivelit të borxhit publik nga rreth 62%, më 2013 në rreth 73.5% më 2014 si dhe masat e qeverisë justifikuar apo fshehur pas emërtimit “reforma”, nuk japin arsye të besohet për rritjen e mirëqenies të premtuar apo të pretenduar nga qeveria “Rama-Meta”. Mbetja në këtë nivel të ulët apo në fund të listës evropiane për zhvillim dhe mirëqenie, shpreh dhe konfirmon edhe keqqeverisjen apo mungesën e madhe të efektivitetit konstruktiv dhe menaxhues nga të gjitha ekipet qeverisëse në këta afro 25 vjet pluralizëm si dhe falsitetin apo mungesën e sinqeritetit nga ana e tyre dhe e partive të tyre, gjatë fushatave elektorale, bazuar më llogarinë e pistë se cila palë të premtojë e mashtrojë më shumë. Për të mos u mohuar krejtësisht të drejtën për mburrje, mund t’u pranohet se qeveritë e të dyja ngjyrave dhe koalicioneve kryesore kanë arritur suksese të mëdha… në drejtim të pasurimit brenda një mandati si deputet, ministër, si kryetar bashkie, prefekt, drejtor i përgjithshëm të njerëzve të tyre të përzgjedhur e të besuar e përgjithësisht mirënjohës ndaj atyre që i vunë në poste të larta, shpesh edhe pa u parë me vëmendje CV, diploma, dosje personale, inkriminimesh dhe dënimesh penale, baltosje deri në gju apo në grykë në tenderime, dogana dhe tatime… Kjo po shprehet qartazi apo shqip fare edhe gjatë këtyre ditëve të konfliktit apo çështjes “Tom Doshi-Ilir Meta”. Në kohën kur shumica e qytetarëve shqiptarë po terrorizohen nga papunësia dhe varfëria masive; nga dëmtimet e rënda prej përmbytjeve; nga rritja e çmimeve dhe e taksave; nga falimentimi masiv i bizneseve të vogla e të mesme; nga shndërrimi në sistem dhe pushtet i korrupsionit dhe krimit; nga vjedhjet edhe në mes të ditës të qyteteve të bankave, bizneseve dhe të qytetarëve; nga shpërthimet me tritol dhe vrasjet e porositura e me pagesë; politika e dy krahëve dhe ngjyrave humb kohë të bollshme e të vlefshme për të gjetur se kush e ka urdhëruar dhe paguar aq shtrenjtë vrasjen e multimilionerit Tom Doshi… Natyrisht, drejtësia në Shqipëri e ka për detyrë ta hetojë me transparencë dhe përgjegjshmëri këtë dosje e nëse është me të vërtetë e pavarur nga politika dhe qeverisja, t’i japë dënimin e merituar secilit që ka menduar dhe guxuar të paguajë e bëjë vrasje të kësaj natyre dhe niveli. Por Tom Doshi dhe Ilir Meta janë vetëm dy njerëz, që kanë fatin të jenë ndër më të pasurit në Shqipëri e ndoshta në të gjithë Ballkanin e që të mbrohen nga vetura të blinduara dhe eskorta. Ndërsa qytetarët hallexhinj, që nuk u bëhet të shkojnë në shtëpi kur mendojnë fytyrat e fëmijëve të kequshqyer dhe keqveshur, që i presin për një copë bukë e djathë me çmimin më të lirë në tregun shqiptar, rreth 30-40% më të shtrenjtë se ai i Gjermanisë për artikujt kryesorë të konsumit të përditshëm apo kur kujtojnë se mund të bien, edhe për kuletën bosh apo për një celular rrangallë, viktima të hajdutëve nëpër rrugica apo hyrjet e pallateve, janë me qindra mijëra, ndoshta edhe një milion… Tregues apo karakterizues i gjendjes së rëndë ekonomiko-sociale në Shqipëri dhe i dobësimit të vazhdueshëm të shpresës e besimit edhe nga “Rilindja” e premtuar nga Edi Rama me shokë e shoqe është përmbledhja e mëposhtme e fjalëve dhe shprehjeve, që dëgjohen më rëndom në mjedise familjare e publike. Në fjalorin e përditshëm të shumicës së qytetarëve shqiptarë, bile edhe të plot të rinjve me diploma masteri e doktoraturash në Itali, Angli, SHBA, Gjermani, Francë, Zvicër, Austri, Holandë…, fjalët dhe shprehjet më të përdorura janë “i papunë”, “shtëpiake”, “kam aplikuar në shumë vende, por s’kam përgjigje nga asnjë”, “nuk po nxjerr as paratë për bukën e gojës të familjes”, “nuk po mund të paguaj taksat dhe kredinë”, “jepet me qira”, “zarf”, “para nën dorë”, “korrupsion”, “prostitucion”, “drejtësi e korruptuar”, “mjekët të lënë të vdesësh po nuk i pagove mirë”, “falimentim”, “vetëvrasje”, “atentat”, “tritol”, “trafik”, “trafikant”, “vrasës me pagesë”, “i kërkuar”, “drogë”, “vrasje”, “plagosje”, “taksa të reja”, “rritje çmimesh”, “kështu nuk shtyhet më”, “këtu s’ka shtet”, “jam penduar që u ktheva këtu”, “këtu nuk jetohet”…

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: