Dinamo ka një ndeshje të vështirë, teksa të premten do të përballet në Laç me skuadrën vendase, sfidë që hap edhe javën e 11 të Kategorisë Superiore. Trajneri i bluve, Bledi Shkëmbi, duke parë mungesat në ekipin që drejton dhe një përballje transferte, nuk e hedh poshtë një pikë ndaj Laçit, pavarësisht se Dinamo do të luajë për fitore.

Për fitore në Laç? – “Në fazën e parë na mori Laçi një pikë në minutën e fundit. Do të shkojmë për të zhvilluar një ndeshje perfekte në fushën e Laçit, për të marrë fitoren. Ndoshta në fund të ndeshjes mund të jemi të kënaqur me barazimin, por kurrsesi nuk shkojmë për një pikë.

Duhet parë në fund se çfarë ke dhënë dhe sa ke merituar. Nuk na tremb Laçi, sepse kemi luajtur dhe nuk na ka mundur. Nuk na ka mundur as Partizani, as Teuta. Shpresojmë që javën tjetër ta na kthehet ndonjë nga lojtarët e dëmtuar, sepse do të luajmë çdo tri ditë”.

Fitorja e fundit – “Vijmë pas një fitoreje të vështirë më Kastriotin. E kam thënë që na duhen pikë për t’u ngritur, sidomos në aspektin psikologjik. Do të mundohemi të bëjmë ndeshjen më të mirë të mundshme përballë një prej skuadrave më të mira të kampionatit”.

Mungesat – “Për fat të keq vazhdojmë të kemi probleme me dëmtimet. Na penalizon dalja me karton të kuq e Maliqit. Do të mundohemi të bëjmë më të mirën me lojtarët që kemi. Kam besim te të rinjtë që do t’u jepet shansi.”

Objektivat e Dinamos – “Është kampionat shumë i vështirë. Kam besim se do të luftojmë për zonën sipër. Në momentin që do të na bashkohen të gjithë lojtarët, jam i bindur që do të jemi më të fortë. Java që vjen do të jetë vendimtare për të ardhmen tonë” – u shpreh trajneri Bledi Shkëmbi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb