Nga SHABAN MURATI

Në përpjekjet e dy shteteve shqiptare dhe të kombit tonë për të forcuar rolin dhe peshën e faktorit shqiptar në Ballkan, ka një rëndësi të veçantë aftësia shtetërore dhe kombëtare për të ruajtur ekuilibrat diplomatikë dhe për të kundërbalancuar ato faktorë historikë dhe aktualë, që synojnë ta mbajnë prapa derës faktorin shqiptar në rajon. Kjo përplasje interesash jetike midis faktorit shqiptar dhe faktorëve të tjerë rajonalë po merr forma të stërholluara, të hapura dhe të fshehta, të cilat rrisin ose pakësojnë peshën e njërit apo tjetrit faktor. Duke mos qenë në gjendje të frenojnë tendencën historike të rritjes së faktorit shqiptar në rajon pas pavarësisë së Kosovës dhe krijimit të dy shteteve shqiptare në Ballkan, disa shtete si Serbia, Rusia e ndonjë tjetër po punojnë në rrugë të tërthortë që ta dobësojnë faktorin shqiptar, duke e privuar atë nga miqtë ndërkombëtarë.

Taktika e tyre diabolike është që të përdorin vetë shqiptarët që ta bëjnë këtë detyrë vetëvrasëse për të larguar shtetet miq. Ndaj ka dalë si një çështje me rëndësi të dorës së parë mbajtja dhe forcimi i lidhjeve me ato shtete dhe faktorë miqësie, të cilat janë më të përputhshëm me strategjinë kombëtare të shqiptarëve në Ballkan. Kjo do të thotë që shqiptarët si komb duhet të tregohen të kujdesshëm në farkëtimin dhe forcimin e lidhjeve të miqësisë dhe të ngushta me ato shtete brenda dhe jashtë rajonit, të cilat kanë interesa të përbashkëta dhe kontribuojnë në forcimin e rolit të kombit shqiptar në rajon. A janë shqiptarët gjithmonë të kujdesshëm në këtë drejtim? Nuk duket se janë tepër të kujdesshëm për të mbajtur miqtë dhe për të qenë luajalë me ta. Në datën 28 nëntor u regjistrua për herë të parë një sulm terrorist kundër konsullatës së Turqisë në Prizren.

Është një akt tepër i dënueshëm jo vetëm në aspektin e formatit të tij terrorist, jo vetëm në aspektin e cenimit të një përfaqësie dhe të statusit diplomatik, por sidomos në planin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Turqisë. Autoritetet më të larta të Kosovës, që nga presidenti, kryetari i parlamentit e deri te Ministria e Jashtme vepruan drejt që e dënuan menjëherë dhe me forcë sulmin terrorist, por përtej kësaj lind nevoja e një analize më të thellë se përse ndodhi një akt i tillë, ku për herë të parë në territorin e Kosovës sulmohet konsullata e Turqisë. Nuk duhet harruar se në planin diplomatik, akte të kësaj natyre lenë shenja dhe memoria shtetërore e çdo shteti serioz shënon çdo lloj akti, që cenon përfaqësitë e tij dhe marrëdhëniet e tij diplomatike me shtetet e tjera. Dinamika e qëndrimeve ndaj marrëdhënieve me shtetet e tjera të rajonit nga disa grupe të politikës, të mediave, të shoqatave joqeveritare fitimprurëse dhe të elementeve subversivë në Kosovë evidenton disa sinjale negative, të cilat mund të kenë pasoja afatgjata për vetë shtetin e Kosovës.

Sulmi terrorist në Prizren nuk duket se është një rrufe në qiell të kthjellët, por mund të konsiderohet se është produkt i një fushate histerike dhe sidomos i një vije konsekuente të disa qarqeve në Prishtinë për ta armiqësuar Kosovën me shtetet miq të saj. E thënë më thjesht, ka një strategji për ta shtyrë Kosovën t’i shndërrojë shtetet mike në shtete armike. Ka një dyndje apo një lloj dalldie politike e mediatike Kosovë kundër Turqisë, e cila ka formën e një ofensive të qëllimshme për të prishur marrëdhëniet midis dy shteteve ose për të provokuar një tërheqje të Turqisë nga përkrahja për Kosovën. Nuk mund të mos klasifikohet veçse si e papranueshme situata, që në mediat dhe në opinionin publik të Kosovës ka një impostim artificial të emocioneve dhe të fjalorit kundër Turqisë së sotme me proverbat e kohës së Frang Bardhit. Në marrëdhëniet ndërkombëtare mbahen fort marrëdhëniet me shtetet miq dhe dosja diplomatike mbushet me interesat e përbashkëta dhe jo me folklorin e shekujve.

Po të shkohej me këtë logjikë primitive antihistorike, shtetet shqiptare nuk duhej të zhvillonin marrëdhënie strategjike miqësore me shtete mike si Gjermania dhe Italia, sepse kanë qenë dikur pushtues. Janë logjika, që u shkojnë për shtat armiqve historikë dhe aktualë të kombit shqiptar. Nëse një vëzhgues i jashtëm do të ndiqte kronikat politike dhe mediatike të Kosovës, do të krijonte përshtypjen se për Kosovën, rreziku më i madh qenka Turqia dhe jo Serbia. Është një impostim skandaloz, ku miku real del më i rrezikshëm se armiku real dhe ky lloj klasifikimi i deformuar bie ndesh qartazi me interesat jetike dhe strategjike të Kosovës dhe të çështjes kombëtare shqiptare. Serbia po punon ditë e natë që ta kthejë Kosovën nën Serbi. Ministri i Jashtëm serb lavdërohet në konferencë shtypi në 1 dhjetor se ka zhvilluar 28 takime dypalëshe në konferencën e frankofonisë vetëm për të kërkuar që shtetet frankofone të mos e njohin Kosovën.

Ministri i Jashtëm serb në mënyrë skandaloze ikën nga mbledhja e vendeve të Vishegradit në 29 nëntor vetëm pse dëgjoi nga përfaqësuesi i Kosovës të vërtetën që Serbia është shkaktarja e luftërave të përgjakshme në ish- Jugosllavi. Kryeministri i Kosovës dhe ministrat e tij nuk shkelin dot në territorin e shtetit të Kosovës në veri të lumit Ibër. Serbia nuk po e lë Kosovën të hyjë as në UNESCO e as në organizatat rajonale e ndërkombëtare. Serbia e ka kafshuar veriun e Kosovës dhe do të kafshojë të gjithë Kosovën. Por disa grupe politike e mediatike në Prishtinë i kanë drejtuar dylbitë e akuzave vetëm tek Turqia. A e dini se në mediat kosovare ka më shumë artikuj kundër presidentit të Turqisë se sa kundër presidentit antishqiptar të Serbisë? Ky fenomen nuk vjen vetëm nga injoranca apo nga mendjelehtësia e atyre, që drejtojnë këto grupe politike apo mediatike në Kosovë. Ajo shpreh një strategji dhe një fushatë të organizuar, të sponsorizuar dhe të qëllimshme, me objektivin për të prishur Kosovën me miqtë e saj. Shteti turk është shtet mik i Kosovës dhe i Shqipërisë, me një peshë të madhe në rajonin e Ballkanit.

Turqia është shtet ballkanik dhe ka një rol, të cilin asnjë shtet tjetër ballkanik nuk mund ta zëvendësojë. Turqia është një aleat i nevojshëm dhe i natyrshëm i faktorit shqiptar në rajon në ekuilibrat e forcës dhe në përballimin e sfidave gjeopolitike të së ardhmes. Kontributi i Turqisë në çështjen e pavarësimit të Kosovës dhe në njohjet ndërkombëtare të shtetit të Kosovës është i jashtëzakonshëm. Shqiptarët duhet të mendojnë strategjikisht dhe jo me arketipe, që injektojnë qendrat serbo-sllave në rajon. Shqiptarët në Kosovë dhe në Shqipëri nuk duhet të harrojnë se Turqia nuk ka asnjë centimetër tokë shqiptare në kufijtë e saj dhe nuk do të vijë të pretendojë asnjë centimetër tokëshqiptare. Janë shtetet fqinje ato, që kanë dhjetëra mijëra kilometra tokë shqiptare dhe të cilat nuk mjaftohen me atë që na grabitën në 1913-ën, por edhe sot e kësaj dite rivendikojnë prapë territore shqiptare.

Dhe në krye të listës është Serbia, e cila zyrtarisht po përpiqet që ta rikthejë Kosovën si koloni të saj. Shfaqja e kësaj prirjeje të dëmshme për të shndërruar miqtë në armiq është e rrezikshme për Kosovën dhe për interesat e saj shtetërore e kombëtare. Nuk duket rastësi që në Kosovë kjo prirje është shfaqur edhe ndaj SHBA-ve në disa raste. Kështu ka qenë me fushatën e turpshme antiamerikane të ngritur në Kosovë në vitin 2012 në rastin e disa privatizimeve strategjike dhe pati një fushatë sulmuese ndaj personaliteteve të shquara amerikane, që ndihmuan për çlirimin e Kosovës nga Serbia, si komandanti i përgjithshëm i forcave të NATO-s, Vesli Klark, Sekretarja amerikane e Shtetit, Medlin Ollbrajt, etj. Një fushatë antiamerikane u ngrit edhe në rastin e konfliktit të brendshëm parlamentar në vitin 2015 për çështjen e shoqatës së komunave serbe në veri, etj.

Shtetet me politika antishqiptare si Serbia dhe Rusia, që nuk duan rritje dhe rol të kombit shqiptar në Ballkan, kanë një interes strategjik që të shkëpusin faktorin shqiptar nga lidhjet me miq si Amerika. Nuk është rastësi që përpjekje për të shndërruar shtetet mike në shtete armike janë konstatuar edhe në Shqipëri, ku në vitin 2013 për herë të parë në të gjithë periudhën postkomuniste kemi në Tiranë një protestë kundër SHBA-ve para ambasadës amerikane. Nuk ishte rastësi ajo protestë, që u organizua dhe u sponsorizua nga jashtë, në kohën kur sipas burimeve diplomatike disa shtete fqinje, aleate të Rusisë, nisën hapat për një aleancë shtetërore diplomatike me devizën e “kundërshtimit të asgjësimit të armëve kimike në Shqipëri”.

Nuk është e rastësishme as fushata antiamerikane që shoqëroi në Shqipëri në vitin 2016 diskutimet për reformën në drejtësi, ku u arrit deri atje sa të akuzohej Amerika dhe BE se po shkelnin sovranitetin e Shqipërisë, të cilin antiamerikanët e rij të Tiranës e kishin shitur prej kohësh. Duke analizuar fenomenin e mosmirënjohjes ndaj shteteve mike dhe të diversionit politiko-propagandistik për të krijuar çarje besimi në marrëdhëniet e shqiptarëve me shtetet mike, në librin tim “Diplomacia shqiptare në kërkim të identitetit” kam shkruar: “Krijimi i një klime mosbesimi dhe thyerja e miqësisë strategjike mes Kosovës dhe SHBA, mes Shqipërisë dhe SHBA, mes kombit shqiptar dhe SHBA është objektiv strategjik i armiqve shekullorë të interesave jetike dhe kombëtare të shqiptarëve”. (Tiranë, 2013, fq. 71).

Shqipëria, Kosova dhe kombi shqiptar nuk i kanë të shumta shtetet mike afatgjata në Ballkan. Fati historik e deshi që interesat tona kombëtare të përputhen me strategjinë e interesave dhe të vlerave, që mbrojnë SHBA-të dhe aleanca atlantike. Këto janë miqësi dhe aleanca, që duhen ruajtur me fanatizëm dhe nuk duhet lejuar asnjë përpjekje, qoftë në nivel shtetëror, qoftë në nivel politik, qoftë në nivel mediatik apo të të ashtuquajturës shoqëri civile, që ta dëmtojë. Nuk mund të bësh kurrë miq të rij në arenën ndërkombëtare, duke shndërruar miqtë që ke në armiq.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: