Objektiv: ky mund të ishte vlerësimi me një fjalë të vetme i raportit përfundimtar të OSBE/ODHIR-it për zgjedhjet e 25 prillit. Ai pasqyron me besnikëri tablonë e këtyre zgjedhjeve. Arritjet dhe problemet janë aty. Pothuajse të gjitha. Paradoksalisht, edhe pse objektiv, ky raport ka shumë pak gjasa ta ndihmojë Shqipërinë në rravgimin shumëvjeçar për të dalë nga labirinti i zgjedhjeve të manipuluara. Prova më e gjallë e këtij pohimi pesimist janë reagimet më distante se kurrë të palëve politike kundërshtare për të. “Vlerësimi më pozitiv i dhënë ndonjëherë për zgjedhjet”, komentonte flakë për flakë një zyrtar i lartë i PS-së. “Gjejmë konfirmimin se zgjedhjet e 25 prillit ishin shprehje kuptimplotë e demokracisë dhe e respektimit të lirisë së zgjedhësve”, shtonte një tjetër. Drejtuesit e opozitës nga ana e tyre reklamojnë atë që e kanë quajtur masakër elektorale.

Si është e mundur që i njëjti raport mirëpritur nga të dyja palët lexohet krejt ndryshe dhe merr vlerësime ektremisht të të kundërta prej tyre? Përgjigjja ngërthen një histori të tërë të kulturës politike në vend, të marrëdhënieve dhe antagonizmit politik alla shqiptar. ku sinqeriteti dhe teatraliteti janë zakonisht skaje të bashkëlidhura. Të mos harrojmë se kështu ka ndodhur pothuajse kurdoherë, me çdo raport të ndërkombëtarëve për zhvillimet në vendin tonë. Sidoqoftë, mbetet të themi se çdo parti është në të drejtën e saj ta lexojë nga këndvështrimi i interesit të saj një dokument politik me peshë.

Thënë këtë, duhet të përsërisim me hidhërim se raporti për zgjedhjet e 25 prillit nuk duket të ketë asnjë shans suksesi në kuptimin që të ndihmojë demokracinë dhe procesin zgjedhor në Shqipëri. Në thelb, edhe me raportin e ri jemi në një rutinë tashmë të ngulitur mbi njëzet vjeçare. Zgjedhje-probleme-rekomandime. Zgjedhje-probleme-rekomandime. Ashtu siç ka ndodhur më parë, edhe kësaj radhe zgjedhjet shqiptare do të vijojnë të frulohen në spiralen e përmirësimeve që nuk mbarojnë kurrë. Do të thotë të manipulimeve që nuk rreshtin kurrë. Kjo histori është bërë frustruese, sarkastike, qesharake. Aq sa të shkon mendja se disa njerëz në OSBE e kanë edhe biznes mbajtjen e zgjedhjeve shqiptare në gjendjen e një të sëmure kronike.

Arsyeja kryesore që edhe një raport objektiv rrezikon të mbetet steril në efektet që duhej të kishte lidhet pikësëpari me mënyrën përgjithësisht përshkruese të shkeljeve, pa një adresim shumë të drejtpërdrejtë të përgjegjësive. Shto këtu zakonin për të mbajtur në ekuilibër arritjet me problemet. Pas kaq vitesh, partnerët tanë duhej ta kishin kuptuar se po i darovite secilin me një gjë që u përshtatet, aktorët politikë dhe partitë në Tiranë kapen pas saj me thonj e me dhëmbë dhe nuk shohim përtej. Darovitja proporcionale e lë në vendnumëro reflektimin. Të gjithë këndojnë fitoren. Për secilin fajin e ka tjetri.

Është e qartë se ka gjithmonë në raportet e ndërkombëtarëve një gjuhë të zgjedhur, ka inkurajim nëpërmjet njohjes së arritjeve, ka etikë në pasqyrimin e dukurive negative. Shumë mirë. Por si është vendi bëhet Kuvendi, thotë një fjalë e urtë shqiptare. Është koha për të ndërtuar një komunikim që ngushton dhe mundësisht mbyll fare hapësirën e spekulimit, shmangies së përgjegjësisë. Është koha për të folur me shpatë, në kuptimin figurativ të fjalës, duke u fokusuar te problemet dhe duke emërtuar përgjegjësit. Nga pikëpamja e vëzhgimit, zgjedhjet janë problemet që ato kanë. Për këtë vëzhgohen. Raporti i fundit për zgjedhjet e 25 prillit ka pasqyruar më vërtetësi avantazhet e konsiderueshme që mori Partia Socialistë nga të qenit në pushtet, përmes kontrollit të administratës lokale dhe nga shpërdorimi i burimeve të administratës publike.

Raporti pohon praktikat gjerësisht të përhapura të shitblerjes së votave, ofrimin e stimujve në këmbim të votës, rrjedhjen e të dhënave personale sensitive, duke përfshirë edhe preferencat politike të zgjedhësve, dhe këtu raporti ka parasysh përdorimin nga rrjeti i patronazhistëve të PS-së i të dhënave të 900 mijë qytetarëve të marra nga portale qeveritare e-Albania. Kjo “përbën shqetësim serioz dhe i bën zgjedhësit vulnerabël ndaj trysnisë… Ndarja ose ndërthurja e paautorizuar e të dhënave personale të votuesve për qëllimet e supozuara të angazhimit demokratik, mund të konsiderohet si shkelje e angazhimit për mbrojtjen e së drejtës për jetë private dhe familjare, mund të dëmtojë besimin e elektoratit, përfshirë fshehtësinë e votës së tyre”, thekson raporti duke shtuar: “Shqipëria duhet të sigurojë sigurinë e të dhënave personale të qytetarëve. Institucionet përkatëse duhet tërësisht të hetojnë dhe sanksionojnë çdo shkelje që ndikon në besimin e publikut në procesin zgjedhor”.

Pa lënë mënjanë asgjë, raporti jep të plotë tablonë e rrethimit të zgjedhjeve nga Kryeministri Rama. Raporti nuk mund të kalkulojë sa vota ka shtuar për vete qeveria nga paketa e stimujve, parave, kontrollit me patronazhistë, kërcënimeve me banda e të tjerë. Këtë nuk e kalkulon dot askush. Por e gjithë paketa është në shkelje të standardeve zgjedhore demokratike.

Të gjitha shkeljet, për të cilat raporti thotë se përbëjnë “shqetësim” ose “shqetësim serioz”. kanë një adresim: Qeverinë. Ajo është prapa tyre. Shkeljet janë të qeverisë. Kjo nuk thuhet në mënyrë eksplicite: Kjo duhet thënë shumë qartë. Nëse nuk janë të qeverisë. të kujt janë.

Një problematikë kaq serioze që vë në pikëpyetje vlefshmërinë e zgjedhjeve. nuk mund të lihet pa autor, apo me autor të nënkuptuar. Theksojmë edhe një herë nevojën për të folur pa doreza dhe për të treguar me gisht, me emra, zyrtarët dhe institucionet përgjegjëse. Kështu ndihmohen Shqipëria, e vërteta, ndryshimi. Raporti nuk bëhet vetëm për partitë. Raporti bëhet për zgjedhësit pikësëpari. Paqartësitë, ekuivokët, rrumbullakosjet, darovitjet, bëjnë atë që autorët e rrethimit real të zgjedhjeve në Shqipërinë tonë të vogël të mburren se kanë bërë zgjedhjet më të mira në histori, duke cituar raportin e OSBE/ODHIR-it. Si ka mundësi?

Ka mundësi sepse nuk del t’u thotë kush nga partnerët se arritjet e përmendura në raport janë të KQZ-së si institucion i pavarur bipartizan apo konsensual, janë të qytetarëve që votojnë si europianë qëkur ka nisur demokracia dhe nuk mund të përdoren si salvaxhente nga askush. Ju të qeverisë mund të ndani me KQZ dhe opozitën një pjesë të këtij suksesi, por raporti ju thërret në kauzë të shpreheni pikësëpari për çështjet që janë ekskluziviteti juaj për shkeljet tuaja. Po të ndodhte apo të ndodhë kjo, ka shanse për ndryshim.

Po nuk ndodhi, po u la kështu që kush të dojë të marrë ç’të dojë e të flakë ç’të dojë nga raporti, po të mos ndiqet zbatimi i kërkesës për hetimin e krimeve zgjedhore dhe të mos ketë një qëndrim publik nëse hetimi lihet pas dore, është e sigurt se zgjedhjet e radhës do të manipulohen përsëri nga të njëjtët manipulatorë apo nga të ngjashmit e tyre. Me flamurin e SHBA dhe BE-së në duar! “Po përpiqem t’i bind politikanët e Shqipërisë se zgjedhjet e lira janë pikësëpari mjeti më e lënë pushtetin”, shkruante në dëshmitë e veta një diplomat italian në Shqipërinë e viteve tridhjetë. Mesazh aktual edhe pas nëntëdhjetë vjetësh.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb