TIRANE- Një rrugë te “Liqeni Artificial” në Tiranë do të mbajë emrin e një gazetari italian, i cili në punën e tij ka raportuar dhe shkruar për emigrant shqiptarë në Itali. Tabela me emrin e gazetarit Alessandro Leogrande-s u zbulua nga kreu i bashkisë, Erjon Veliaj dhe ambasadori shqiptar në Shqipëri, Alberto Cutillo.

Kreu i bashkisë së Tiranës deklaroi se gazetari i vendit fqinj është një avokat i mirëfilltë i shqiptarëve në Itali dhe këtë e dëshmon puna e bërë në raportimin e përditshëm. “Jam shumë krenar që me miratimin e Këshillit Bashkiak kemi vendosur të emërtojmë ‘Alessandro Leogrande’ një nga rrugicat më të bukura të Parkut të Liqenit, si një shenjë mirënjohje për të gjithë kontributin e tij në gazetari, po mbi të gjitha për humanizmin e tij, sidomos në çështje të shqiptarëve, të emigrantëve, të të huajve, të atyre që janë më të dobët dhe që kanë nevojë për një avokat, siç ishte ai”-tha Veliajn.

Ambasadori duke falënderuar kreun bashkisë së Tiranës, shtoi faktin se një veprim i tillë është tregues i afërsisë mes dy popujve. Kjo sipas tij, është thelbi i punës që ka bërë gazetari i njohur italian për shqiptarët dhe integrimin e tyre.

“Jam shumë i lumtur dhe i prekur që jam këtu me kryetarin e bashkisë dhe me të gjithë ju sot. Për mua, Alessandro Leogrande që e njoh nëpërmjet veprave të tij, është një personazh që simbolizon këtë afërsi mes dy popujve tanë, mes dy vendeve tona. Mund të them se do të ndihej shumë i kënaqur të dinte se emri i tij, figura e tij, janë sot të lidhura me këtë rrugë, këtë park të mrekullueshëm dhe mbi të gjitha, siç po thoshte kryebashkiaku, një vend ku e gjithë Tirana takohet dhe jeton jetën e saj”-tha ambasadori italian.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb