Njëra nga rrugët e Tiranës do të mbajë emrin e legjendës së futbollit kryeqytetas, Zyber Fagu. Kryebashkiaku Erion Veliaj priti familjarët e ish futbollistit të famshëm shqiptar, të cilëve u dhuroi në shenjë simbolike tabelën me emërtimin e rrugës. Veliaj tha se detyra jonë është ta kthejmë vëmendjen te njerëzit që kanë lënë gjurmë të paharrueshme në jetën e qytetit.

“Në Tiranë kemi nevojë të nderojmë ajkën e qytetit. Fëmijët kanë nevojë të dëgjojnë histori frymëzuese të atyre që luftuan, punuan apo kanë bërë sport, pavarësisht regjimit ku kanë jetuar”, u shpreh Veliaj. Kryebashkiaku shtoi se të gjithë duhet të kontribuojnë, që njerëzit e vyer si Zyber Gagu, të jenë modele të shoqërisë shqiptare.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

“Sot na ofrohen si modele njerëz pa merita, që nuk përfaqësojnë vlerat e shoqërisë sonë. Ndaj, të gjithë duhet të kontribuojmë që njerëzit e vyer si Zyberi, që i kemi pasur në ato kohë jashtëzakonisht të vështira, t’i sjellim sot si modele. Është shumë e rëndësishme që këta njerëz të mirë dhe të ndershëm t’ua japim si shembuj të rinjve, për t’u treguar se mund të jetosh si njeri i drejtë, duke punuar fort”, vijoi ai.

Djali dhe vajza e ish futbollistit Zyber Fagu falenderuan Bashkinë e Tiranës për vlerësimin që iu bë babait të tyre. “Falenderojmë kryetarin e Bashkisë për këtë nderim. Babai ynë ishte një njeri që ka kontribuar në sport, e jo vetëm, ka qenë edhe veteran i luftës, njeri me atribute të mira. Ju jemi mirënjohës”, u shprehën Mustafa dhe Ermira Fagu.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb