Festë me këngë e valle e vlerësime për njerëzit që i kanë dhënë shumë Tiranës tonë. Kjo ndodhi dje në mbrëmje në ‘Sofrën tiranase’ që organizohet çdo vit nga Shoqata Tirana e familja Tafaj e në këtë 100-vjetor të kryeqytetit mbushi 25 vjet. Kryetari i Shoqatës Tirana në fjalën e tij, uroi tiranasit e vjetër e të rinj për 100 -vjetorin e shpalljes kryeqytet ndërsa nuk harroi të përmendë 12-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

‘Si sot 12 vite më parë, në Kosovë u ngrit Flamuri i Pavarësisë ndaj në këtë ditë të shënuar uroj me gjithë zemër vëllezërit kosovarë kudo që ndodhen, gëzuar pavarësinë dhe respekt për ata luftëtarë që dhanë jetën për këtë ditë mes të cilëve edhe djem tironas’- tha kreu i shoqatës Tirana në fjalën e tij. ‘Sofra Tiranase 2020’ pati dhe vlerësime për personalitete të njohura jo vetëm në komunitetin tiranas, por edhe në atë mbarë kombëtar.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

U zgjodh pikërisht Miriam Stërmasi, vajza e të madhit Selman Stërmasi për t’i dhënë çmim mirënjohjeje Sport-Klub Tiranës. ‘Jam e emocionuar përballë kaq shumë miq tironas dhe për më shumë të jap këtë vlerësim për Sport-Klub Tiranën për të cilën im atë Selman Stërmasi, sakrifikoi dhe e deshi deri në ditën që mbylli sytë. Ndjehem e vlerësuar që bardhebluve në këtë 100-vjetor të themelimit, t’i jap titullin e veçantë të cilin më shumë se askush tjetër e meriton skuadra jonë kampion. Ta gëzoni Refik Halili, e uroj të merrni sa më shumë trofe’- tha Miriam Stërmasi. Ndërkaq presidenti i sport-klub Tiranës Refik Halili i emocionuar për vlerësimin u shpreh se edhe klubi që ai drejton mbush 100-vjet e me këtë rast do të ketë një sërë aktivitetesh për ta nderuar ashtu siç duhet kontributin e gjithsecilit në këto 100 vjet histori.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb