Një shkollë në Britani ka kërkuar falje pas reagimeve të prindërve ndaj shfaqjes së karikaturave të Profetit Muhamed nga ana e një mësuesi gjatë orës mësimore.

Një mësues në Shkollën Batley në Yorkshire në veri të Anglisë tregoi karikaturat në një orë të arsimit fetar.

Prindërit, të cilët u informuan nga nxënësit, organizuan një protestë para shkollës, duke kërkuar që mësimdhënësi të japë dorëheqje.

Imami Muhamed Amin Pandor, i cili ishte në mesin e atyre që reaguan ndaj karikaturave, tha se ndihen të tmerruar nga rasti.

“Kjo është absolutisht e papranueshme,” theksoi ai në një deklaratë.

Pandor pohoi se mësuesi tashmë është pezulluar nga shkolla.

“Kërkuam që të hapet hetim. Po ashtu kërkuam nga që disa prej nesh të marrin pjesë në ekipin e hetimit. Në të ardhmen, ne do të punojmë me shkollën për të parandaluar që një gjë e tillë të mos përsëritet më”, shpjegoi Pandor.

Ndërkohë, drejtori i shkollës, Gary Kibble, në një postë elektronike dërguar prindërve, kërkoi falje për përdorim të “burimeve të papërshtatshme” gjatë orës mësimore.

Kibble ka njoftuar se karikaturat në fjalë janë hequr nga burimet e përdorura dhe se do të shqyrtojnë programin mësimor të lëndës së arsimit fetar për të shmangur çdo përmbajtje tjetër të papërshtatshme.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb