Nga: MENTOR KIKIA*
Dje në Gjykatën e Shkodrës kamerat ndoqën me vëmendje seancën gjyqësore për vendosjen e masës së sigurisë ndaj Sokol Mjacajt, tashmë në top-listën e personave të rrezikshëm në Shqipëri. Nuk kishte ç’të shtonte më shumë nga ç’kishte thënë më parë për dinamikën e ngjarjes, duke e pranuar autorësinë e vrasjes së dy turistëve të huaj pa ndonjë pendesë. Mund edhe të jetë penduar, por ndoshta nuk e dinte se si shprehet ajo.
Po dje, pa asnjë lloj buje, policia e Vlorës shpërndau një njoftim, përmes të cilit bënte të ditur se kishte nisur procedimin penal në gjendje të lirë ndaj një shtetasi, A. Xhaferri, që punon si pedagog Gjuhe dhe Letërsie në Universitetin e Vlorës, si dhe ndaj një vajze 23 vjeçe, që është studente po në këtë universitet. Pedagogu shiste notën me para. Studentja, një e afërme e tij, bënte sekseren, u mblidhte paratë studentëve dhe ia dorëzonte pedagogut, i cili në këmbim u jepte nota kaluese studentëve. Disa studentë e kishin denoncuar dhe policia hapi procedimin.
Asgjë për t’u habitur! Sapo këtë njoftim, bashkë me një koment të shkurtër, e hodha në faqen time në “Facebook”, shumica e atyre që kishin komentuar kishin shkruar; “kështu është gjithandej, tani e more vesh ti?”
Pa dyshim nuk e mora vesh dje, pasi kam shkruar e lexuar të tilla lajme për pedagogë e studentë në Universitetin e Tiranës, Vlorës, Durrësit, Elbasanit, Pukës, Lushnjës, Vorës, Autostradës, Kombinatit, Mulletit… e ku dreqin ka më të tillë. Por, për momentin mendova se ai pedagogu A.Xhaferri(policia as emrin nuk ia përmendi të plotë, por Artan quhet) duhej të ishte në të njëjtën qeli me Sokolin e Dukagjinit. Gjithashtu pata ndjesinë sikur pedagogu i kishte dhënë mësim Sokolit, dhe ia kishte dhënë diplomën duke i këmbyer notat kaluese herë me para e herë me ndonjë dele apo dhi. Por kjo s’mund të ketë ndodhur, pasi Sokoli s’kishte qenë asnjë ditë në ndonjë universitet fason. Por, ama, nuk është çudi që ndonjë mësues/e i diplomuar nga Artani t’i ketë dhënë mësim Sokolit në shkollën 9-vjecare.
Kanë kaluar pak më shumë se dy javë nga zgjedhjet vendore dhe akuzat për shitblerje të votës nuk janë zbehur ende në mjedisin politik. Raportet e vëzhguesve, edhe pse pa prova konkrete, përmendin se ky lloj “biznesi” ka ndikuar në deformimin e zgjedhjeve. Para ditës së zgjedhjeve, apelet e ndërkombëtarëve ishin më të fortë se kurrë: Mos e shisni votën, është pushteti juaj, ushtrojeni atë… Sërish shumë njerëz thanë; “pse habiteni, se mos është hera e parë, kudo kështu ndodh”. Njerëzit nuk kanë më besim te politikanët, ndaj mendojnë se më mirë t’u marrim ç’tu marrim. Dhe kanë të drejtë, por kanë gjetur(ata që e bëjnë) formën më të keqe për t’u “hakmarrë”.
Shitblerja e votës dhe e notës janë të dyja forma korrupsioni. Njësoj si shitblerja e shërbimit mjekësor, si shitblerja e drejtësisë, e konkurrencës së lirë në ekonomi, në sport, madje edhe në festivalin e këngës… Të blesh me para atë që nuk e meriton, madje edhe atë që nuk e ke, siç është dituria, është bërë një formë legale tashmë në Shqipëri dhe ne gabojmë kur themi se të gjitha të këqijat i kemi vetëm te korruptimi i sistemit të drejtësisë. Duket se jemi shumë më keq se kaq, pasi ne jemi korruptuar tërësisht si shoqëri, por secili e shfaq këtë ves sipas mundësive që ka në dorë.
Të gjitha këto forma janë të këqija, por shitblerja e votës dhe e notës mendoj se janë format më të rënda, më të dëmshmet dhe tregues të degradimit tërësor të një shoqërie. Është fundi, nuk ka ç’të jetë më keq më.
Vota është arma me të cilën njerëzit e thjeshtë kanë në dorë të ndëshkojnë udhëheqësit, pushtetin e tyre, nëse ai nuk ka punuar mirë. Vota është mjeti me të cilin të gjithë njerëzit bëhen të barabartë për një ditë, pavarësisht në janë të fortë apo të dobët, të pasur apo të varfër. Ajo është palca e kolonës vertebrore të demokracisë dhe, nëse kjo infektohet, atëherë demokracia, qoftë edhe formale, nuk është më e tillë në asnjë segment.
Ndërsa arsimi është palca e kolonës vertebrore të tërë shoqërisë. Nuk mund të shpikë më askush përkufizime për rëndësinë e shkollës, por ne duhet të vëmë kujën sërish për degradimin e saj. Sot shoqëria jonë po përjeton një krizë të thellë sociale, sidomos rinia, pasojë e së cilës është një shkallë e lartë kriminaliteti, dhune dhe deformimi. Gabimisht ne drejtojmë gishtin vetëm nga policia dhe burgjet. Por jo, “policia” e parë ku duhet të drejtojmë gishtin është shkolla. Ja pse ai pedagogu i Vlorës m’u duk dje edhe më i rrezikshëm se Sokoli i Dukagjinit. Sokoli tani është në burg dhe nuk vret dot më. Por Artani kushedi sa nota ka shitur. Pra Artani ka vrarë më shumë njerëz e do të vrasë sërish, pasi ai është ende pedagog dhe deri tani asnjë prej sojit të tij nuk është dënuar. Ata që blejnë notat tek Artani e shokët e tij do të bëhen mësues e kështu do të vrasin të tjerë njerëz. Dhe këtu nuk hyn më në punë as policia…

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: