Është kthyer tashmë në një rutinë që, sa herë partitë politike shqiptare kanë nevojë për të krijuar debat në atë se kush e do më shumë e kush më pak Shqipërinë, ndezin motorët e integrimit europian. E ndërkohë trumbetojnë me të madhe se sa e mirë është Europa, se sa shumë punojnë ata që shqiptarët të jenë sa më shpejt pjesë zyrtare e shtëpisë së madhe evropiane etj. Në fakt, ajo që thonë në televizione e media të shkruara është një megalomani e pështirë, sepse janë po ata që e kanë lënë “integrimin” të zvarritet për vite e vite.

Madje, ka nga ata që kaq shumë e duan integrimin, saqë edhe forcën politike e kanë quajtur të tillë, mbase nga reminishencat e kohës së monizmit, kur fëmijës i vihej emri i udhëheqësve, si p.sh. Marenglen (Marks, Engels, Lenin).
Por sa e duan ata vërtetë integrimin, dhe a duhet të jemi kaq të verbër pro tij?! Anëtarësimi i plotë në Bashkimin Europian natyrisht që ka përparësitë e tij. Kryesisht ato lidhen me unifikimin e sistemit ekonomik dhe juridik me atë të BE-së. Kjo në vetvete shton shpresën se, mbase një ditë edhe ato reforma që më së shumti kanë çaluar në këtë vend do mund të kthehen në rrugën e duhur, drejt një drejtësie, ashtu siç edhe e ka emrin, apo një sistemi ekonomik të bazuar në konkurrencë të pastër, dhe jo në nënshtrimin ndaj parasë informale.

Po ashtu, të qenit anëtar i BE-së do të thotë se mundësitë e punësimit në vendet e BE-së do jenë më të larta, por duke pranuar se ata do tërheqin ata individë që posedojnë aftësitë për të cilat ka nevojë tregu i tyre i punës. Deri këtu gjithçka duket më se e pranueshme dhe për të cilën do duhej punuar fort.

Por a është BE një fushë me lule dhe çfarë merr BE-ja në këmbim të anëtarësimit të vendeve të reja? Nëse keni parasysh një klub shoqëror privat, anëtarësimi në atë klub është kundrejt një pagese vjetore, në këmbim të së cilës më së shumti merr të qenit pjesë e tij, pra një lloj stimuli apo statusi shoqëror. Sa më elitare të jetë anëtarësia e klubit, aq më e lartë është edhe pagesa për të qenë pjesë e tij. Ka nga ata që për të krijuar idenë e të qenit “dikush” shpenzojnë gati krejt të ardhurat e tyre për pagesën e anëtarësisë apo edhe arrijnë deri aty sa hyjnë në borxhe për të paguar atë, duke menduar se një ditë do arrijnë disi të rimarrin çfarë kanë shpenzuar. Por sa mund të mbajë “mashtrimi”? Shqiptarët kanë 28 vjet që rendin nga një klub në tjetrin, dhe gjithnjë e më shumë, administratorët e këtyre klubeve e kuptojnë se nuk jemi gati për to.

E megjithatë, herë pas here shtojnë kërkesë pas kërkese si ajo shprehja “tërhiq e mos e këput”. Kjo gjendja “as këtej, e as andej”, përveç administratorëve të “klubeve shoqërore elitare” të botës, u shkon për shtat më së shumti politikanëve shqiptarë, të cilët vazhdojnë të pasurohen ora-orës pa as më të voglin shqetësim dhe me bindjen e plotë se, kur të vijë momenti i anëtarësimit të plotë në BE, do mund të aplikojnë një amnisti të pasurive të tyre.

Kësisoj, shpresojnë ata, gjithçka kanë krijuar nëpërmjet mashtrimit, vjedhjes, kriminalitetit të organizuar etj., në gati 30 vjet, do mund të shndërrohet në pasuri legjitime, e aftë të konkurrojë me pasanikët e trashëguar ndër shekuj në botën perëndimore. Pra, BE do të jetë shpëtimi i tyre, por që nuk janë ende gati, sepse duan më shumë.

Ato që kanë vjedhur deri më tani nuk është mjaftueshëm. Kanë arritur deri tek brezi i 10-të, por duan më shumë… Në planin ekonomik, shqiptarët do mund të përfitojnë disa mijëra vende pune nëpër vendet e BE-së, por në këmbim do duhet të japin “jetën” e tyre, sepse ata që do rrinë në trojet shqiptare, domosdoshmërisht shumica e tyre – sepse anëtarësimi në BE nuk nënkupton merr plaçkat e shko jeto poshtë urës në Paris, Romë, Bon, Bruksel etj. – do të kthehen në konsumatorë funksionalë të produkteve e shërbimeve të kompanive nga BE-ja.

Prodhimet e tyre vendase dhe bio nuk do mund të konkurrojnë financiarisht me prodhimet jo-bio dhe shumica të ngrira të kompanive nga BE. Ekonomikisht, kompanitë e BE-së nuk do kenë interes të zhvendosin linjat e tyre të prodhimit në trojet shqiptare, sepse shqiptarët janë “krenarë” për veten e tyre dhe s’pranojnë të punojnë për pak para, edhe pse mund të përfundojnë poshtë urës nga skamja.

Së dyti, ato linja prodhimi që do krijonin punësim tashmë po mbulohen me përdorimin e linjave robotike.
Sa i qëndrueshëm është klubi “privat” shoqëror i quajtur BE?! Bashkimi Evropian, në vetvete, është bashkim vullnetar. Që të funksionojë siç duhet do duhet të ketë një bashkërendim të politikave ekonomike, sociale, të mbrojtjes dhe ato politike. Ndërsa duket se 3 të parat janë pak a shumë të bashkërenduara – pasi shoqëritë europiane kanë hequr tashmë kufijtë mes tyre duke i lënë më shumë hapësirë bashkëjetesës sociale mes popujve të tyre, dhe për sigurinë e të cilëve mendon NATO – në planin politik duket se janë shumë më të parehatshëm ne bashkëjetesën e tyre. Kohë pas kohe, sidomos kohëve të fundit me rritjen e niveleve të nacionalizmit apo radikalizmit të djathtë, qeveritë europiane duket se po krijojnë një lloj hendeku me qeverinë e përbashkët ne Bruksel.

Zërave dhe diferencave politike dalëngadalë po u shtohen edhe pasojat ekonomike. Marrëdhëniet jo të mira së fundmi mes Brukselit dhe Uashingtonit duket se nuk po u ndihmojnë krisjeve brenda Unionit. Gjithnjë e më tepër sheh se po rriten përqindjet e skeptikëve dhe kundërshtarëve të këtij unioni. Për aq kohë sa do ketë shoqëri që duan të anëtarësohen në klub, atëherë klubi do mund të ekzistojë në sajë të rregullave të kërkesë-ofertës.

Por kur kupton se do jesh mbase anëtari i fundit që anëtarësohesh para falimentimit të tij, çfarë vlere ka ai anëtarësim?! Ndërkohë, shqiptarët votues mbeten po ata që ishin; partizanë të zjarrtë të anëtarësimit në një klub, që më shumë do t’i detyrohen se sa do përfitojnë prej tij. Jo çuditërisht, ekranet e televizioneve dhe faqet e mediave të shkruara e atyre elektronike janë të mbushura me “ushtarët” e politikanëve, që nën moton e anëtarësimit në BE, mbajnë gjallë pishtarin e hajdutërisë së tyre gati 30-vjeçare. Teksa populli shqiptar endet rrugëve të mjerimit, në kërkim të kafshatës së bukës për nesër, pa e kuptuar se po u shërben me devotshmëri hajdutëve të djeshëm e të sotëm, të veshur me kostume politike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: