VLORË

Ish-kryeministri Sali Berisha ka pasur në krah sot gjatë takimit në Vlorë edhe një shqiptaro-amerikane, eksponent të Partisë Republikane amerikane, siç e prezantoi ai. Berisha tha se Edi Kokalari është një avokate e vlerave konservatore.

“Kam nderin t’i jap fjalën një shqiptaro-amerikaneje e cila me përkushtimin e saj është një eksponent i vërtetë në Partinë Republikane në SHBA, një avokate e vlerave konservatore, e cila jeton me ne, me vendin e saj, në mënyrë të pandërprerë dhe ka ardhur këtu për t’u bashkuar me këtë nismë, me këtë foltore dhe shprehur mendimet e saj, Evi Kokalari”, tha Berisha.

Vetë Kokalari tha se zoti Berisha ka disa detyra përpara, një prej tyre ta kthejë PD-në në vitin 1991 dhe ta rindërtojë me parimet e Partisë Republikane amerikane.

Nga ana tjetër ajo premtoi ndihmën e shqiptarëve në Amerikë dhe me kryetari ne ri të PD-së, siç tha ajo një punë shumë intensive për të punuar shumë afër me Partinë Republikane amerikane.

“Kam ardhur në Shqipëri vetëm për juve. Në 23 vjetët e fundit, unë kam qenë në Shqipëri vetëm 20 ditë dhe kam ardhur t’ju flas direkt sepse PD është në krizë totale. Unë jam amerikane, por e lindur dhe e rritur në Tiranë. Ndërkohë që z. Berisha fliste për pluralizmin, më erdhi në mendje kushërira ime Musine Kokalari që luftoi për pluralizmin dhe fati i saj ishte aspak i mirë. Mua më vjen keq që pas kaq vitesh dhe 30 vitesh demokraci, Shqipëria është në po atë pikë dhe PD është marrë peng nga socialistët dhe ne nuk kemi absolutisht opozitë në Shqipëri.

Jam shumë dakord që Lulzim Basha duhet të jetë ish-kryetari i PD-së. Problemi nuk është tek paaftësia e Lulzim Bashës, por problemi është se nuk ka arritur të ketë bazën me vete. Kam idenë se nëse Basha do shkonte në një nga qytetet shqiptare për të mbledhur bazën, nuk do arrinte të mblidhte as 5 veta. Më vjen çudi që ku shkon zoti Berisha ka një bazë shumë të fortë. Kjo është e vetmja gjë që do shpëtojë PD-në. Zoti Berisha ka një detyrë jo vetëm ta kthejë PD-në në 1991, por duhet ta rindërtojë me parimet e Partisë Republikane amerikane. Kjo është arsyeja pse unë jam këtu. Po përfitoj nga rasti të fus pikëpamjet e Partisë Republikane amerikane në Partinë Demokratike të Shqipërisë. Kam idenë që e djathta dhe linja konservatore nuk kuptohet mirë në Shqipëri. Është detyrë e juaja të edukoni bazën për ta kuptuar. PD beson jo vetëm tek liria e individit, por dhe përpjekjet për një jetë sa më të mirë.

Zoti Berisha duhet jo vetëm të reformojë PD-në por edhe mënyrën si funksionon. Fushatat primare. Më ka bërë përshtypje që Lulzim Basha kishte fuqinë për të vendosur shumë kandidatë e deputetë që janë afër tij. Bashës i ka mbetur logo dhe vula, të tjerët, baza është këtu me ne. Më vjen keq që zoti Berisha bën këto takimet dh shpjegohet për pafajësinë e tij, kam idenë që as nuk duhet ta bëjë këtë. E vetmja gjë që duhet bërë, është që secili nga ju që ka të drejtën e votës, të shkoni të firmosni formularët që të thirret kuvendi. Duhen 1400 firma, kam idenë që do mbledhim më shumë, sa më shpejt aq më mirë. Ju premtoj vetëm një gjë, ndihmën e shqiptarëve në Amerikë do e keni, ndihmën njerëzve si puna ime dhe sapo të kemi kryetari ne ri të PD do fillojë një punë shumë intensive për të punuar shumë afër me Partinë Republikane amerikane”, deklaroi Evi Kokalari.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb