Ndeshja e së dielës mes Spanjës dhe Rusisë mund të luhet në një fushë plot me ujë, meqenëse parashikimet e motit thonë se Moska do të ketë një stuhi të fortë me shi, erë dhe breshër që do të zgjasë deri të dielën në mbrëmje.

Ministria ruse e Emergjencave lëshoi ​​një paralajmërim për t’u kërkuar moskovitëve që të merrnin masat paraprake, para arritjes së një fronti me “shira të forta, stuhi, breshër dhe me erëra me shpejtësi deri në 22 metra në sekondë”.

Autoritetet ruse u rekomandojnë banorëve të Moskës dhe turistëve të shumtë që janë në qytet për të qëndruar në shtëpitë e tyre (ose hotelet) dhe të mbajnë dritaret të mbyllura.

Pavarësisht nga stuhia, kryeqyteti rus është ende duke vuajtur një verë të ngrohtë e të pazakontë, me temperatura që shkojnë deri në 27 gradë Celsius.

Është mbushur një vit që nga stuhia më e fortë në 100 vjetët e fundit me rrebeshe shiu që ra në Moskë, si pasojë e së cilis dy persona vdiqën nga rrufetë. Erërat që shoqëruan atë stuhi hodhën në tokë pothuajse 1200 pemë dhe u dëmtuan pothuajse 100 makina.

Vetëm dy muaj më parë, në maj, kryeqyteti rus kaloi stuhinë më të fortë të erës në historinë e tij, e cila la të vdekur gjashtëmbëdhjetë persona dhe shkuli nga rrënjët gati 20,000 pemë.

Ndeshja me eleminim të drejtpërdrejtë Spanjë-Rusi, e vlefshme për fazën e 1/8 të Botërorit, luhet më 1 korrik, në stadiumin “Olimpik Luzhniki”, në orën 16.00./ata/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb