Personazhi tjetër në programin e sotëm të ‘Festa e Këngës’ në News24, nga Gjergj Leka, është Liliana Kanina. Ajo prej vitesh jeton së bashku me familjen në vendin fqinj Greqi. Liliana Kanina sjell një këngë shumë të veçantë, me tekst të një mikes së tyre dhe muzikë të Dash Krujës, një fizarmoniçist por edhe një person shumë i lezetshëm.

Të dy së bashku marrin pjesë në shumë aktivitete atje, por skena e tyre e vërtetë është skena shqiptare. Mënyra si ato kanë sjellë këngën e tyre, nëpërmjet celularit është shumë e veçantë, por një muzikë e mirë nuk ka rëndësi si të vjen, rëndësi ka si ajo përçohet tek ai që e dëgjon për herë të parë dhe kjo këngë pa dyshim do ju bëjë për vete sa ta dëgjoni. Në Greqi si në shumë vende nuk lejohet duhani dhe në tavernën ku ato interpretojnë është edhe vendi ku njerëzit dalin përjashta për të pirë cigare dhe në një nga këto momente kur ato kishin mbaruar cigaren, interpretojnë në rrugë jashtë lokalit këngën që do të sjellin në Festa e Këngës Shqiptare.

Kjo këngë ka një veçanti titullohet ‘Dy nënat’ dhe është fjala për Shqipërinë dhe Greqinë dhe fjalët janë shumë emocionuese: Unë një nënë kam, që është Shqipëria, por nënë e dytë mu bë Greqia’.

Vendi që i hapi krahët, i mbajti në gjirin e tij, ku jetojnë prej vitesh. Greqia i ka birësuar, por numri një mbetet Shqipëria. Një këngë shumë interesante, që të kujton këngën e David Tukiqit me Nertila Kokës, ‘Sagapo të dua’. Në vazhdën e fqinjësisë së mirë këto këngë na bëjnë të ndjehemi mirë, duke qenë mirënjohës për ata që hapën dyert për ne dhe na pranuar në gjirinë tyre, por pa harruar kurrë ‘tokën që na bëri kokën’. Kënga ‘Dy nënat’, me tekst të Valbona Markut dhe muzikë të Dashnor Krujës, trajton këtë temë për të cilën ne kemi aq shumë nevojë.

(da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb