Duket se të gjithë specialistët e futbollit në Angli e shohin Armando Brojën ndryshe nga trajneri i përfaqësueses shqiptare, Edi Reja. Ky i fundit insiston vazhdimisht se Broja do të luajë rregullisht kur të sakrifikojë për ekipin duke bërë sulmin, por edhe mbrojtjen, si dhe ka vënë në dyshim profesionalizimin e sulmuesit.

Por pas Xho Kol dhe Martin Kioun, ka qenë një tjetër legjendë e futbollit anglez, ish-sulmuesi Ian Rajt, ai që ka kundërshtuar idetë e teknikut të kuqezinjve. Duke marrë për bazë ndeshjen e fundit ndaj Uest Hem, ai kishte lëvdata për Brojën duke e vlerësuar si një futbollist i cili bënte gjithçka për skuadrën e tij.

“Disa nga lojtarët e Uest Hem kishin ndeshje të dobët, por duhet t’i japim Sauthempton atë që meriton. Kalj Uoker-Piters luajti mirë, Redmond luajti mirë, Broja me të vërtetë dha gjithçka për skuadrën dhe fitoi penalltinë. Ishte penallti, nuk ka diskutime dhe ju e njihni Uard-Praus, ai nuk do të gabojë”, tha Rajt duke komentuar ndeshjen e fundit të Sauthempton për BBC.

Një deklaratë e qartë që bie ndesh me atë të teknikut të kuqezinjve, i cili duket gjithnjë e më shumë në minorancë në qëndrimin e tij ndaj Brojës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb