FIER

Zbulohet një tjetër vilë e kthyer në shtëpi bari, kësaj here në Fier.

Arrestohet në flagrancë pronari i vilës 3-katëshe, i cili kishte përshtatur 5 dhomat e njërit kat, për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Vihen në pranga edhe faturisti dhe elektricisti i OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Sekuestrohen 181 bimë narkotike të cilat ishin kultivuar në vazo që u gjetën brenda ambienteve të përshtatura me llamba, dhjetëra llamba dhe pajisje të tjera elektrike që ishin instaluar në 5 ambientet e banesës.

Gjithashtu, u bë bllokimi i vilës 3-katëshe në ambientet e së cilës ishin kultivuar bimët narkotike.

Në vijim të punës për goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike në ambiente të hapura e të mbyllura, si rezultat i kontrollit të imtësishëm të territorit, mbështetur në inteligjencën policore se në fshatin Dërmënas, në vilën e shtetasit Erjon Marini kultivoheshin bimë narkotike, është organizuar dhe finalizuar nga Komisariati i Policisë Fier, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, operacioni policor i koduar “Vila”.

Në kuadër të këtij operacioni, në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– Erjon Marini alias Xhevair Gashi, 44 vjeç, banues në Dërmënas, Fier, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”. Ky shtetas është pronari i vilës në të cilën Policia zbuloi 5 ambientet e përshtatura për kultivim të bimëve narkotike;

– Klajdi Gremi, 40 vjeç, banues në Fier, me detyrë faturist i OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

– Behar Fata, 47 vjeç, banues në Fier, me detyrë elektricist i OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të dyshuar të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon dhe hetimi pasuror ndaj pronarit të vilës, shtetasit E. M.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, për veprime të mëtejshme.

Më 11 shkurt një super vilë luksoze për rritjen e kanabisit u zbulua në Vlorë gjatë operacionit “Indoors”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb