TIRANË

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar ‘turp’ për Bashkimin Europian mosliberalizimin e vizave për Kosovën. Në konferencën e përbashkët për mediat, me kryeministrin e Kosovës Avdullah Hoti, Rama tha se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe se arsyeja e mosliberalizimin është në Europë.

“Në kushtet e nevojës për të përparuar më shpejt në gjithë procesin e kohezionit strategjik lidhur me jetën e përditshme të njerëzve dhe lëvizjen e mallrave, Shengeni rajonal mbetet në këndvështrimin tim një program ku shqiptarët duhet të shohin bashkërisht interesin e tyre strategjik. Në rast se ne futemi bashkërisht në kornizën e shengenit rajonal, askush nuk na pengon që ne të hapim përfundimisht kufirin për lëvizjen e njerëzve pa asnjë kontroll. Çka thashë për doganën do të vlejë për njerëzit në qarkullimin mes Kosovës e Shqipërisë. Ndërkohë që dy ministritë e brendshme kanë punuar për të krijuar bazën e përbashkët të të dhënave lidhur me perimetrin e sigurisë dhe hyrje daljen në të gjitha pikat të njerëzve në Shqipëri apo Kosovë.

Është një turp për BE që sot e gjithë ditën mban peng një popull. I vetmi popull i marrë peng në kontinentin tonë që ende ndalohet të lëvizë i lirë si të tjerët pasi si shtet i ka plotësuar të gjitha detyrimet

Arsyeja nuk gjendet në Kosovë, nuk gjendet në ndonjë paaftësi të Kosovës për të përmbushur detyrimet, janë përmbushur dhe janë njohur nga vetë KE. Arsyeja është në Europë, në politikën e brendshme të BE-së që gjithmonë kur marrin vendime për ne, nisen nga kalkulimet për qëndrueshmërinë elektorale të forcave që qeverisin. Ky nuk është as sekret as ndonjë turp në vetvete, turp është që Kosova nuk lëviz e lirë jo për ndonjë faj por si rezultat i refuzimit që i bëhet nga BE”, deklaroi Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: