NGA: DW
Kabineti i ri i Donald Trump po merr formë. Ultra i djathti, Stephen Bannon, i cili ka drejtuar fushatën e Trump, u vendos si kryestrateg i Shtëpisë së Bardhë, me këtë post një nga personat më të rëndësishëm në ekipin e Donald Trump. Vetë Trump është shprehur përmes “Twitter”-it se “shpejt do të marr vendime të rëndësishme për njerëzit që do të jenë pjesë e qeverisë”. Miliarderi Donald Trump, pa përvojë politike, pritet të marrë njerëz me përvojë në kabinetin e ri. Në media qarkullojnë emra të mundshëm, të besuar të Trump gjatë fushatës elektorale. Kështu, si Sekretar i Departamentit të Shtetit përmendet ishzëdhënësi i Dhomës së Përfaqësuesve, Newt Gingrich. Por ai është përmendur edhe për postin e kreut të shtabit në Shtëpinë e Bardhë. Ndërsa për postin e ministrit të Drejtësisë qarkullojnë emra si Rudy Giuliani, ish-kryebashkiaku i New Yorkut, por edhe Chris Christie, guvernatori i shtetit federal, New Jersey. Për poste në qeverinë e Trump vazhdojnë të përmenden edhe emra si Reince Priebus, kreu i republikanëve, apo menaxherja e fushatës elektorale të Donald Trump, Kellyanne Conway, përgjegjësi për financat gjatë fushatës, Steven Mnuchin, ishkandidati presidencial, Ben Carson si dhe ish-kreu i shërbimit sekret të ushtrisë, Michael Flynn. Një ndryshim në ekip, Trump e ka bërë ndërkohë. Zëvendëspresidenti Mike Pence është emëruar edhe kreu i ekipit të përkohshëm, që aktualisht mbahej nga Chris Christie.

Telefonata me Merkel dhe Hollande Presidenti i sapozgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka kohë më shumë se dy muaj për të vendosur për emrat e qeverisë. Betimi i presidentit bëhet më 20 janar. Ndërkohë që protestat në SHBA kundër Trump kanë vazhduar, në shumë vende ekziston pasiguria, se si e në cilin drejtim do ta çojë Trump Amerikën. Vetë Trump ka telefonuar për herë të parë (11:11) Kancelaren Angela Merkel dhe presidentin francez, Francois Hollande. Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Georg Streiter në Berlin është shprehur se Merkel e ka uruar Trump për suksesin. Në bisedën 10- minutëshe të dyja palët kanë shprehur se duan të punojnë së bashku.

Në takimin me presidentin Hollande po ashtu është theksuar bashkëpunimi dypalësh, por gjithashtu është rënë dakord që të “sqarohen pozicionet” në disa tema, si në Siri, në Ukrainë dhe në marrëveshjen e Parisit për klimën. OBAMACARE MBIJETON Duket se Trump që tani po e ndryshon qëndrimin për disa deklarata në fushatën elektorale. “Një gjë është e sigurt, – ka thënë Trump – Obamacare do të jetë gjëja e parë që do të shfuqizoj”, – por tani pas votimit si president, ai nuk duket aq i pakompromis. Në një intervistë për “Wall Street Journal” ai ka thënë se së paku disa pjesë të reformës së shëndetësisë do të mbeten. Nga ana tjetër, Trump është shprehur se do të trajtojë shumë shpejt temat e imigrimit, sigurisë së kufijve dhe derregullimit të tregjeve financiare.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: