Teksa kalendari shënon datën 7 mars 2019 , nostalgjia e kujtimet të kaplojnë dhe në këto çaste ato që të ndihmojnë më shumë janë fotografitë e letrat dhe urimet e ish- nxenesve , që me dashuri e mirënjohje dhe kur kanë mërguar shumë larg nuk të kanë harruar , por të kanë shkruar dhe uruar festën e mësuesit, profesionit tend të parë, të vetmit profesion që edhe kur i kalon koha nuk mund të të thonë ish- mësuesja , po ajo apo ai do të thonë : E shikon atë , ajo është mësuesja ( zysha)ime , që me ka mësuar dikur. Këtë ndjesi pata edhe kur çova Solein në Teatrin e Kukullave dhe pashë Florin, që luante rolin kryesor në atë shfaqe për fëmijë. e kur mbaroj shfaqen i tha sime mbese :”Zysh Nora më ka męsuar të jem ky që jam bërë sot..”Ndjeva lumturi brenda vetes , se tashmë kuptova që 31 vite , që e ushtroj këtë profesion , dukur si mësuese e tani si pedagoge, pa u ndarë asnjehere, nuk më kishin shkuar dëm. Teksa shfletoja letrat e ardhura dhe të ruajtura ndër vite nga Blerina , Isida , Valbona , Ilda dhe shumë urime e kartolina , u ndjeva e realizuar në misionin tim , atë të mësimdhënies, që me aq dashuri e bëj dhe sot . Emocionet e këtij profesioni më kanë shoqëruar tërë jetën dhe gjithnjë e më shumë kam kuptuar se auditori është magjia që më bënë të ndjehem si Anteu, më këmbë në Tokë . Ndjej se kur kam qenë si pranë nxënësve dhe tani pranë studentëve , përherë kam kuptuar se dija bëhet e qendrueshme kur t’i inspiron dhe i bënë ata , nxënësit apo studentët e tu , të ndjehen të frymëzuar nga shkolla , duke i edukuar me vetëbesim , të cilët ndonëse i zhvillojnë leksionet apo mësimin në mjedise ndoshta pa suva dhe pa ngrohje, por në vetvete janë potencial i pallogaritshëm në të ardhmen e secilit prej tyre dhe të vendit, për atë çka ti i inspiron.
Gjithnjë kam dëshiruar ka qenë që nxenesit apo studentet e mi të jenë njerëz që kanë aftësinë të krijojë, të rrëfejnë , të ndjehen mirë, të shpresojë, të ketë hapësirë të argëtohet dhe të mësojë, sepse përballë ka njëri që i frymëzon . Dhe ky është Mësuesi, i cili i sheh gjërat nga lart, i kontrollon, vigjëlon, me butësi, me ngrohtësi ndihmonë nxënësin të kapërcej sfidat e padijes , duke kapërcyer erresiren dhe duke udhëtuar së bashku me ta drejt dritës së dijes . E ky është qëllimi më i bukur që kanë së bashku , mësuesi apo profesori dhe nxënësi e studenti , i dituri dhe ai më pak i dituri , po që do të ndriçohet nga drita e mësuesit apo profesorit të tij.
Une e di se mësuesit apo profesorët edhe sot nuk janë të paguar aq sa duhet, di se secili ka probleme të shumëllojshme në shtëpi , por dashuria për të nxitur mendimin dhe besimin te të rinjtë, dëshira për t’i parë të vërtetë dhe të lirshëm në idetë e tyre, që kur të shohin mësuesin,mos të ndjehen në kafaz , por në një mjedis ku kryefjala është mprehja e mendjes dhe lëmimi i shpirtit , nuk besoj se pagesën është motivi kryesor për të rrezatuar këtë energji. Ajo është diçka e brendshme. Është motivi qe ti ke bërë për zgjedhje tende dhe kërkon shumë energji, por nëse zgjedhim ta bëjmë, është shumë e lehtë. Atëherë , ajo bëhet shumë e natyrshme dhe kënaqësia që merret më pas është shumë më e madhe dhe nuk ka lidhje me paranë. Këtë ndjesi përjetova kur lexoja urimet e tyre dhe mendoj se ku janë ata sot dhe sa më të zot se unë janë bërë ! Ky është motivi i jetës , që të bënë të ndjejesh krenare! Ndaj e ndjej se sot në këtë ditë të shenjtë për arsimin , dua t’ju uroj ju , nxënësit e studentët e mi , që besuat te unë dhe armata e mësuesve për t’u bërë ne , udhërrefyesit tuaj , në fushën e vështirë po sfidante të dijes !
Të mos harrojmë, për një pjesë të madhe, për ata që kemi edukuar të breza , jo të gjithë kanë qenë ekselent në nota , po në të vertet ata janë ekselentë si qytetarë , pasi dinë të guxojnë, të shprehin lirshëm mendimet e tyre, ndjehen të vlefshëm e kurajozë , sepse janë mësuar të jenë të tille e për këtë arsye unë sot , në kete 7 Mars ndjehem krenare për të gjithë ju brezat që ju mësuam e edukuam e bashkë me ju , u rritëm dhe u përsosëm edhe vet , duke mësuar nga gabimet tona dhe nga dlirësia juaj. E jo vetëm unë , po të gjitha brezat e arsimtarëve , që vlerën e punës së tyre e shohin te brezat dhe te ardhmja, sot urimin më të ndjerë e kanë për të gjithë brezat që edukuan ndër vite ! Se kjo punë është mision , dhe përtej profesionalizmit kërkon pasion , dashuri dhe energji! Nuk mund të ketë mësuese të suksesshëm , nëse nuk mësojnë e edukojnë breza të suksesshëm! Faleminderit për atë sinergji që së bashku nxënës e mësuese kemi bërë ndër vite . Po kemi shumë sifda ende të papërfunduara , të cilat kërkojnë të guxojmë më shumë , të punojmë më shumë , ta duam arsimin si mision për zhvillimin e njerëzimit e të mos lodhemi së rreshturi të luftuari për një edukim cilësor . Dhe në fund , nuk duhet të harrojmë se mësuesi dhe nxënësi jane binomi , pa të cilët shkolla nuk do të ekzistonte . Ndaj shkolla është vendi ku të bën të lirë, ta dish! Një njeri i shkolluar mirë nuk është një njeri dosido; një njeri i shkolluar mirë është një njeri i lirë. I LIRË dhe me shtyllë të plotë kurrizore , për t’i qëndruar mandej kurtheve të jetës nga të cilat po të përmend veç dy më të zorshmet: servilizmin e mendjes dhe korrupsionin e shpirtit. Pyete veten çdo natë a do të mbrohesh nga këto dy kurthe. E nëse vetja të thotë po, atëherë shkollohu mirë, studio fort dhe do gjesh mbrojtjen! Ndaj , falenderimet shkojnë me zemer për ju ish – nxenësit e mi që sot jeni dikushi në jetë dhe për ju ish -kolegët e mi dhe të gjithë armatën e mësuesve e pedagogëve , që nuk rreshtni së dashuri dhe kontribuar në këtë profesion , që në fakt është misioni më i rëndësishëm i njerëzimit ! Gëzuar 7 Marsin ! Zoti i bekoftë mësuesit !

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb