Partnerët e koalicionit qeveritar, kanë kërkuar nga kryeministri Zaev të mbetet në krye të Qeverisë dhe shumica aktuale të vazhdojë punën deri në fund të mandatit. Nuk dihet ende se cili është vendimi përfundimtar i Zoran Zaevit i cili mbrëmë njoftoi dorëheqjen nga posti i kryeministrit dhe i kryetarit të LSDM-së, pas disfatës në zgjedhjet lokale.

Zëvendëskryeministri i vendit, Artan Grubi, ka thënë se të gjithë aleatët njëzëri janë shprehur se prononcimi i mbrëmshëm i kryeministrit Zaev për dorëheqje ka qenë i nxituar. Prandaj, ata si aleatë i kanë kërkuar të mos japë dorëheqjen, sepse sipas tij, këto zgjedhje nuk kanë të bëjnë me mazhorancën parlamentare. Ministri i Bujqësisë dhe njëherazi edhe sekretar i Lëvizjes Besa, Arianit Hoxha, tha se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të ishin të gabuara. Ai tha se kjo mazhorancë ka marrë një mandat të qartë për të vazhduar qeverisjen 4-vjeçare. Sipas Hoxhës, shkuarja në zgjedhje të parakohshme në këtë moment do të ishte një katastrofë për vendin. Ai e cilësoi të nxituar prononcimin e kryeministrit Zaev për dorëheqje, pa u konsultuar më herët me partitë e koalicionit.

 

 (BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb