Ditën e sotme, Tirana marshoi për paqen në formë solidarizimi për të drejtën e çdo qytetari për të qenë i lirë, ndërkohë që një minutë heshtje është mbajtur për viktimat në 1 vjetorin e nisjes së agresion rus.

Pas nisjes së konfliktit të armatosur, të shumtë ishin qytetarët ukrainas të cilët zgjodhën vendin tonë si destinacion i sigurt për t’i shpëtuar luftës.

Në një intervistë të dhënë për gazetaren e News24 Aurora Golemi, ata kanë dëshmuar për  mallin për atë që lanë pas, pritjen që u kanë bërë shqiptarët dhe jetesën në vendin tonë [prej rreth një viti si dhe shpresat se në një të ardhme të shkurtër lufta do të marrë fund dhe do të arrijnë të kthehen në Atdheun e tyre.

“Ne jetojmë në Durrës. Shqiptarët janë një popull që na kanë ndihmuar shumë. Fatmirësisht nuk kemi humbur asnjë të afërm nga lufta, megjithatë njohim shumë të tjerë që nuk kanë qenë kaq me fat. Në vetëm një vit luftë mijëra bashkëkombas tanë kanë humbur jetën.

Pas nisjes së luftës ishte një situatë shumë e vështirë në Zaporizhia ku ne jetonim. Raketat ruse binin mbi qytet, ndërsa sirenat e alarmit që sinjalizonin sulmet binte çdo dy orë.

Për të mbijetuar detyroheshim të strehoheshin në bodrume me së bashku me fëmijët.
Në atë kohë fëmija im ishte vetëm 2 javësh dhe shpesh detyroheshim të mos shkonim në vendstrehime të tilla për shkak të tij. Një vështirësi tjetër me të cilën përballeshim ishte pa dyshim sigurimi i ushqimit dhe ujit të pijshëm. Megjithatë situata tashmë është më e qetë.
Na mban shpresa se kjo luftë do përfundojë dhe do të mundemi të kthehemi në Atdhe. Ukraina është jeta jonë”, ka deklaruar Volidimir Peret-yatko që është zhvendosur në Durrës nga Zhaporizhia.

Ndërkohë, Marina Ivliva, tregon se sa i mungon jeta në e Odesa, edhe pse vlerëson mënyrën se si janë sjellë shqiptarët me të.

“Jam nga Odesa dhe kemi një vit që jemi vendosur në Tiranë. Jam zhvendosur me djalin tim të vogël, ndërsa pjesa tjetër e familjes është në Ukrainë.

Pas ardhjes në Shqipëri vendosa të jetoj në Durrës, pasi ky qytet bregdetar më kujton Odesën time. Në fillim kishim pasiguri pasi nuk e dinim se ku do të jetonim apo se si do të ishte jeta në vendin tuaj, por kemi takuar kaq njerëz të mirë saqë ndjej sikur kjo është shtëpia ime e dytë. Shqipëria është një vend i mrekullueshëm dhe duhet të jenë shumë krenar për të.
Situata në Ukrainë nuk është aspak e mirë dhe ekziston kudo rreziku, por gjithsesi do të iki sepse më ka marrë shumë malli. I jam falenderuse Zotit që si pasojë e luftës nuk kam humbur asnjë familjar, por shumë miq të mi kanë humbur persona të rëndësishëm, civilë apo pjesë e ushtrisë”, tha ajo.

“Jemi zhvendosur nga Kievi në Shqipëri.
Jeta jonë në Ukrainë ishe aq bukur para luftës dhe shpresojmë që agresioni rus të përfundojë shpejt e të mund të rikthehemi në Atdhe. Kishim bizneset dhe jetën tonë atje, por ishte lufta ajo që na i prishi planet. Ne presim vetëm fitoren, nuk shpresojmë të fitojmë, jemi të sigurt që do të jemi ne fitimtarët në fund të konfliktit”, deklaron një tjetër ukrainase.

Ndërkohë një tjetër ukrainase, Marina, rrëfen se do të rikthehet në Ukrainë pasi bashkëshorti i saj vijon të jetë në Kiev.

Ajo rrëfen se e ëma ka ndërruar jetë dhe se është e bindur se nëse do të ishte pranë saj për tu kujdesur për të, mbase ajo nuk do të ishte larguar nga kjo botë.

“Jam zhvendosur në Tiranë së bashku me dy fëmijët e mi por bashkëshorti im është ende në Kiev. Jeta jone ndryshoi drastikisht me nisjen e luftës, u detyruam të braktisim shtëpitë tona.

Shqiptarët janë një thesar, na kanë ndihmuar shumë. Megjithatë dua të kthehem në vendlindje, dua të takoj bashkëshortin tim.
Ai është në Kiev dhe nuk mund të largohet nga vendi. Mundohemi të ndihmojmë me sa mundemi me donacione, në mënyrë që t’i lehtësojmë situatën për ushtrinë tonë që të çlirojë vendin.

Gjatë pushtimit rus nëna ime humbi jetën. Jam e sigurt se nëse unë do të isha pranë saj ajo nuk do të kishte ndërruar jetë”, tha ajo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: