Ambasadori i Ukrainës në vendin tonë, Volodymyr Shkurov, në një intervistë në emisionin “Kjo Javë” në News24 me gazetaren Nisida Tufa, ka folur në lidhje me situatën e vështirë të cilën po kalon vend i tij që nga nisja e agresionit ushtarak një vit më parë nga Rusia.

Ambasadori ka treguar se shumë qytete të vendit të tij janë të shkatërruara totalisht, dhe pas sulmeve të ushtrisë së Putinit, në to nuk jeton më asnjë banor i vetëm dhe asnjë ndërtesë nuk ka mbetur pa u shkatërruar.

Sa i përket pritshmërive të Ukrainës se kur do të përfundojë lufta, Shkurov tha se sipas informacioneve të marra nga shërbimet e inteligjencës, Rusia pretendon t’ia marrë shpirtin vendit të tij, por shtoi se nëse furnizimi me mjete vijon siç duhet, lufta mund të përfundojë në pranverë.

Pjesë nga biseda:

NISIDA TUFA: Përshëndetje zoti Ambasador, faleminderit që na pritet në zyrën tuaj. Zoti Ambasador, me 24 shkurt u bë një vit nga vendimi i presidentit rus Vladimir Putin për të futur ushtrinë në Ukrainë. Si e gjeti popullin e Ukrainës ky përvjetor pushtimi?

AMBASADORI: Ka qenë një vit i vështirë, pasi lufta që ka nisur në 24 shkurt ishte diçka e papritur për popullin e Ukrainës. Ne e dimë për humbjet e mëdha të jetëve njerëzore, përfshirë, fëmijë, gra e njerëz të moshuar. 9767 persona kanë humbur jetën gjatë konfliktit, nga të cilët 461 janë fëmijë, 12 mijë e 567 kanë marrë dëmtime të ndryshme. Këto janë shifrat e pjesës së Ukrainës që e kemi sot nën kontroll dhe jo për pjesën e territoreve të okupuara. Përveç humbjeve të jetëve njerëzore ka shumë shkatërrime edhe në ndërtesat civile. Janë shumë qytete që sot nuk ekzistojnë fare. Mund të përmendim të paktën 10 qytete që janë shkatërruar plotësisht. Nëse do të shikoni në Google, për qytetin Marinka që ndodhet në rajonin e Donjeskut, ka patur 10 mijë banorë, por sot është shkatërruar plotësisht, aty ka 0 banorë dhe 0 ndërtesa. Edhe për palën ruse, ka qenë një provë shumë e fuqishme. Në fakt edhe pala ruse u përball me robërimin e ushtarëve të saj, me mungesën e ushqimeve, me nevojën e krematoriumeve të lëvizshme, por me e rëndësishme janë përballur me rezistencën dhe unitetin e popullit të Ukrainës. Edhe pse i kemi pothuajse të përditshme bombardimet në qytete të ndryshme të Ukrainës, dua të nënvizoj edhe rezistencën që sot ekziston në popullin e Ukrainës. Dua të përmend çlirimin e ‘Ishullit të Gjarpërinjve’, shkatërrimin e anijes së emëruar Moska, e cila ka qenë një bombarduese. Janë raste të tilla që provojnë rezistencën e Ukrainës. Por më e rëndësishme në këtë mes është uniteti i popullit të Ukrainës, një unitet që nuk e kishte menduar njeri deri tani.

NISIDA TUFA: Në bazë të analizave që ka bërë Kievi, sa mund të zgjasë kjo situatë?

AMBASADORI: Kemi marrë disa informacione nga shërbimet sekrete të cilat thoshin se pala ruse pretendon t’i marrë shpirtin Ukrainës dhe popullit të Ukrainës dhe prandaj kjo luftë mund të zgjasë. Megjithatë pala e Ukrainës mendon se lufta mund të mbaronte në pranverën e këtij viti gjithmonë nëse do të marrim ndihmën e plotë dhe në kohë nga partnerët tanë ndërkombëtare. Sepse aktualisht të gjitha çështjet janë duke u vendosur në fushën e betejës dhe sipas statistikave të fundit 95% e popullsisë besojnë në fitore. Por çmimi i kësaj fitoreje është shumë i lartë, pasi ne po flasim këtu për jetët e njerëzve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb