Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, kujton tërmetin tragjik të 26 nëntorit 2019, teksa shprehet se “një vit më parë zemrat tona u ndanë më dysh prej tërmetit që tronditi themelet e Shqipërisë”.

Mes të tjerash, Kryemadhi thekson se “Ende sot, 1 vit nga ngjarja tragjike, familjeve që i mbijetuan tërmeteve nuk iu është mundësuar një strehim i sigurtë por janë lënë në mes të rrugëve, pa zgjidhje”.

Mesazhi i Kryemadhit:

Një vit më parë, zemrat tona u ndanë më dysh prej tërmetit që tronditi themelet e Shqipërisë, duke rezultuar në humbjen e jetëve të 51 qytetarëve tanë. Solidariteti vëllazëror mes shqiptarëve dhe mbështetja e miqve të huaj na mundësoi të qëndronim në këmbë gjatë atyre momenteve shumë kritike pasigurie për familjet shqiptare, për ekonominë shqiptare, për biznesin dhe punonjësit.

Lëkundjet e tokës, treguan për të gjithë, Shqipërinë përtej fasadës së Rilindjes. Pas tyre, Shqipëria pati një përballje katastrofike me krizën që la pas tërmeti. Ende sot, 1 vit nga ngjarja tragjike, familjeve që i mbijetuan tërmeteve nuk iu është mundësuar një strehim i sigurtë por janë lënë në mes të rrugëve, pa zgjidhje. Ndërsa ekonomia dhe papunësia vazhdon përkeqësimin, shqiptarët vazhdojnë emigrimin.

Rindërtimi nuk duhet të përdoret nga qeveria si një program propagande. Krizat kërkojnë lidership të përgjegjshëm në drejtim, që nuk nxit probleme por zgjidh probleme. Ka nevojë për drejtues që të kenë ndjeshmëri ndaj qytetarëve dhe vizion bashkimi për zgjidhjen sa më të shpejtë dhe të plotë të krizave, të problemeve ekonomike dhe sociale që ato shkaktojnë. Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë për një qeveri që punon për të gjithë, jo vetëm për ata të lidhur me të.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb