KUMANOVE- Datat 9 dhe 10 maj të vitit të kaluar do të ngelen gjatë në memorien e banorëve të “Lagjes së Trimave” në Kumanovë. Këto dy ditë kanë qenë tmerr për ta pasi në afërsi të shtëpive të tyre u zhvillua një konflikt mes policisë, ushtrisë të Maqedonisë dhe grupit të armatosur që njihet si ”Grupi i Kumanovës”.

Nga ky aksion mbetën të vrarë 8 pjesëtarë të sigurimit shtetëror ku figuron edhe një shqiptar i vrarë, Isamedin Osmani. Nga grupi shqiptar i armatosur mbetën të vrarë 11 persona, ku njëri ka bërë vetëvrasje. Shqiptarët e ”Grupit të Kumanovës” ishin të udhëhequr nga Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj, të cilët mendohet se janë vrarë pas dorëzimit.

29 persona shqiptarë të burgosur, kryesisht nga Kosova ende janë në procedurë gjyqësore ku disa herë kanë deklaruar se janë pafajshëm.

Dëshmi e fortë nga seanca gjyqësore për rrjedhen e aksionit është edhe nga pjesmarrësi shqiptar, tani i burgosur, Nasuf Beqiri. “Kërkoj prej BE-së dhe SHBA-së të zbardhin rastin sepse ne nuk jemi terroristë. Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj na kanë thënë se ne vetëm do të jemi figura dhe nëse vjen policia do të gjuani vetëm lartë dhe nuk do t’i sulmoni ato. Edhe një fëmijë dy-vjeçar e di se ne kemi qenë të shfrytëzuar për qëllime politike prandaj nuk e pranojmë fajin dhe kërkojmë drejtësi.” tha Nasuf Beqiri, i akuzuar, transmeton Portalb.

Sot është 1-vjetori i këtij aksioni. Ende nuk është zgjidhur ky rast. Qytetarët e “Lagjes së Trimave” thonë se shtëpitë e dëmtuara nga ky aksion nuk janë ri ndërtuar, ashtu siç u premtua nga shteti.

Para disa ditëve kryetari i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov i dekoroi me titullin ”Medalje Nderi” për policët e vrarë.
(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb