Në njëvjetorin e ndarjes nga jeta të Kasem Hysenbelliut, ish-drejtorit të gazetës “Panorama”, përmes një mesazhi prekës, Irfan Hysenbelliu shpreh boshllëkun që ai ka lënë për të dhe gjithë familjarët e tjerë.

Sipas zotit Hysenbelliu, një vit mungese pa Kasëemin, tregoi se “sa i pazëvendësueshëm ishte Kasemi, si vëlla i mençur e i sakrificës, si prind model e familjar i shkëlqyer, si menaxher ekselent e biznesmen largpamës, si shok besnik e përherë i respektuar, si njeri i mrekullueshëm”.

MESAZHI I PLOTË

“Ne familjarët e vëllait të ndjerë, në përvjetorin e parë të ndarjes së tij nga jeta, po aq të pikëlluar e zemërthyer sa edhe ditën kur i dhamë lamtumirën para kohe, të shtrenjtit Kasem. Ne jemi mbledhur sërish bashkë, me peshën e dhimbjes që ikja e tij e papritur na shkaktoi për t’i thënë se jetët tona në këtë vit pa të nuk kanë qenë aspak të njëjta. Ai na mungon pafund të gjithëve, ai s’ka qenë fizikisht me ne këtë vit as kur kemi folur për fëmijërinë e përbashkët e as kur kemi diskutuar planet dhe hallet familjare. Ai s’është më as në kafen vëllazërore të mëngjesit e as te titujt e ‘Fax News’-it. Ai këtë vit e sa të kemi frymën është dhe do të jetë me ne çdo sekondë, pjesë e pandarë e çdo kujtimi e bisede, përherë prezent në çdo diskutim apo plan tonin.

Sepse ky vit pa të na tregoi sa i pazëvendësueshëm ishte Kasemi, si vëlla i mençur e i sakrificës, si prind model e familjar i shkëlqyer, si menaxher ekselent e biznesmen largpamës, si shok besnik e përherë i respektuar, si njeri i mrekullueshëm! Sepse ky vit pa ty Kasem na tregoi sa fort të kemi dashur dhe do të duam i paharruari vëllai im i mirë!

PRESIDENTI

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka përkujtuar 1-vjetorin e ndarjes nga jeta të Presidentit të “Fax News”, Kasem Hysenbelliu. Kreu i shtetit e kujton Hysenbelliun si një mik me kontribut të vyer në konsolidimin e lirisë dhe pavarësisë së mediat. “I paharruar kujtimi i mikut dhe Presidentit të ‘Fax News’, Kasem Hysenbelliu dhe kontributi i tij i vyer, për gati dy dekada, për konsolidimin e lirisë dhe pavarësisë së medias. Uroj që ‘Fax News’ të vazhdojë me dinjitet misionin e tij!”.

IKJA E PARAKOHSHME

E shtuna e 5 dhjetorit të një viti më parë përcolli rrufeshëm lajmin e kobshëm, për shumëkënd ishte lajm i pabesueshëm. Kasem Hysenbelli mbylli sytë përgjithmonë, u shua nga COVID-19 në moshën 59-vjeçare në Turqi, duke lënë pas dhimbje të madhe. Përveç për familjen dhe miqtë e tij të ngushtë, ikja nga kjo jetë e Kasem Hysenbelliut ishte jo vetëm e parakohshme, por edhe shumë e rëndë, ishte humbje e thellë. Mungesën e tij edhe pas një viti e ndjejnë të gjithë ata që e kanë njohur dhe sidomos ata me të cilët Hysenbelliu ka punuar gjatë viteve, në mbrojtje të fjalës së lirë dhe të lirisë së shtypit.

Miqtë dhe bashkëpunëtorët e vlerësojnë si personalitet solid, karakter të fortë, njeri modest, të vëmendshëm ndaj mendimeve ndryshe, i apasionuar pas së resë, e vlerësojnë si mikun dhe mbështetësin e gazetarëve të rinj, njeriun e përgjigjes së shpejtë ndaj çdo propozimi, pa paragjykime për opinionet e aktorëve të shoqërisë civile që vinin te hapësira e tij televizive, korrekt me bashkëpunëtorët dhe i qartë në orientimin e tij për trajtimin e problemeve të shoqërisë në televizion.

Një prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Kasem Hysenbelliut është gazetari Enton Abilekaj, i cili punoi me të në televizionin “News 24” dhe më pas “Fax News”. Abilekaj shprehet se ka vlerësuar njeriun modest tek ai, të vëmendshëm, me mendime ndryshe, të apasionuar pas së resë, por mbi e gjitha Abilekaj thekson se Kasem Hysenbelliu ekuilibronte shumë pushtete në peizazhin televiziv, si një njeri që nuk bënte kompromis me fjalën e lirë. “Ai do i shkonte së vërtetës deri në fund dhe do ishte gjithmonë në krahun e atyre që nuk kishin mbështetje.

Pavarësisht se nuk ishte gazetar, ai kishte të njëjtat bindje si ne, gazetarët”. Kasem Hysenbelliu la vulën e suksesit në menaxhimin e gazetës “Panorama”, duke e lënë atë gazetën më të lexuar në vend dhe me tirazhin më të lartë për të kaluar më pas në drejtimin e televizionit “News 24”. Në vitin 2017, sfida e tij ishte ngritja e televizionit “Fax News”, televizion që shpejt gjeti vend në tregun mediatik, në një treg të vështirë për të kapur audiencë. “Pasi u largua nga ‘News 24’-a, ai donte të krijonte një televizion. E bëri ‘Fax News’-in në mënyrën më të pabesueshme.

U bë me kushte modeste, me mjete modeste, ama kishte vetëm një zgjedhje që ishte e padiskutueshme, ai ishte në krah të së vërtetës”, shprehet Abilekaj, i cili shton se “Ishte ne karakterin e tij të ndihmonte njerëzit, gazetarët e rinj i ndihmonte, ndërhynte vazhdimisht për t’i ndihmuar, ishte e pamundur që ta bëjë siç bënte ai”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb