Nga: Hashim Ibrahim Al Sada

Si sot një vit më parë, më 5 Qershor 2017, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti njoftuan ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Katarin dhe vendosjen e një bllokade totale tregtare dhe lëvizjeje nga ajri, toka dhe deti ndaj shtetit dhe popullit të Katarit. Dy javë para kësaj, Agjencia e Lajmeve të Katarit (QNA) u piraterua duke publikuar deklarata të rreme në emrin e Emirit të Shtetit të Katarit.

Të katër këto vende i imponuan Katarit një bllokadë të padrejtë, që nuk u mjaftua vetëm me njerëzit por preku edhe kafshët (devetë), të cilat u dëbuan me forcë nga territori saudit brenda një afati disa-orësh… E gjitha kjo ndodhi gjatë muajit të Ramazanit, në shkelje të shenjtërisë së këtij muaji dhe në kundërshtim me traditat arabe, parimet islame, normat diplomatike dhe politikën e fqinjësisë së mirë.
Bllokada na befasoi vërtet shumë ne katarianëve, pasi nuk e imagjinonim që vendet fqinje me lidhje të forta familjare me ne, do të ndërmerrnin një agresion të pabesë dhe një padrejtësi të tillë ndaj çdo gjëjeje katariane, jo për ndonjë faj tjetër përveç përkatësisë katariane dhe krenarisë për këtë përkatësi.

Akuzat dhe shkeljet e bëra nga vendet e bllokadës
Për shkak të absurditetit të kauzës së tyre, vendet e bllokadës dështuan në mënyrë të përsëritur të gjejnë akuza konkrete ndaj Katarit. Herë akuzuan për mbështetje të terrorizmit, herë për afrimitet me Iranin, dhe një herë tjetër për ndërhyrje në punët e brendshme të vendeve arabe. Sa herë që rrëzohej një akuzë, vendet e bllokadës nxirrnin një të re edhe më absurde se e mëparshmja, dhe asnjëherë – të paktën deri në shkrimin e këtyre rreshtave – nuk paraqitën ndonjë dëshmi reale për të mbështetur pretendimet e tyre, edhe pse ka kaluar plot një vit që nga fillimi i krizës.

Pas gjithë këtij konfuzioni dhe absurditeti nga vendet e bllokadës, ishte e natyrshme që fuqitë e mëdha, veçanërisht Shtetet e Bashkuara dhe Europa të mos i besonin ato akuza e t’i hidhin poshtë ato. Përkundrazi, fuqitë e mëdha vlerësuan në më shumë se një rast rolin aktiv të Shtetit të Katarit në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit, si dhe kontributin e tij për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Gjirit.

Pavarësisht përpjekjeve të shumta ndërkombëtare dhe ndërmjetësimit të Kuvajtit për zgjidhjen e krizës, vendet e bllokadës i vazhduan aktet dhe qëndrimet e tyre agresore dhe përpjekjet për të cënuar sovranitetin dhe dinjitetin e Katarit. Ato u përpoqën ta dëmtojnë dhe demonizojnë Katarin në rang rajonal dhe ndërkombëtar me forma dhe mjete të ndryshme. Jo më larg se 10 ditë më parë, mediat amerikane zbuluan se Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë shpenzuar shuma të mëdha parash për të “blerë” kompani lobuese dhe personalitete me ndikim në Shtetet e Bashkuara në mënyrë që ta drejtonin Uashingtonin kundër Dohas. Vendet e bllokadës përdorën spame e robotë kibernetikë në rrjetet sociale për të nxitur dëshpërimisht popullin e Katarit kundër lidershipit të tij. As fenë nuk e kursyen pa e përdorur për qëllime politike, duke privuar qytetarët e Katarit nga pelegrinazhi (haxhi dhe umre) si formë ndëshkimi. Madje myftiu i Arabisë Saudite tha se “bllokada është në interesin e vetë katarianëve”.

Për fat të keq, ky “interes (i supozuar) i katarianëve” ndikoi dhe dëmtoi rëndë kushtet sociale, humanitare, ekonomike, arsimore dhe shëndetësore të katarianëve studentë, pacientë, biznesmenë etj. që u dëbuan me forcë nga vendet e bllokadës. Shumë familje të përziera (mes banorëve të këtyre vendeve) u shpërbënë.

Këto shkelje u dokumentuan në shumë raporte të organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, ndërsa Komiteti Kombëtar i Katarit për të Drejtat e Njeriut ka skeduar dhjetra mijëra shkelje ndaj qytetarëve katarianë, madje dhe ndaj qytetarëve të vetë shteteve të bllokadës, të cilat pasi e humbën besimin tek qytetarët e tyre miratuan një ligj arbitrar dhe të çuditshëm, që “kriminalizon dhe dënon simpatinë ndaj Katarit”.

Motivet që shtyjnë vendet e bllokadës të sajojnë krizën
Letra me 13 kërkesa që katër vendet paraqitën për t’i dhënë fund bllokadës ndaj Katarit, hedh dritë mbi shumë aspekte që ndihmojnë për të kuptuar më mirë motivet që shtynë katërshen të nisin krizën aktuale të Gjirit dhe t’a zgjasin atë. Letra përfshinte kërkesa qëllimisht të pazbatueshme. Qëllimi real ishte t’a përulnin Katarin dhe ta vendosnin atë nën tutelën e tyre politike.

Ndër kërkesat më kryesore të përmendura në atë letër janë: Reduktimi i marrëdhënieve diplomatike me Iranin, mbyllja e bazës ushtarake turke në Doha, mbyllja e rrjetit mediatik Al Jazeera, ndërprerja e ndërhyrjes (së supozuar të Katarit) në punët e brendshme të vendeve fqinje, koordinimi i politikës ekonomike dhe të sigurisë së Katarit me politikat e fqinjëve, si dhe kërkesa për pagesën e një kompensimi monetar në favor të shteteve të bllokadës.

Që në leximin e parë, është e qartë për këdo që këto kushte nuk janë gjë tjetër veçse një përpjekje për shkeljen e sovranitetit të Katarit, kompromentimin e pavarësisë së vendimit të tij politik, shtypjen e zërit të tij dhe shantazhimin e tij. Gjithashtu kërkesa e fundit tregon pastër lakminë e vendeve të bllokadës ndaj pasurive e resurseve të shtetit dhe popullit të Katarit.

Roli rajonal pionier i Katarit i fituar me mund e meritë, dhe suksesi i tij në arenën ndërkombëtare në shumë fusha politike, kulturore e sportive ngjallën xhelozi dhe zili tek shtetet e bllokadës. Kjo e vërtetë u shpalos qartë kur Emiratet e Bashkuara Arabe i kërkuan paturpësisht Katarit të heqë dorë nga organizimi i Botërorit të Futbollit më 2022, në këmbim të heqjes së bllokadës ndaj tij dhe rikthimin e marrëdhënieve diplomatike.

Qëndrimi i Katarit në lidhje me krizën dhe lëvizjet e tij diplomatike
Nga ana tjetër, Katari i qëndroi besnik politikave të tij parimore dhe morale. Ai nuk ndërmori masa të ngjashme ndëshkuese ndaj qytetarëve të vendeve të bllokadës dhe as nuk i ndërpreu furnizimet me gaz Emirateve të Bashkuara Arabe, e cila 70 % të nevojave të saj energjitike i mbështet tek gazi katarian. Katari është shprehur gjithmonë i gatshëm dhe i hapur ndaj çdo dialogu në funksion të zgjidhjes racionale të krizës, por refuzon diktatet e jashtme që cënojnë sovranitetin dhe pavarësinë e tij. Qëndrimet e ndershme dhe sjellja racionale në marrëdhëniet me të tjerët, përfshirë edhe me shtetet e bllokadës, e rritën nivelin e besimit të komunitetit ndërkombëtar tek Shteti i Katarit.

Këtë gjë e kam vërejtur edhe në Shqipëri. Disa miq të mi zyrtarë shqiptarë më kanë shprehur në konfidencë mbështjetje për Katarin në këtë krizë, por nuk do të donin që në publik të shfaqeshin në krahun e njërës palë kundër një tjetre. Personalisht, kam ndjerë gjithashtu edhe simpatinë dhe solidaritetin e popullit mik shqiptar me popullin katarian gjatë kësaj periudhe krize.

Në këtë kuadër, vendet kryesore europiane, si dhe Departamenti i Shtetit dhe i Mbrojtjes së SHBA-së, mbështetën që në ditët e para të krizës pozicionin parimor të Katarit.

Shteti i Katarit i forcoi marrëdhëniet e tij me Shtetet e Bashkuara në të gjitha nivelet nëpërmjet Dialogut Strategjik mes dy vendeve që u mbajt 30 Janarin e kaluar. Katari forcoi marrëdhëniet edhe me fuqitë e tjera me peshë në arenën ndërkombëtare, si Britania e Madhe dhe Franca, krahas marrëveshjeve që lidhi me NATO-n në fillim të këtij viti.

Këto lëvizje diplomatike të Katarit bënë të dështojnë përpjekjet e shteteve të bllokadës për t’a izoluar atë ndërkombëtarisht. Diplomacia katariane, me mençurinë dhe forcën e argumenteve të saj ia doli të ndryshojë balancat e peshores së krizës në favor të Katarit. Sekretarit i ri amerikan i Shtetit Mike Pompeo, gjatë vizitës së tij në Riad në turin e tij të parë zyrtar jashtë Shteteve të Bashkuara, i dërgoi një mesazh të qartë sauditëve rreth domosdoshmërisë për t’i dhënë fund bllokadës, duke u thënë: “Mjaft është mjaft”, – sipas burimeve brenda qarqeve zyrtare në SHBA.
Katari nuk u ndal me kaq, por që në orët e para të krizës nxitoi të forcojë marrëdhëniet dhe bashkëpunimin me vendet e rajonit si Kuvajti, Omani, Irani dhe Turqia, çka zbuti efektet e bllokadës ekonomike dhe ndihmoi në absorbimin e goditjes së parë. Falë menaxhimit të mirë të krizës, Katari mundi t’i kapërcejë pasojat e bllokadës duke siguruar produktet ushqimore dhe lëndët e tjera bazë (bile me të njëjtat çmime që ishin para krizës përmes përdorimit të rezervave strategjike të mallrave), të sigurojë likuiditetin e nevojshëm për garantimin e stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit, si dhe të hapë rrugë të reja detare për transportin e mallrave e furnizimeve dhe gjetjen e tregjeve alternative.
Revista The Economist – në numrin e saj të kaluar – konfirmoi se Katari e tejkaloi krizën dhe arriti të garantojë sigurinë ushqimore dhe medicinale të vendit nëpërmjet projekteve dhe sipërmarrjes lokale për plotësimin e nevojave të tregut të brendshëm për produktet bujqësore, qumështin dhe lëndët e tjera bazë.

Fakte dhe shifra rreth arritjeve të Katarit pavarësisht bllokadës
Nga ana politike, Katari arriti të sigurojë një kthesë të rëndësishme në qasjen ndërkombëtare e sidomos amerikane ndaj krizës, ku ndryshimi i qëndrimit të Presidentit Trump nga pozicioni i tij fillestar ishte më kryesori. Gjatë takimit të tij me Emirin e Katarit Sheikh Tamim Bin Hamad Al Thani prillin e kaluar, Presidenti Trump vlerësoi lart rolin e Katarit në luftën kundër terrorizmit, duke theksuar se Katari është një nga të paktat vende që kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi dypalësh me Shtetet e Bashkuara në këtë drejtim. “Emiri i Katarit gëzon popullaritet dhe respekt të madh tek populli i tij. Ai është një mik i mirë imi, ne punojmë mirë bashkë dhe gjërat me Katarin po shkojnë mirë,” tha ai.
Ajo çka kriza solli në të vërtetë, krejtësisht ndryshe nga ajo që synonte katërshja e bllokadës, është kriza se i bashkoi më tepër katarianët dhe i shtrëngoi më fort pas lidershipit të tyre. Kriza forcoi frymën e përkatësisë kombëtare dhe ngriti edhe më lart pozitën e Emirit të vendit, duke e kthyer atë në një hero kombëtar, fotot e të cilit sot janë përhapur në të gjithë vendin.
Nga ana ekonomike, Katarit mori një sërë masash dhe vendimesh ekonomike dhe tregtare që kontribuan në ngritjen e vëllimit të prodhimit vendas, diversifikimin e burimeve të të ardhurave kombëtare, si dhe në hapjen e tregjeve të reja.
Lista e arritjeve është e gjatë dhe nuk është qëllimi i këtij artikulli t’i përmendë të gjitha këtu, por ndër më kryesoret mund të veçohen:
Akti i Rregullimit të Investimeve të Huaja: Që i lejon investitorët e huaj të kenë 100% të aksioneve në shumicën e sektorëve ekonomikë, duke ndihmuar në futjen e kapitalit të huaj dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik.
Rritja e kuotave të “Qatar Airways” në kompanitë e tjera ajrore: Qatar Airways miratoi së fundmi një strategji për të rritur flotën e saj të avionëve Airbus, hapjen e linjave të reja në disa kryeqytetete dhe qytete të rëndësishme. Qatar Airways bleu 49 % të kompanisë italiane “Meridiana”, rreth 10 % të kompanisë “Cathay Pacific” të Hong Kongut, dhe shtoi me 20 % aksionet e saj në grupin “A.I.G.” me bazë në Britaninë e Madhe.
Zgjerimi i Portit Ndërkombëtar “Hamad”: I cili luajti një rol të rëndësishëm në thyerjen e bllokadës. Ky port ishte porta më e madhe për importin e mallrave dhe furnizimeve alternative pas mbylljes së tregjeve me vendet e bllokadës. Gjatë krizës, Porti “Hamad” hapi një numër të madh linjash dhe destinacionesh detare, si Omani, India, Shangai në Kinë etj.
Rritja e prodhimit të gazit: Në qershor 2017, Qatar Petroleum vendosi të shtojë prodhimin e gazit natyror me 30 %. Në shtator 2017, kompania nënshkroi marrëveshje për eksportin e gazit në Bangladesh për 15 vjet; dhe nënshkroi një marrëveshje të ngjashme edhe me Turqinë për ta furnizuar me 1.5 milion ton gaz në vit për një periudhë tre vjeçare.
Ulja e varësisë nga jashtë (self-sufficiency): Më parë, Katari importonte më shumë se 80 % të nevojave të tij për ushqim nga vendet e bllokadës. Me krizën aktuale, vendi miratoi dhe financoi projekte për të garantuar sigurinë ushqimore dhe medicinale dhe uljen e varësisë nga të tjerët për produktet e qumështit, mishit, pulave, prodhimeve bujqësore, blegtorale dhe ato peshkut. Pas këtyre masave, importet e Katarit për nevojat ushqimore janë ulur në rreth 40 %, duke u zëvendësuar me produkte vendore të cilësisë së lartë.
Punimet për FIFA WORLD CUP 2022: 90 % e punimeve infrastrukturore për këtë Botëror pritet të përfundojnë në vitin 2019, pavarësisht bllokadës. Katari është vendi i parë arab që organizon një kompeticion botëror futbolli. Vendi po shfrytëzon të gjitha mjetet dhe forcat e tij për ta organizuar këtë ngjarje të rëndësishme në formë të përkryer dhe të veçantë, të denjë për Katarin dhe për mbarë rajonin arab.
Pavarësisht pasojave dhe dëmeve të shkaktuara nga bllokada, Katari sot është më i fuqishëm se kurrë më parë. Ai refuzoi t’i nënshtohet diktatit nga jashtë, nuk lejoi cënimin e pavarësisë dhe sovranitetit të tij, dhe tejkaloi të gjitha pengesat dhe planet dashakeqe të vendeve të bllokadës. Falë mbështetjes së Zotit, pastaj aftësisë së udhëheqjes, unitetit të popullit dhe solidaritetit nga ana e popujve dhe qeverive të botës së lirë, Katari kapërceu krizën kryelartë dhe me sukses. Sot, Katari ecën përpara edhe më i fuqishëm.

Hashim Ibrahim Al Sada, i Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Katarit, Tiranë

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: