Ish-ambasadori shqiptar në Britaninë e Madhe, Mal Berisha komentoi në rubrikën ‘Opinion’ në News24, konfliktin mes SHBA e Iranit. Ndërsa i konsideroi të drejta veprimet e SHBA, Berisha u ndal edhe në dëbimin e dy diplomatëve iranianë nga Shqipëria.

Si ish-diplomat dua t’ju pyes për konfliktin SHBA-Iran?
Konflikti kthehet pas në vitet ‘70-‘79 kur grupet ekstremiste islamike morën në duar situatën, me Ajatollahun. Një numër i madh diplomatësh amerikanë mbetën të bllokuar për qindra ditë. Ai konflikt vijon edhe sot për shkak se Irani njihet si vend që përbën shumë probleme në lindjen e Mesme, mjafton të shohim atë që ndodh në Siri. Është një ndër shtetet më armike të Izraelit. E kur gjenerali Sulejman ishte aq shumë i përfshirë në veprime, sa nuk kishte rrugë vec eleminimit të tij. Eleminimi i tij ka ulur mundësitë për të realizuar vepra terroriste në zona të ndryshme. SHBA është në të drejtën e saj, por mendoj edhe Shqipëria si aleat i saj strategjik, edhe si vend i rrezikuar nga terrorizmi e si vend anëtar i NATO-s.

Pra mbetet një nivel rreziku ..
Unë nuk mund të flas me kompetencë se cili është rreziku, po në raste të tilla, dëmi i bëhet njerëzve të pafajshëm. Ndodhin nëpër metro, stacione treni, dhe natyrisht nuk jemi të imunizuar. Veprimet që po merren sot për ekstradimin dhe shpalljen non grata të dy diplomatëve, të cilët janë dorë e zgjatur e atyre njerëzve që kërkojnë të bëjnë veprime të tilla, kërkojnë të shkaktojnë destabilitet edhe në vende që janë të stabilizuara është një veprim i drejtë.

Pritej si veprim..
Unë mendoj që shërbimet tona partnere kanë indicie, informacion që njerëz që mund të shkaktojnë dëme të mëdha, duhet të depërtohen, mos jenë në maskën e diplomatit.

Sa herë flitet për SHBA, thuhet se askush s’mund të matet me to, në rastin e Iranit është rasti për një avancim të tensioneve …
Të dy palët kanë treguar forcën por jo me intensitetin e duhur. Psh, goditjet me raketa të iranianëve pa objektiv, e kanë mundësinë edhe me distanca, por edhe amerikanët kanë vepruar në mënyrë proporcionale, nuk është se është shkallëzuar lufta. Të dyja tregojnë se kemi mundësinë por për momentin nuk duam të përdorim të gjithë arsenalet. Të dyja janë forca me arsenal të rëndë. Nuk krahasohet me Amerikën, por nëse kanë përgatitur atë bombën e rrezikshme atomike, dikund fshehurazi edhe ata mund të bëjnë një dëm shumë të madh, natyrisht deri aty nuk do vi puna, sepse amerikanët kanë një sistem mbrojtje që është me siguri i tillë që nuk guxon njeri ta bëjë atë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb