Jetesa në kohë pandemie është e çuditshme.

Sakrifica më e madhe që po na kërkohet është që të qëndrojmë në shtëpi dhe të kufizojmë kontaktet fizike me të tjerët.

Edhe një gjë kaq e lehtë po shkakton ankth dhe parehati tek njerëzit, shumë prej të cilëve po injorojnë jo vetëm virusin por edhe rregullat në fuqi.

Të tjerët që e çmojnë jetën dhe duan të jenë të mbrojtur, nuk arrijnë ta perceptojnë këtë sfidë të verbër ndaj virusit dhe rregullave.

Psikologët mendojnë se arsyet përse njerëzit nuk po e marrin seriozisht situatën kanë të bëjnë me natyrën njerëzore.

Ata kanë ndarë njerëzit në tre grupe sipas reagimit të tyre ndaj pandemisë.

Bëhet fjalë për:

Njerëzit që reagojnë nga frika
Njerëzit neglizhentë
Ata të ndërmjetëm.
Të parët, janë njerëzit që si pasojë e frikës blejnë e blejnë pafund.

Një shembull i tillë gjendet tek njerëzit që boshatisën marketet dhe blenë çdo letër higjenike në dispozicion.

Të dytët janë njerëzit që i binden rregullave dhe bëjnë atë që u kërkohet pa u panikosur.

Të tretët janë ata që sfidojnë rregullat dhe e shohin veten si të paprekshëm.

Këta njerëz nuk zbatojnë distancimin fizik sepse mendojnë që nuk ka gjasa të sëmurën.

Çfarë i Shtyn Njerëzit Të Sfidojnë Pandeminë?
Kjo kategori njerëzish janë pikërisht arsyeja përse virusi mund të vazhdojë të përhapet.

Këta njerëz, mendojnë vetëm për veten, thonë psikologët.

Sipas tyre, ata bien më shumë pre e lajmeve të rreme dhe kontradiktore për koronavirusin dhe në fund binden se ata janë më të zotë, Zoti do t’i mbrojë e në mos ai, rakia dhe hudhra.

Një arsye tjetër përse disa njerëz sfidojnë pandeminë është se ndihen të vetmuar dhe i druhen më shumë distancimit social dhe mungesës së komunikimit se virusit.

Ky është rasti i disa të moshuarve që i gjen duke luajtur domino apo shah poshtë pallatit dhe refuzojnë të futen në shtëpi.

Psikologët po përpiqen të identifikojnë faktorët psikologjikë dhe mënyrën se si zyrtarët publikë mund të bëjnë që zëri i tyre të dëgjohet edhe tek ky grupim njerëzish që refuzojnë të dëgjojnë.

Disa psikologë thonë atë që beson edhe populli se frika ruan vreshtat.

Të tjerë, besojnë se frika mund të ketë efekt të kundërt sepse njerëzit marrin vendime të gabuara kur nxiten nga frika dhe jo llogjika.

E vetmja gjë për të cilën edhe psikologët bien dakord është se njerëzimi do të fitojë kundër COVID-19 kur të GJITHË njerëzit të kuptojnë rëndësinë e të qëndruarit në shtëpi./AgroWeb.org

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb