Ndryshimi i stilit të jetesës ka ulur kërkesën globale për këpucë. Ky është shkaku kryesor pse eksportet fason po ndeshen me vështirësi këtë vit, tha Skënder Pashaj, administratori i Fital, një prej fabrikave më të mëdha të prodhimit të këpucës në vend.

Shporta e shpenzimeve po diversifikohet gjithnjë e më shumë në disfavor të veshjeve, duke u orientuar drejt argëtimit dhe udhëtimeve. Tani njerëzit pëlqejnë më shumë të udhëtojnë, se sa të kenë dy-tre palë këpucë të shtrenjta.

Fabrikat shqiptare në këto kushte duhet të mbajnë domosdoshmërisht prodhimin, pavarësisht vështirësive. Në të gjithë këto ndryshime që po vijnë nga tregu global, fabrikat shqiptare mund të përfitojnë, për shkak se prodhuesit e mëdhenj globalë të këpucës si Azia, Kina, Bangladeshi etj., nuk janë aq atraktivë me kërkesat e reja që ka tregu europiano-amerikan.

Zoti Pashaj, ky fillim vit shënoi dobësi në ecurinë e eksportit të këpucës, cilat janë arsyet?

Po, është e vërtetë. Eksportet e sektorit fason në tërësi nuk po rriten me ritmet e viteve të kaluara. Arsyet lidhen tërësisht më zhvillimet në tregjet ndërkombëtare. Kërkesa konsumatore në rang global ka hyrë në një cikël të tri.

Shporta e shpenzimeve po diversifikohet në disfavor të veshjeve, duke u orientuar drejt argëtimit dhe udhëtimeve. Sondazhet tregojnë se është ulur blerja e këpucëve për frymë. Kjo rënie më së shumti po vjen për arsye të ndryshimit të stilit të jetesës se sa fuqisë blerëse. Tani njerëzit pëlqejnë më shumë të udhëtojnë, se sa të kenë dy-tre palë këpucë të shtrenjta.

Veshja dikur kishte mjaft rëndësi dhe këpucët ishin tregues i statusit në shoqëri, por në ditët e sotshme kjo tendencë po zbehet. Po të shikoje stafet e bankave pak vite më parë të gjithë ishin shik me këpucë dhe kostume, sot edhe në Europë punonjësit elitë vishen me atlete dhe sport. Të qenët praktik nuk është më modë por një stil jetese.

Këto zhvillime kanë çuar në tranzicion të gjithë zinxhirin e industrisë fason, që nga shitja te prodhimi. Për shkak të këtyre zhvillimeve, shitësit kanë akumuluar stoqe, aktualisht tregu ka mbingopje më këpucë më shumë se sa kërkesa. Për rrjedhojë, fabrikat kanë më pak porosi. Kjo periudhë derisa industria të përshtatet me kërkesat e tregut do të zgjasë të paktën dy vite.

Si duhet të përshtaten fabrikat shqiptare në këtë proces?

Industria e këpucëve drejt një profili tjetër
Industria e prodhimit të këpucës në vend, që zotëron rreth 20% të totalit të eksporteve, me 480 milionë euro në vit, po përfshihet në një cikël të ri…

E gjithë industria shqiptare e këpucës është prekur nga kjo fazë tranzicioni. Madje edhe ajo e rrobave. Në këto kushte, fabrikat shqiptare duhet të mbajnë domosdoshmërisht prodhimin, pavarësisht vështirësive. Në të gjithë këto ndryshime që po vijnë nga tregu global, fabrikat shqiptare mund të përfitojnë, për shkak se prodhuesit e mëdhenj globalë të këpucës, si Azia, Kina, Bangladeshi etj., nuk janë aq atraktivë me kërkesat e reja që ka tregu europiano-amerikan.

Shitësit e pakicës janë duke operuar me sasi të vogla dhe shumëllojshmëri modelesh, ndërsa Kina prodhon në sasi të mëdha. Tregu europian kërkon furnizime më të shpeshta dhe në sasi të më kufizuar, dhe ky model nuk është i përshtatshëm për prodhuesit e mëdhenj. Në këtë pikë mund të përfitojnë fabrikat shqiptare të prodhimit të këpucës, pasi ne jemi gjeografikisht në Europë dhe struktura e fabrikave tona siguron prodhime në sasi, cilësi dhe shumëllojshmëri me raport me kërkesën e re.
Në këtë aspekt, Shqipëria mund të përfitojë për shkak se vende si Rumania dhe Bullgaria nuk mund të mbajnë prodhimin në kushtet e reja të tregut.

A mendoni se ndryshimi i politikave të brendshme ndaj sektorit ju ndihmojnë në këtë proces?

Të jem i sinqertë, ky tranzicion në sektorin fason po vjen tërësisht për shkak të ndryshimeve në tregun ndërkombëtar. Fabrikat duhet të kapin trendin dhe të përshtaten me kërkesën e re, por edhe politikat e qeverisë, nëpërmjet lehtësive, mund t’i zbusin vështirësitë e këtij procesi. Mund të ketë periudha shkëputje në prodhim dhe kjo vë na rrezik qëndrueshmërinë e fuqisë punëtore. Ka vend për përmirësim, sidomos në rimbursimin korrekt të TVSh-së dhe minimizimin e rreziqeve që vijnë nga kursi i këmbimit./Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: