Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka pezulluar nga detyra dy inspektorë të policisë në Tiranë, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre. Mësohet se është pezulluar nga detyra N/Komisari me inicialet F.M., 29 vjeç, me detyrë Specialist në Seksionin e Hetimit të Aksidenteve Rrugore në Komisariatin e Policisë të Qarkullimit Rrugor Tiranë.

Sipas SHÇBA-së, 29-vjeçari është pezulluar pasi dyshohej se ai ndryshonte përgjegjësitë e palëve në rast hetimi aksidentesh.

Ndërkohë, është pezulluar nga detyra inspektorja me inicialet O.K., 27 vjeçe, me detyrë Operatore e Kamerave në Sektorin e Sallës së Komandimit në D.V.P. Inspektorja është pezulluar pasi në lokalin e vjehrrës së kolegut të saj, ushtrohej prostitucion, por oficerja informonte 53-vjeçaren që e kishte në pronësi biznesin për aksionet që organizonte Policia.

NJOFTIMI I PLOTË:
SHÇBA Tiranë ekzekutoi vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka vendosur masat e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për punonjësit e policisë: – N/Komisar F.M., 29 vjeç, me detyrë Specialist në Seksionin e Hetimit të Aksidenteve Rrugore në Komisariatin e Policisë të Qarkullimit Rrugor Tiranë. – -Inspektore O.K., 27 vjeçe, me detyrë Operatore e Kamerave në Sektorin e Sallës së Komandimit në D.V.P. Tiranë. Ekzekutimi i vendimit të Gjykatës u krye në funksion të procedimit penal Nr. 5023, të kryer nga SHÇBA Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë Tiranë, me hetime proaktive disa mujore, për akuzat “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ushtrim i prostitucionit”. Në zbatim të vendimit datë 23.12.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në kuadër të këtij hetimi u procedua penalisht edhe shtetasja S.K, 53 vjeçe, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e saj në qytetin e Memaliajt, u gjetën:- 2 armë gjahu gjysëmautomatike;- sasi fishekësh, që mbaheshin pa leje. Gjithashtu, shtetasve të mësipërm iu sekuestruan edhe 4 telefona celularë në interes të thellimit të hetimeve për veprat penale të sipërcituara. Nga hetimet e SHÇBA Tiranë ka rezultuar se oficeri i policisë F.M., duke shpërdoruar detyrën, ndryshonte përgjegjësitë e palëve në rast hetimi aksidentesh. Gjithashtu, dyshohet se në lokalin e vjehrrës së tij, shtetases S.K. ushtrohej prostitucion, por oficerja e Sallës Operative informonte 53-vjeçaren për aksionet që organizonte Policia.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: