Deputeti i opozitës së re Korab Lita në fjalën e tij në parlament deklaroi se sot në politikën shqiptare kemi dy persona, që janë kryeministri Rama dhe presidenti Meta, të cilëve iu duket vetja njërit si Napoleon e tjetrit si Skënderbeu.

Lita me ironi thotë se Ramës e Metës iu duket vetja si personazhë të njohur historikë, ndërsa vlerëson se kryeministri e presidenti aktual nuk mund të lidhin besë me shqiptarët, pasi janë ata që kanë ndërtuar këtë sistem politik që kemi sot.

“I zgjedhuri dhe ata që zgjedhin kanë dallime. Situata në të cilën ndodhet sot zgjedhësi shqiptar ose Shqipëria besoj se është shumë ndryshe nga se është më përpara. Sot njerëzit kërkojnë ekzistencën e shtetit, sot njerëzit nuk gjejnë drejtësi në gjykata, nuk gjejnë të drejtën e tyre në tatim-taksa e kudo. Zgjedhësit kërkojnë votën e lirë, kërkojnë shtet të Kushtetutës. Sot jemi në situatën ku dy persona po bëjnë beteja. Njërit i duket vetja si Napoloni e tjetri si Skënderbeu. Këta nuk mund të bëjnë besëlidhje, pasi kanë bërë të këqija në demokraci. Si mund të kërkojnë besë me shqiptarët? Arkitektët e kësaj situate kërkojnë besë. Kam protestuar kundër shumë liderëve të partive, por edhe për demokraci të brendshme të partisë”, tha Lita.

Më tej, Lita nënvizoi se partitë kanë humbur demokracinë e brendshme, ndaj ka nevojë për ndryshime rrënjësore.

“Unë mendoj se partitë politike sot nuk janë demokratike. Sot duhet një reformë zgjedhore gjithë-përfshirëse brenda parlamentit, për votën e lirë, për të ndryshuar sistemin. Pas kësaj, ky parlament duhet të shpërndahet për të marrë mandatet drejtpërdrejt”, u shpreh Lita.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb