Nga: BEN ANDONI*
Dhosi Liperi, “Mësuesi i merituar”, nuk mundi të jetojë deri në fund të vitit 1968. Viti i 500-vjetorit të Skënderbeut u festua bujshëm në të gjithë vendin, por ai, një nga etnografët më të zellshëm nuk mund të ishte. Në radhë të parë do të dilnin shumë historianë dhe plot gjëra për Skënderbeun, që në një farë mënyre plotësonin të gjithë atë që njihej deri më atëherë për figurën e madhe historike. Zhurma dhe buja e mbyti disi atë pjesë studiuesish, që kishin lënë punë vërtetë të vyer, material për historianë dhe studiues që edhe sot, duhet parë e shfletuar.
Në hije kishin mbetur shumë etnografë të thjeshtë, por edhe studiues të huaj, që gjithsesi do mund të sillnin risi me kalimin e kohës për të. Njëri syresh, mësuesi Liperi, qysh nga vitet 20, kohën e lirë ia kish kushtuar kërkimit të legjendave për kryeheroin. Kur e lexon në ditët tona, falë botimit prestigjioz, që i bënë të afërmit, shtangesh për skrupulozitetin e punës së madhe etnografike dhe etnologjike të këtij personazhi të pagojë. E më e çuditshme ende të ndjekësh kurbën e tij jetësore.
Një mësues periferie, i cili edhe kur mund të mbyllte krejtësisht gojën dhe të bënte thjesht punën e tij në arsim, i kish gjetur një motiv të madh vetes: mbledhjen e materialit etnografik të vendit. Dhe, ai që e njeh këtë si disiplinë, e di mirë se etnografi është si arkeologu: Ai nuk ka zyrë, ai ka terrenin si zyrë dhe objekt. Dhosi Liperi, ky mësues i pasionuar, jo vetëm jep mësim, jo vetëm propozon reforma dhe ide, në kohën e vet, por merr përsipër një detyrë vërtetë kombëtare: mbledh dhe shënon me një durim e kujdes murgu, mu atje ku kohët e reja ende nuk i kanë zhbërë mitet, legjendat, të thënat e të vjetërve, ashtu si ata i kanë ruajtur. Shkruan letra pa fund, por jo për transferim, por të mbetet mësues i thjeshtë dhe të ketë mundësi të vijojë punën e tij. Po, punën e tij për të mbledhur materiale etnografike. Ka kapur motivin e jetës së vet dhe nuk e lë për asnjë arsye. Të mendosh koha e dikurshme e kishte më të gurëzuar në memorien legjendën , atëherë e kupton mrekullinë e punës së këtij njeriu. Bën ekspedita vetmitare dhe kërkon mbështetje, duke sakrifikuar deri madje mbi punën dhe familjen e vet. Që më 1929, hapat e tij përshkojnë kudo në Shqipërinë e Mesme dhe duke vazhduar në Malësira të ndryshme. Punon në Mat, Dibër, Lurë dhe Mirditë, ku deri në vitin 1934 mbledh çdo gjë që i thonë për Skënderbeun. Por nuk mjaftohet me kaq. Bën dhe punën e etnologut, ku përpunon mbledhjen e të dhënave verbale dhe të gjitha dorëshkrimet që grumbullon ia dorëzon Institutit të Folklorit dhe Institutit të Gjuhësisë. E mrekullueshme, kur i drejtohet albanologut të madh Lambertz dhe i përcjell një legjendë dhe ai me nderimet më të mëdha, i premton përkthimin dhe botimin e shpejtë, por mbi të gjitha nderimin. Albanologu vlerëson sojin e këtyre studiuesve, që e di se nuk të vinë shpesh.
Falë tij kemi ide se ku mund të hidhet dritë për varrin e Skënderbeut, origjinën dhe vendlindjen e Kastriotit, një çështje ende e pazgjidhur si duhet, por edhe hapja e një teme tjetër më interesante, shpesh shkak manipulimesh, e cila lidhet për pasardhësit e vet.
Në të 15-kapitujt librit, që janë të ndara me tema të posaçme, kemi materialin e tij për Skënderbeun. “Skënderbeu legjendar, përbëhet nga dy pjesë, ku në të parën kemi ato që pasqyrojnë një epokë të gjatë, qindravjeçare, të jetës sonë kombëtare, epokën e robërisë turke, dhe janë provë e përpjekjeve të mëdha të popullit tonë për liri, provë e aspiratave kombëtare. Pjesa e dytë, e cila e ndërron formën menjëherë, merr një karakter tregimi mirëfillit epik, në shëmbëllin të një epopeje modeste, aksioni i së cilës fillon me përshkrimin e Qytetit të Shenjtë e të luftës së tij e përfundon me dorëzimin e shpatës e çlirimin e Shqipërisë nga fashizmi…
Gjithçka e kam jetuar vetë dhe kudo në terren kam vepruar unë, kështuqë i gjithë punimi del autobiografik; veç kësaj ky në themel është folklorik e pra për çdo kallëzonjës duhen të dhëna njohëse, me të cilat përzihet personi im”, na lë ai të shkruar qartësisht në hyrje.
Mësuesi i vjetër e quante veten të lumtur, që ishte i pajisur me këtë cilësi edhe këtë e thekson edhe në fund të jetës: se po bënte një punë të mirë dhe se e dyta përpjekjet mund të vlejnë si shembull për brezin e ri, që duhet të kalitet e të thellohet në tradita patriotike të populli tonë.
Fjalë lapidare, që ai i kumtoi personalisht edhe në Konferencën e parë dhe të dy Albanologjike…
Duke përfunduar, një nderim në të gjithën, i takon frymës së të afërmve të tij, që më shumë se nderim për paraardhësin e tyre të respektuar kanë lënë një kujtim të vyer për vetë shqiptarët e shekujve të ardhshëm…
(er.nu/MIlosao/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb