TIRANE- Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka vendosur fuqizimin me kapacitete njerëzore të Njësisë Antikorrupsion pranë Prokurorisë për Krime të Rënda, si një mënyrë për të përballuar fluksin e madh të procedimeve penale në këtë strukturë.

Aktualisht, kjo Njësi, e cila prej ditës së sotme do të përbëhet nga 5 prokurorë, numëron rreth 400 raste, mbi të cilat po kryhen veprimet proceduriale sa i përket hetimeve pasurore për persona dhe grupe të strukturuara kriminale, si edhe për raste të dyshuara korrupsioni në nivele të larta drejtuese. Po ashtu, në mbështetje të kësaj Njësie, tashmë do të jetë i atashuar me kohë të plotë edhe një ekspert i misionit OPDAT të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili do të ofrojë ekspertizën e drejtëpërdrejtë mbi çështjet e kriminalitetit ndërkombëtar, si edhe hetimit pasuror.

Në një takim të zhvilluar mesditën e sotme në Prokurorinë për Krime të Rënda, z. Llalla prezantoi prokurorët e rinj, të cilët kanë përvojë në struktura antikorrupsion në prokuroritë e rretheve gjyqësore.

Keshtu mësohet se: Dritan Rreshka emërohet Shef i Antikorrupsionit dhe bashkë me te u prezantuan, Gent Osmani, Anisa Qilimi Armand Gurakuqi dhe Enkelejda Millonai, pjese kësaj njesie.

Zoti Llalla, u shpreh gjatë takimit se “Njësia Task-Force e Prokurorisë për Krime të Rënda, krahas numrit të lartë të procedimeve, tashmë ka mbështetjen e një numri më të madh prokurorësh, ekspertizën e specializuar të OPDAT-it dhe specialistëve vendas. Për këtë arsye, u kërkoj prokurorëve të Njësisë Antikorrupsion pranë Prokurorisë për Krime të Rënda që të finalizojnë procedimet e deritanishme të korrupsionit dhe hetimit pasuror, si edhe vijojnë menjëherë me rastet që kanë nisur ose janë referuar kohët e fundit”.

Në vijim, z. Llalla theksoi se “prokurorët që do t’i atashohen kësaj Njësie, ndoshta me të drejtë, mund ta konsiderojnë si vlerësim përfshirjen e tyre në të. Dhe në fakt, është një vlerësim. Por më shumë është një përgjegjësi e madhe, së pari para opinionit publik. Për të dëshmuar gjithnjë e më shumë forcën e ligjit përballë zyrtarëve të ndryshëm në niveleve të larta drejtuese, të dyshuar si të përfshirë në veprime korruptive, si edhe grupeve kriminale, të fuqizuara financiarisht”.

Pas takimit për fuqizimin e Njësisë Antikorrupsion pranë Prokurorisë për Krime të Rënda Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla shprehet se do të ketë arrestime për rastet që po hetohen, ndërsa nuk ka komentuar lidhur me akuzat për lidhje me trafikun e drogës në emër të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: