“Nji prej nesh”, vepra e parë e regjisorit Ergys Meta, vjen pas premierës ndërkombëtare ne festivalin e Cottbusit

Filmi do të shfaqet premierë në datë 17 Nëntor në orën 19:10 në Kinema Millenium (trailer i filmit)

“NJI PREJ NESH”, është historia e Sulës, një efektivi policie, i cili vuan nga çrregullimet e stresit post-traumatik. Gjendja e tij rëndohet në kontakt me realitetin e përditshëm toksik të kryeqytetit. Ai ndjen se duhet të bëjë diçka që t’i jap kuptim jetës së tij. Por deri ku është i gatshëm të shkojë Sula për të bërë drejtësi, në një qytet ku korrupsioni ka kapur majat e hierarkisë së pushtetit?

“NJI PREJ NESH” është një udhëtim eksplorues brenda mendjes së një personi çfarëdo, i cili ndihet i përgjegjshëm të bëjë diçka të rëndësishme për botën që e rrethon. Regjisori Ergys Meta shpjegon se përse ka zgjedhur të prezantohet me një vepër të tillë për herë parë me metrazh të gjatë.

  • foto galeri
  • foto galeri

“Zgjedh ‘Nji prej nesh’ si vepër e parë sepse vendi im është i mbushur plot histori të tilla që në shumicën e rasteve mbesin të parrëfyera. Ndihem i përgjegjshëm të denoncoj një anomali shoqërore duke e vizualizuar me nota kinematografike një zgjidhje që do ringjall shumë pyetje, të cilave i takon audiencës Shqiptare dhe të huaj t’i përgjigjet. Dëshiroj ta tregoj këtë ngjarje në mënyrë të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë”.

Stili i filmit, Ballkan neo-noir metropolitan është një zhanër i cili ka gjetur një terren pjellor në botën e sotme të ngopur me filma me superheronj. Kryesisht sepse neo-noir rrotullohet rreth një personazhi në petkun e një dedektivi që lufton i vetëm dhe me mjete pak ortodokse për të zgjidhur një mister, duke e bërë të jetë një anti-hero.

Rrjedhimisht ai shndërrohet në një figurë shumë popullore për publikun në mbarë botën. Qëllimi i këtij tregimi filmik është që një person çfarëdo pavarësisht nga aspekti social-kulturor, bëhet një element shumë i rëndësishëm i gjithë shoqërisë.

Për regjisorin Ergys Meta historia e treguar nga këndvështrimi i anti heroit ka një kuptim që shkon përtej moralit. Filmi do të qëndrojë në Kinema Millenium dhe Cineplex TEG për dy javë që nga dita e premierës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb