KOSOVË

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ka njoftuar se Kosova ka vendosur të shpallë si person “non-grata” austriakun Peter Hendke, i cili fitoi çmimin “Nobel” në letërsi. Me një shënim në “Facebook”, Pacolli thekson se Hendke nga sot nuk është i mirëpritur në tokën e Kosovës.

“Sot kam vendosur të shpalli Peter Handke si jo të mirëpritur në Kosovë. Ai është një person non-grata nga sot. Mohimi i krimeve dhe mbështetja e kriminelëve është krim i tmerrshëm”-shkruan Pacolli.

Peter Hendke njihet si mbështetës i Sllobodan Milosheviçit dhe për këtë arsye, Kosova duket se ka vendosur që austriaku të mos shkelë më në tokën dardane. Pas Kosovës, edhe Bosnje Hercegovina ka vendosur sot të njëjtën masë ndaj mbështetësit të zjarrtë të Sllobodan Millosheviçit.

“Më e keqja është se Peter Handke nuk e ka ndryshuar mohimin e tij të së kaluarës”-theksoi Kuvendi i Sarajevës, duke shtuar se Peter Hendke fitoi çmimin “Nobel” përkundër mohimit të gjenocidit boshnjak gjatë viteve 1992-1995. Ai gjithashtu mbështeti hapur dhe publikisht liderin serb Sllobodan Millosheviçin, i cili ndërroi jetë në 2006 ndërsa ishte në gjyq në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë për krime lufte dhe gjenocid.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb