HUNGARI- Një fshat në Hungari ka ndaluar mbajtjen e veshjes myslimane dhe thirrjen për namaz. Duke e shtrirë atë që quhet “lufta kundër kulturës myslimane”, ai shpreson të tërheqë të tjerë të krishterë evropianë, të cilët kundërshtojnë multikulturalizmin në vendet e tyre.

Kryetari i fshatit hungarez të Asotthalom-it, Laszlo Toroczkai kërkon që njerëzit të zhvendosen atje, por kërkon vetëm të krishterë evropianë, pasi sipas tij myslimanët nuk do mund të integroheshin.

Fshati po ashtu ndalon veshjen islamike, thirrjen e ezanit dhe shfaqjet publike në favor të homoseksualëve.

Pyetjes se a po përpiqen të krijojnë një fshat me supermaci të bardhë, kryetari i fshatit i përgjigjet me jo.

“Unë nuk e përdora këtë fjalë, ‘të bardhë’. Por, ngaqë ne jemi të bardhë, Evropianë dhe të krishterë, ne duam të qëndrojmë kështu”, tha ai, i cituar nga “BBC”.

“Pikë së pari në mirëpresim njerëz nga Evropa Perëndimore. Njerëzit që nuk pëlqejnë të jetojnë në një shoqëri multi-kulturale. Ne nuk dëshirojmë të tërheqim myslimanë në fshat, megjithëse ne tashmë kemi disa rezidentë myslimanë në Asotthalom. Por, është shumë e rëndësishme për fshatin të ruajmë traditat”, thotë ai.

Qeveria Hungareze do të vendosë se sa të ligjshme janë rregullat e Asotthalom-it. Shumë rezidentë mbështesin ligjet e reja, por jo të gjithë bien dakord.

Asotthalom

“Familja myslimane që jeton këtu është plotësisht e integruar me ne. Ata nuk provokojnë njeri. Nuk veshin hijabin, nuk i bien në qafë njeriu. Djali i tyre luan futboll. Unë i kam mësuar notin. Ne kalojmë shumë mirë me ta”, thotë një banor.

“Ka homoseksualë që jetojnë në fshat. Ata janë krejt në rregull. Ne i takojmë, flasim me ta, mënyra se si e jetojnë jetën në shtëpinë e tyre nuk është puna jonë. Ne të gjithë jemi njerëz”, thotë një tjetër banore.

Asotthalom është një fshat hungarez në kufi me Serbinë, i rrahur nga emigrantët gjatë krizës së viteve të fundit në rrugën e tyre nga Ballkani drejt vendeve perëndimore të Bashkimit Evropian.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb