Kur në skenën e muzikës u shfaq adoleshentja Billie Eilish, kishte nga ata që vinin bast se shumë shpejt ajo do të shndërrohej në një yll e do t’i pushtonte klasifikimet në mbarë botën.

Sot, ajo është fituese e shtatë Çmimeve Grammy, një Golden Globe dhe një Oscar për këngën më të mirë origjinale. Ndonëse muzika e saj nuk ishte komerciale, ata që flisnin me bindje për një yll të ri në lindje, kishin nuhatjen e pagabueshme të profesionistit. Koha dhe fama e Billie Eilish u dha të drejtë. Talenti dhe zëri i saj tashmë ka bërë histori.

Trembëdhjetë të rinj vijnë në “Young Parade Albania”, një koncert-paradë me sukseset më të mëdha të muzikës ndërkombëtare.

Talente që producenti dhe kantautori Gjergj Leka i ka mbledhur nga e gjithë Shqipëria, si një investim për të ardhmen e muzikës shqiptare.

Megi Toma nga Shkodra, Leandra Godaj nga Fieri, Iris Sula, Noel Hoxholli dhe Rigelsa Qorri nga Elbasani, Paolina Pajollari, Ana Baraku dhe Nerjada Xhufi nga Tirana, Elisa Skarra nga Kamza, Anisa Grenazi nga Kukësi dhe Rita Hyseni, Lena Fazliu dhe Anisa Shabani, nga Kosova.

Me thjeshtësinë dhe drojën prej adoleshentesh, secila shndërrohet sapo merr mikrofonin. Zëra të fuqishëm, vibrues, me një shtrirje të gjerë vokali, ngrohtësi dhe pjekuri që e tejkalon moshën e tyre të re.

Përmes këtij koncerti, Gjergj Leka thotë se pati synim t’i afrojë të rinjtë drejt kryeveprave botërore, që u shërben edhe si një shkollë e mirëfilltë muzike.

Puna për përgatitjen e tyre qe e gjatë dhe intensive. Secila mësoi këngën me pedagogun përkatës, por edhe teknikat  e regjistrimit vokal në studiot muzikore, ku shumë prej tyre e patën përvojën e parë, por siç beson me intuitë – të pagabueshme prej profesionisti – muzikanti Gjergj Leka, nuk do të jetë e fundit. Këta të rinj janë premtues dhe shpejt do të pushtojnë tregun muzikor shqiptar, por pa harruar vlerat e muzikës së vërtetë.

Të rinjve iu dha mundësia të njihen dhe prezantohen me botën magjepsëse të spektaklit, që për Gjergj Lekën është një shkollë më vete, e cila fatkeqësisht nuk studiohet në Shqipëri.  Punë që i dha frytet gjatë natës së spektaklit, ku të trembëdhjetë artistët e rinj dukeshin si të lindur në skenë.

Krenari që lexohej jo vetëm në sytë e mjeshtrit muzikor, por edhe të prindërve, të pamungueshëm në këta hapa të parë të karrierës së tyre, që premton të jetë e gjatë dhe e suksesshme. Dy breza që bashkoheshin nga muzika. Ajo e vërteta. E pakoha. Muzika që u reziston sezoneve dhe që ka shënjuar kujtesën kolektive, por edhe ndalesa të rëndësishme të kujtesës individuale, që ka qeshur e qarë, bashkë me muzikën.

Bashkë me festivalin “Festa e këngës Shqiptare”, këtë vit në të tretin edicion ku bashkohen gjenerata të ndryshme artistësh, profesionistë, talente të reja dhe amatorë të muzikës, këta trembëdhjetë dishepuj të rinj të këngës patën mundësinë të hyjnë në lëkurët e këngëve që kanë bërë historinë e muzikës botërore. Koncerti transmetohet të shtunën mbrëma, në kanalin News24 dhe Radio24.

Por pa veshur petkun e tyre. Një nga shtyllat kryesore të shkollës së Gjergj Lekës me këta të rinj mbetet origjinaliteti. Askush nuk përpiqet të imitojë dhe këngët vijnë të ripërpunuara, duke shpalosur potencialin e secilës nga këngëtaret.

Përtej nostalgjisë së muzikës së shkuar, përpjekjes për t’u dhënë vendin dhe nderin e duhur artistëve që tranzicioni i la në harresë, Gjergj Leka ka në fokus të projekteve të tij edhe brezin e ri, të ardhmen e muzikës shqiptare.

Turbofolk?! Tallava?! Hip-Hop?! Koha e tyre ka mbaruar. Është koha e muzikës cilësore, asaj që të drithëron shpirtin e të transporton në kohë e vise të largëta. Yjet e së ardhmes janë këngëtarë të talentuar, instrumentistë virtuozë që aset kanë vokalin dhe interpretimin.

Billie Eilish i Shqipërisë mund të jetë Megi, Leandra, Iris, Noel, Rigesa, Paolina, Ana, Nerjada, Anisa dhe Anisa, Elisa, Rita, Lena. Doni të vini bast?! Profesionistët e muzikës  e kanë vënë dhe shqisa e tyre është e pagabueshme. Tregu muzikor të bëhet gati për to…

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb