Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas një takimi të zhvilluar me homologun e saj slloven, Borut Pahor, u shpreh se njohja reciproke me Serbinë është rruga e vetme drejt arritjes së paqes dhe një stabilitetit afatgjatë.

Kryetarja e shtetit të Kosovës shtoi se Kosova mbetet e përkushtuar në dialogun që e ndërmjetësuar nga Brukseli, i cili në qendër duhet të ketë njohjen reciproke mes dy vendeve.

“Sot dua të ju falënderoj për angazhimin tuaj për t’i bashkuar vendet e rajonit, në këtë kohë vendimtare për kontinentin tonë dhe përtej. Derisa po përballemi me shumë sfida, nevoja e bashkëpunimit rajonal bëhet gjithnjë e më e rëndësishme. Presim të bashkëpunojmë ngushtë me Slloveninë dhe vendet tjera demokratike për të gjetur zgjidhje që ndihmojnë në lehtësimin e barrës për qytetarët tanë.

Mbesim besimplotë se Sllovenia do të vazhdojë të jetë zëri ynë edhe në forumet ku ende nuk jemi të pranishëm. Gjersa po i afrohemi liberalizimit të vizave, dua të ju falënderoj për angazhimin tuaj në këtë proces dhe të ju kërkoj edhe njëherë të jepni një shtytje të fundit në këtë proces në mënyrë që qytetarët tanë të kenë mundësi të vizitojë vendin tuaj të bukur edhe gjithë Evropën.

Kosova mbetet e përkushtuar në dialogun që zhvillohet në Bruksel, e i cili në qendër duhet të ketë njohjen reciproke. Kjo është rruga e vetme drejt paqes dhe stabilitetit afatgjatë. Dua të ju falënderoj edhe njëherë për miqësinë tuaj dhe partneritetin e sinqertë. Ka qenë kënaqësi të bashkëpunojmë me ju!”, deklaroi presidentja Osmani

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb