Në një intervistë për Balkanweb, Zj. Ariola Çela, Drejtor i Departamentit të Financës në institucionin financiar NOA, ka folur për situatë financiare, post- pandemi, duke bërë një pasqyrim të plotë të ndikimeve të pandemisë Covid -19, si edhe për mënyrën se si institucioni NOA është adaptuar dhe qasur kësaj situate me të cilën u përballën të gjithë, duke injektuar rreth 30 milion Euro në në ekonominë e vendit dhe në suport të zhvillimeve të biznesit vendas.

Ariola Cela
Ariola Cela

Cila ka qënë qasja e NOA-s ndaj situatës së pandemisë?
NOA është një institucion financiar me një aktivitet 21 vjeçar të fokusuar në mbështetjen e sipërmarrjes së vogël dhe të fermerëve shqiptarë. Si një lider i mikrofinancës i dedikuar garantimit të një aksesi në financë në çdo kohë për grupet e shërbyera, dhe pavaresisht parashikimit të bankës Botërore për një rënie të ekonomisë me 5% për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19, ne si NOA rikonfirmojmë objektivin tonë për të injektuar në ekonomine shqiptare rreth 30 milion Euro. Ne besojmë se rimëkëmbja e biznesit shqiptar në situatën aktuale ka nevojë më shumë se kurrë për një akses të lehtësuar në financime, pa proçedura të rënduara dhe pa kolaterale, dhe në këtë sens, modeli ynë i biznesit i përgjigjet më së miri sfidës që po kalon vendi. Në këtë fond prej 30 milion Eurosh, për shkak të peshës që përfaqëson bujqësia në ekonominë e vendit, NOA do ti dedikojë një rëndësi financimit të fermerit shqiptar që përbën rreth 25% të totalit të financimit.
Kjo ambicje e NOA vjen për shkak se pavarësisht impaktit nga kriza, Shqipëria dhe institucione si i yni kanë arritur të sigurojnë mbështetjen e nevojshme nga partnerët financiarë për të vazhduar kreditimin normal të ekonomisë së vendit.
Në këtë sens, kujtoj nënshkrimin e marrëveshjes së garancisë me “Rural Credit Guarantee Fund” me vlerë 120 million LEK.

Çfarë kushtesh ka kjo kontratë me RGCF?
Linja e garancisë mes NOA dhe “Rural Credit Guarantee Fund” synon financimin e klientëve agro në kapital qarkullues ose në investime. Është një ndihmë e madhe për fermerët për të mbajtur në normalitet situatën e tyre të biznesit. Vlen të theksohet se NOA dhe sektori i mikrofinancës në përgjithësi, janë lider të financimit të sektorit bujqësor në vend, duke përfaqësuar mbi 80% të totalit të kreditimit të bujqësisë në vend. Kjo vjen pasi fermeri i vogël e ka shumë më të lehtë të marrë një financim kur produkti financiar që i propozohet disbursohet në terma të cilët i përshtaten kalendarit, tipologjisë dhe karakteristikave ekononike të prodhimit të tij bujqësor. NOA në këtë drejtim ka krijuar një ekspertizë reale në financimin për bujqësinë duke i ofruar fermerit edhe linja garancie si kjo me “Rural Credit Guarantee Fund” të cilat i heqin barrën e kolateralit fermerit që kërkon një financim të përshtatur.

Cili ka qënë impakti i COVID19 në sektorin Agro?
Është shumë herët për të matur impaktin që ka shkaktuar COVID19, ne kemi qënë proaktiv në vlerësimin individual të të gjithë klientëve tanë dhe u kemi dhënë mundësinë e riskedulimit. Brenda muajit Maj kemi finalizuar të gjitha kërkesat që kemi patur nga klientët duke rikonfirmuar përshtatshmërinë e produkteve tona dhe vizionin tonë në shërbim të sipërmarrjes së vogël dhe fermerit shqiptar, duke iu përgjigjur nevojave të tyre në çdo kohë dhe në çdo vend.

Thënë kjo, ndikimi i pandemisë në ekonominë bujqësore ka qënë i tërthortë, me disa kultura, agrobiznese apo agroturizme që janë ndikuar direkt nga rënia e turizmit dhe pengesat në eksport. Nga ana tjetër, klientët agro përfaqësojnë vetëm 8% të portofolit të riskeduluar në NOA, ose 2,5% të portofolit total të kredisë. Çka tregon se në përgjithësi, bujqësia shqiptare u tregua disi më ‘solide’ ndaj krizës, që shpresojmë, po lëmë pas. Madje mund të shtojmë se gjatë periudhës më të fundit, kemi patur një kërkesë të shtuar për financime për kapital qarkullues dhe investime në segementin agro, për të cilat si NOA, kemi qënë dhe më të gatshëm që t’u përgjigjemi pozitivisht nisur nga rëndësia e këtij sektori për mbarë ekonominë e vendit.

Pandemia e Covid-19 dhe e gjithë situata ekonomike që u krijua për shkak të saj, qëndrueshmëria e financimeve tona dhe arritja me sukses e ofrimit të një mbështetjeje financiare për qindra sipërmarrës e fermerë të prekur gjatë kësaj periudhe, ishte një provë solide që rikonfirmoi rolin lider të NOAs dhe përshtatshmërinë e modelit tonë të biznesit në financimin e bujqësisë dhe të ekonomisë sipërmarrëse shqiptare.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: